TAGS-AT E JAVËS

Editorial28 Shkurt 2023, 11:05

Vrasja e historisë në Bruksel

Shkruar nga Fadil Lepaja
Vrasja e historisë në Bruksel
Nga takimi Vuçiç - Kurti në Bruksel

Në fakt, pyetja jetike për Kosovën nuk është se çfarë do të fitojmë ne, por ajo tjetra, pyetja më e famshme ballkanike: po komshiut a do ti ngordhë lopa?

Nuk është çështja kush do të fitojë, por kush do të humbë. Këtë përgjigje do opinioni në Kosovë e besa edhe në Serbi. Nuk ka fitore pa e mundur armikun, kështu na mëson historia. Por historia flitet se ka vdekur. Evropa e re pretendon se është përtej historisë së luftërave. Nëse nuk ka vdekur, së paku mund të thuhet se është shpërngulur në lindje. Po ne në cilën anë po mbetemi?

Por historia shkruhet në mënyra të ndryshme. Historia jonë në fund shkruhet me sharki e çifteli, ndërsa ajo serbe me lahutë. Por ajo nuk e këndon asnjë version ku fitojnë të dy palët. Dikujt duhet t’i ngordhë lopa, thotë urtia e sertë ballkanike.

Në këto rrethana Kryeministri e ka pisk. Dikë duhet tradhtuar me patjetër. Nëse nuk nënshkruan është tradhti. Edhe nëse nënshkruan është tradhti po ashtu. Opozita rri gati me laps në dorë. Nëse nuk nënshkruan, ai, do të nënshkruajnë ata. Vetëm një arsye është përse opozita nuk tradhton dot. Askush nuk kërkon të nënshkruaj asgjë nga opozita. Është çështje roli...

Të jesh opozitë do të thotë të jesh pjesë e sistemit, me një fjalë të ofrosh dhe të jesh alternativë. Ka parti dhe koalicione opozitare të cilat sapo kalojnë në opozitë, formojnë qeveritë në hije. Natyrisht jo për të imituar Çajupin, “Burrat nën hije, ...”. Në fakt, kjo qeveri ka edhe mjaft gra nëpër dikastere. Ndoshta nuk do të rimonte keq edhe vjersha, por opozita nuk rri nën hije. As flasin, as kuvendojnë! “Pika që s’u bie...”!

Por, në prag të ngjarjeve të mëdha ne nuk kemi qeveri në hije. Nuk kemi as alternativë. Sidoqoftë opozita po bën punë të rëndësishme. Po kujdeset që kryeministri të mos tradhtojë. Është e pa qartë se çfarë do opozita: të tradhtojë apo të mos tradhtojë Kryeministri. Jemi në një moment kur po krijohet historia, ose historia mund të ikë dhe ne të mbetemi në stacion duke pritur autobusin historik të radhës. Ndërkaq, Qeveria e ka të vështirë. Secilës rrugë t’i bjerë e dërgon në të njëjtën anë ... të historisë.

Kështu, nëse bën marrëveshje është tradhti ndaj kombit, nëse nuk e bën është tradhti ndaj Amerikës dhe BE. Kështu e kanë artikuluar pozitën e komplikuar të kryeministrit.

Pra, sido që të vijë puna , Kryeministri do të tradhtojë. Dilema nacionale është vetëm se kë do të tradhtojë. Cila tradhti e mban në pushtet apo cila e mban në anën e duhur të historisë? Duhet të keni parasysh se historinë e  shkruajnë ... historianët. Kryeministri nuk është historian. Historianët e shkruan historinë politike të Kosovës në njëzet vitet e fundit, por ajo histori nuk kaloi në Gjykatën Kushtetuese. Tani historia po shqyrtohet në Gjykatën Speciale. Vetë e shkruan historinë, vet e krijuan Gjykatën. Por ata nuk menduan për vete, menduan për Kosovën.

Pragmatikët në Qeveri dhe Presidencë janë më shumë pragmatik dhe më pak të preokupuar me historinë. E kaluara dhe e tashmja po përballen në debatet publike, nëpër mediat e pavarura, po grinden në fakt. E tashmja është stresuese. Duhet marrë vendim jo falënderues: kë duhet tradhtuar?

Kështu pak a shumë po thotë opozita.

Sipas kësaj logjike, Kryeministri do të tradhtojë dhe duhet të tërhiqet. Ose do ta nënshkruaj Asociacionin ose jo. Do të dorëzohet, parashikon opozita.

Si të veprohet? Të dorëzohemi apo jo? A nuk është ky një film i parë tashmë në Rambuje?

Çfarë do të thoshte Demaçi? Çfarë do të thoshte Rugova? Asokohe populli nuk pyetej. Ambasada nuk kishte në Prishtinë. Kryeministri dhe Presidentja nuk ishin në Rambuje. Tash kanë shkuar, sërish në kështjellë, në Bruksel. Të tradhtosh apo të mos tradhtosh vetveten, Hamlet?!

Nuk ka mbete tjetër, opozita duhet të formojë Qeverinë në Hije. Të mprehë lapsin dhe të deklarohet cilin opsion të tradhtisë do të nënshkruaj ajo, nëse bëhet pozitë. Nuk mjafton vetëm të thotë, “ne do të bëjmë të kundërtën”!

Në fakt, pyetja jetike për Kosovën nuk është se çfarë do të fitojmë ne, por ajo tjetra, pyetja më e famshme ballkanike: po komshiut a do ti ngordhë lopa? Kjo logjikë nuk është evropiane, por është historike gjithsesi.

Po sikur të ngordhë ... historia?/Pamfleti

vrasja e historisë në bruksel albin kurti opozita

Lini një Përgjigje

Editorial