TAGS-AT E JAVËS

Editorial 4 Mars 2023, 10:59

S'është fitore, është përgjegjësi!

Shkruar nga Nebil Çika
S'është fitore, është përgjegjësi!
Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj

 

Vendimi i Gjykatës ishte fundi i një përplasjeje me shumë se ligjore në PD por sigurisht i pamjaftueshëm për t’i dhënë fund krizës politike e morale të saj dhe krejt vendit.

Vendimi i Gjykatës së Apelit e ktheu legjitimitetin në PD, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërish fitore.

Duket se kreu në detyrë i PD Enkelejd Alibeaj ka qenë i qartë për atë që vjen pas, në mesazhin e tij të parë publik pas vendimit të Gjykatës së Apelit.

Ky vendim për legjitimitetin në PD duhet të kuptohet si përgjegjësi e madhe politike, që njëherazi kërkon edhe një angazhim më të madh të drejtuesve dhe strukturave të përgjegjshme të PD.

Vendimi i Gjykatës ishte fundi i një përplasjeje me shumë se ligjore në PD por sigurisht i pamjaftueshëm për t’i dhënë fund krizës politike e morale të saj dhe krejt vendit.

Tani "topi" është në fushën e drejtuesve legalë të PD që duhet të tregojnë se janë të aftë politikisht ta kthejnë këtë forcë politike në një alternativë elektorale të besueshme për shqiptarët, në mënyrë të veçantë për elektoratin e djathtë të cilin kanë pretenduar se kanë përfaqësuar por që në fakt e kanë mbajtur peng për 32 vite.

Në se PD do të bëhet një alternativë politike e besueshme dhe e aftë të marrë pushtetin duhet të reformohet thellë, në fakt duhet të kthehet përmbys duke u transformuar, duke u shndërruar nga një hile për të djathtën, në një forcë reale, një alternativë sipas modelit të grupimit politik evropian e ndërkombëtar në të cilën bën pjesë.

Drejtuesit legal të saj duhet ta udhëheqin atë drejt reformimit në një forcë politike që mbart interesat e elektoratit që përfaqëson por edhe të shumicës së shqiptarëve.

Transformimi filozofik, politik dhe elektoral në një forcë të mirëfilltë të djathtë është e vetmja rrugë në dispozicion të mbijetesës së saj në politikën shqiptare.

Kriza që kaloi ishte e pa shmangshme dhe e domosdoshme pasi ndau e qartësoi shumë gjëra në PD.

Ndau ideologjitë,  filozofinë, mentalitetin dhe interesat e individëve dhe grupeve që e drejtonin dhe e përfaqësonin deri tani atë duke nxjerrë në pah edhe problemet e gjërat që duhen ndryshuar e rregulluar si parakushte të mbijetesës elektorale.

PD, nuk ka nevojë të shpikë.

Të tjera vende të zhvilluara e parti të ngjashme të tyre,  kanë pasur përvojat e modelet e suksesit në politikë, të cilat mund të merren e të përshtaten me kushtet e Shqipërisë.

Vetëm ndarja juridike e fizike me modelin politik komunist dhe berishist, nuk mjafton.

Mbi supe të lidershipit legal të PD rëndon pesha e ndryshimit rrënjësor si e vetmja rrugë shpëtimi për të.

Jo vetëm demokratët dhe të djathtët por edhe shumica e shqiptarëve janë sot sy e veshë tek ata.

Çfarë dhe si janë ata të aftë të bëjnë ndryshe nga Berisha dhe modeli i tij politik?

Kjo është pyetja që kërkon përgjigje urgjente, jo me retorikë por me veprime e me vendime konkrete politike.

Shqiptarët kanë një problem historik e aktual me të djathtën, me konservatorizmin si filozofi e alternativë politike. Që nga viti 1939 nuk e dinë, nuk e kanë provuar dot atë ç’është dhe çfarë të mirash sjell.

U është mohuar, herë me dhunë e herë me mashtrim. Po arritën ta provojnë një herë të djathtën në qeverisje nuk kanë për të hequr dorë më prej sajë. Shembujt se si të djathtët konservatorë, kanë ndryshuar për mirë botën dhe vendet e tyre janë të shumtë. Prandaj është detyrë historike, ndërtimi i një alternative politike të tillë dhe për këtë shansin dhe përgjegjësinë historike e kanë drejtuesit  legal të PD, jo vetëm për shqiptarët, por në radhë të parë për vete. Kjo është e vetmja rrugë e mbijetesës së tyre politike.

E majta në Shqipëri është e mbingopur, e degraduar dhe e diskretituar politikisht dhe moralisht.

Ka vazhduar të sundojë e të mbijetojë në këtë vend, për shkak të mos pasjes apo mos lejimit të një alternative politike të djathtë të vërtetë e të sinqertë.

Në këto kushte shqiptarët me të drejtë nuk e kanë bërë e nuk e bëjnë dot dallimin midis alternativave politike në dispozicion, se në fakt ndryshimi ka qenë shumë i vogël apo me keq, nuk ka pas ndryshim fare.

Se në finale ato kanë qenë bashkë, e njëjta gjë, e kanë punuar për një qëllim: Mbajtjen peng të pushtetit nga komunistët, e thënë ndryshe KATOVICA. 

Çështja është a do ta bëjnë dot?

Sigurisht që nuk është e lehtë, por shanset dhe mundësitë janë. Mjaftojnë vetëm qartësia politike, vullneti dhe rregullat e funksionimit të një force e alternative politike konservatore për t’ia dalë?

Sigurisht që kjo nuk do të shkojë vaj pasi përballë ke një  një oligarki komuniste e antishqiptare që ndjehet e kërcënuar prej këtij zbulimi e  ndryshimi historik. Reagimet e deritanishme të saj "në bllok" kundër ndryshimit flasin vetë. Por kjo nuk varet nga ata por nga ajo se çfarë kanë ndërmend të bëjnë këta të tjerët. 

‘Zaret’ janë hedhur dhe kjo nuk është lojë por një betejë, historike e aktuale, të cilës duhet t’i prijnë ata që Zoti dhe historia i ka nxjerrë sot në fushëbetejë.

Nuk pres që këtë ta kuptojnë e ta marrin përsipër shumë prej atyre që përfshijnë sot zyrtarisht PD, por mendoj që midis tyre ka individë të spikatur që arrijnë ta kuptojnë  rëndësinë historike të qenies së tyre në ato vende politike e publike. Prej tyre pritet e kërkohet, vetëm të përcaktojnë rregullat dhe modelet.

Shqipëria, e djathta, ka gra e burra të aftë ta kryejnë këtë mision; ajo që ka munguar deri tani është mundësia, më shumë se politike, për ta nisur e realizuar këtë./Pamfleti

nebil Çika vula vendimi i gjykatës fitore përgjegjësi

Lini një Përgjigje

Editorial