Paralelja e rrezikshme mes Tiranës dhe Beogradit: Kur pushteti personalizohet dhe diplomacia kthehet në mjet mbijetese politike...
Sot në të përditshmen serbe ‘Danas’ u përdor metafora “Posle mene, potop” (Pas meje përmbytja), duke iu referuar politikës së Presidentit Vuçiç. Në Tiranë kjo filozofi po merr një formë më të heshtur, por jo më pak të rrezikshme: “Pas meje, përmbytja”. Jo në kuptimin e rrënimit fizik, por në degradimin gradual të standardeve, besimit institucional dhe kredibilitetit ndërkombëtar.
Modeli është i njohur në Ballkan. Në Beograd, nën drejtimin e Aleksandar Vuçiç, pushteti është personalizuar deri në pikën ku politika e jashtme shërben si instrument i mbijetesës së brendshme. Serbia luan me dy porta: Brukselin dhe Moskën. Rezultati? Negociata të zvarritura me BE-në dhe një reputacion i dyzuar që e mban vendin në një gjendje pezullimi strategjik.
Në Tiranë, nën drejtimin e Edi Rama, narrativa është tjetër: Shqipëria është 100% e harmonizuar me perëndimin, anëtare e NATO dhe formalisht në trajektore integrimi. Por problemi nuk është deklarata zyrtare; është konsistenca e mesazhit. Çdo lëvizje që krijon perceptim ambiguiteti, qoftë pjesëmarrje në forume me arkitekturë politike të paqartë, qoftë retorikë që relativizon partneritetet, e vendos Shqipërinë në një zonë gri që nuk i shkon për shtat një vendi kandidat.
Paralelizmi mes Tiranës dhe Beogradit nuk qëndron në orientimin formal, por në stilin e qeverisjes: përqendrim i pushtetit, dobësim i balancave institucionale, polarizim i brendshëm dhe përdorim i diplomacisë për konsum të brendshëm politik. Në Serbi, kjo strategji është bërë doktrinë. Në Shqipëri, rrezikon të kthehet në zakon.
“Pas meje, përmbytja” nuk do të thotë domosdoshmërisht rrënim ekonomik i menjëhershëm. Do të thotë erozion i ngadaltë: emigrim i vazhdueshëm, mosbesim ndaj institucioneve, kapje e administratës, dobësim i debatit parlamentar. Do të thotë që projekti europian të përdoret si mburojë retorike, ndërsa standardet europiane të aplikohen selektivisht.
Dallimi thelbësor është se Serbia e ka luksin gjeopolitik të balancimit për shkak të peshës së saj dhe çështjes së Kosovës. Shqipëria nuk e ka. Tirana nuk mund të luajë me ekuivoke strategjike, sepse kapitali i saj kryesor ndërkombëtar është pikërisht besueshmëria si partner i palëkundur perëndimor.
Nëse Beogradi e përdor ambiguitetin si kartë presioni, Tirana rrezikon ta përdorë si mjet improvizimi. Dhe improvizimi në diplomaci paguhet me kohë të humbur në negociata, me skepticizëm në kryeqytetet e Evropës dhe me zbehje të rolit rajonal.
Në fund, pyetja është e thjeshtë: a po ndërtohet një shtet që do të funksionojë edhe pas largimit të liderit aktual, apo një sistem që mbahet në këmbë nga figura e tij? Historia ballkanike tregon se modeli i dytë prodhon vakum, jo stabilitet.
Nëse Serbia rrezikon qëndrimin në vend për shkak të balancimit të saj të përhershëm, Shqipëria rrezikon rrëshqitjen për shkak të vetëkënaqësisë. Dhe në të dy rastet, kostoja nuk është personale për liderët; është kombëtare./Pamfleti
Shënim: *Après moi, le deluge (Pas meje, Përmbytja) shprehja në frëngjisht i atribuohet mbretit Louis XV
Se shpejti... "A horse, a horse...My kingdom for a horse.."