TAGS-AT E JAVËS

Editorial 6 Mars 2023, 10:21

Ambasadorja Yuri Kim dhe ‘Plakat e Prillit’

Shkruar nga Sokol Pepushaj
Ambasadorja Yuri Kim dhe ‘Plakat e Prillit’
Ambasadorja Yuri Kim

“Ambasadore, shkofsh në Djall, shpëtuam nga “dimri” i drejtësisë”. Kjo klithmë gëzimi, mori këmbë e krahë. Nuk e dimë, më parë lajmi hyri në Amerikë, apo në mediat turko-ruse të Tiranës, ku një specie e panjohur analistësh e moderatorësh të “pavarur”, i shërbejnë Mafies, skuqen e zverdhen sipas gjendjes së Edi Ramës e bëjnë jetë luksi.

Dimë, që në çdo familje shqiptare ky lajm trokiti plot frikë, por në literaturën e historisë amerikane, zuri vend triumfalisht.

Njëra nga “Plakat” e Qeverisë “Rama 3”, ministre Olta Xhaçka, u egërsua, u bë çafkë dhe “fluturoi” mbi “shkëmbin” e legjendës “Plakat e Prillit”. Me flamurin antiamerikan në “sqep”, lajmëronte se kaq e pati ai Vendim Ekzekutiv i Presidentit Joe Biden për arrestimin e kriminelëve në Ballkan, se Yuri Kim na mori të “keqen” dhe askush nuk do e turbullojë pranverën e hajdutëve.

Ambasadorja, mendoi se po shikon një ëndërr të keqe.

Fërkoi sytë, disiplinoi vetullat dhe sulmoi folenë biologjike të ‘Plakave’ të Politikës që kështu i përcillnin ambasadorët amerikan historikisht, me një “shkofsh në Djall”. E zhgënjyer nga besimi, lëshoi vetëtima e bubullima, mbushi qiellin e Tiranës me re, “gdhendi” me germa të zgjedhura në dy alfabetet, shqip dhe anglisht në faqen e ambasadës statusin; “ Pas ardhësi im vëlla, mi jep ca ditë hua, ta ngrij Mafien me gjithçka ka”. 

Pas këtij “kodi”, nisi reprezalje në dosjet e korrupsionit dhe investimeve strategjike jo vetëm në Shqipëri. Këtyre “lëndinave”, ku po harliseshin “bagëtitë” e Ilir Metës, Sali Berishës, Olsi Ramës, Artan Gaçit, Engjëll Agaçit e gjithë “bjeshkatarëve” që ekonomisë i thithin “oksigjenin” e poshtë në fshat shkarkojnë “karbonin”, kanë rënë “ngrica” që nuk i lexon ende “termometri” i SPAK-ut.

Gjysmë i ngrirë, Babloku ende prezantohet në Parlament përpara shqiptarëve që e duan në pranga, si ndër të fortët e Globit, ndër të pasurit, si pronar i diplomacisë amerikane, që ç’kodon edhe hieroglifët kineze.

Sa kohë Edi Ramën shqiptarët e kërkojnë në Parlament për skandalin me ish agjentin e FBI-së McGonigal, ai ja fut këngës; ‘Tuj shetit në ara t’gjana përmes barit të njomë, ne të dy na zuri nata, ramë me fjet në gjumë’.

Sipas tij, ka rënë në gjumë me amerikanët e do të zgjohet shpejt po nga amerikanët.

Babloku është i pa parë, i ngjan se është në këmbë edhe i shtrirë për tokë.

E kanë “ngrirë” amerikanët e nuk bëhet kurrë më, flitet nëpër ca legjenda me dosje spiunazhi. Kjo reprezalje e tmerrshme për bosët e mafies, ka ngrirë pasuri e katandi, mafiozë gjithandej.

Pas postimit të statusit ne faqen e ambasadës amerikane: “Pas ardhësi im vëlla, mi jep ca ditë hua, ta mbys Mafien me gjithçka ka”, lindi edhe kjo Legjenda e ‘Plakave të Prillit’. Edhe Dimri, i frymëzuar nga ambasadorja Yuri Kim, botoi në median e vet Facebook, editorialin; “Shkurt o im vëlla, më jep tre ditë hua, ta ngrij plakën me gjithçka ka”.

Në jeni dakord, që aso kohe, muaji shkurt është më i shkurtri ndër të tjerë. E prapë, në mos jeni kundër, çdo pranverë, pra mars-prill, janë tre ditë të tmerrshme, me shi, vetëtima, bubullima e ngrica.

‘Plakat e Prillit’, pasi u siguruan se iku dimri, dolën në mal të Tomorit, i matën bërrylin Dimrit, ngritën fustanellat, i kthyen prapanicën dhe gdhendën në majë të gurit: “Ik zhduku, thefsh qafën o dimër qafir”!

Dimri, me ditë hua, e ngriu ‘Plakën’ aty, në mal të Tomorit, për karshi guroreve të Ilir Metës.

Meqë shqiptarët as lexojnë gjatë, as besojnë gjatë, le ta mbyllim shkurt: Legjenda është e bukur, legjendë shqiptare; Yuri Kim dhe ‘Plakat e Prillit’./Pamfleti

ambasadorja yuri kim plakat e prillit

Lini një Përgjigje

Editorial