Kristaqi, për hire të së vërtetës ka qenë një burrë shumë i mirë, por (mos i ardhtë rëndë); ça ta bën fëmija, nuk ta bën as Perëndia
Edi Rama, u irritua nga një resort në Gjirin e Lalzit, për bllokimin nga Gjykata kundër Krimit dhe Korrupsionit të një prone që qeveria e kishte dhënë për objekt turistik.
E në këtë delir, Rama, paralajmëroi dhënien e ishullit të Sazanit për dhëndrin e Donald Trump, e sipas gjasave edhe disa investitorëve të tjerë. Për të cilët thuhet të jenë sauditë, pjesë e grupit që investon edhe projektin e Jared Kuschner.
Para një jave, Rama priti në Pallatin e Brigadave, një “batalion” sheikësh, ardhur nga gadishulli arabik, të cilëve u ka dhënë një ofertë ku mund t’i investojnë petrodollarët që i kanë të palosura në banka aziatike e në dyshekët e shkretëtirës.
GJKKO me vendimin e bllokimit të bazës së Limionit në Sarandë, nuk ka bërë vetëm bllokimin e pronës në fjalë, por ka imponuar një precedent, që asnjë organ ekzekutiv, qoftë edhe Këshilli i Ministrave nuk e ka mundësinë apo të drejtën ligjore për të ofruar prona ndaj atyre që kryeministri e sheh të arsyeshme.
Sepse pronat e ushtrisë, nuk janë as tokat e Kristaqit të Edit, e as të mamasë së Oltës e Niko Peleshit. Janë asete kombëtare shqiptare, të cilat, sipas Kushtetutës së Republikës as nuk shiten as nuk blihen në Pazar.
Me vendimin e GJKKO-së, sipas gjasave, edhe afera e dhëndrit të Trump, apo edhe të tjera allishverishe të Bablokut me ‘sheikë e turgutë’, nuk ka burrë nëne, as zyrtar komisionesh tenderimi që të firmosë këtë apo atë akt.
Ngaqë sipas Gjykatës, çdo forcë që është pjesë e Ushtrisë Shqiptare, nuk do të mundet të jepet për përdorim civil, vetëm nëse hiqet nga plani operacional i Forcave të Armatosura.
Rama, këtë presion të rëndë dhe totalisht antikushtetues, madje i dënueshëm penalisht, e bën para vendimit të rigjykimit të kësaj çështje, pasi akti i konfiskimit është miratuar edhe nga Gjykata e Lartë, gjë që e ka betonuar çështjen.
Edi Rama, qeveria, apo një dikaster, mund të ketë idenë që të pranojë një plan zhvillimi në prona që aktualisht i administron një institucion shtetëror, por për këtë duhet folur, duket bindur, e në radhë të parë duhen zbatuar ligjet.
Kushtetuta e përcakton qartë të drejtën ligjore të përdorimit të aseteve kombëtare, madje më specifikisht ato të Forcave të Armatosura. Për lëvizjen e tyre do të duhet ose një vendim i Shtabit të Përgjithshëm, firmosur nga Kryekomandanti që është Presidenti i Republikës, ose me një ligj të posaçëm të Kuvendit që kërkon 2 të tretat e votave.
Por Edi Rama, asnjë transferim fondesh apo pronash nuk i ka bërë me ligj, pasi do të duhet debat publik, do të duhet të përballet me një opinion, që nuk ja lejon një kryeministri që të trajtojë pronat kombëtare si tokat e babait.
A nuk është sot nën hetim Sali Berisha për trajtimin e territorit të klubit Partizani, si troje të familjes së tij, e ja dha dhëndrit?
Rama thotë, se ata nuk transferohen por jepen për zhvillim. OK, Le të zbatojë procedurën ligjore, dhe çdo gjë është në rregull.
Mali i Zi, bazën e vjetër ushtarake së bashku me aerodromin e Tivatit, e ka kthyer në një zonë xhevahir turizmi, por i gjithë ky proces ka shteruar debatin publik, e i është përgjigjur pyetjeve që vinin nga shoqëria, partitë, grupet e interesit. Në fund ka vendosur Parlamenti.
Problemi i madh i Bablokut, ka nisur që me vijimin e metodës berishjane të trajtimit të Flotës Detare, ku për vite e vite vijoi të emërojë “Kambalet” në krye të saj, duke shmangur admiralët e kapitenët.
Kjo është parë qartë, sepse përgjithësisht oficerët e Flotës Luftarake Detare nuk kanë pranuar që të firmosin transferimet e pronave. Dhe kanë marrë si ndëshkim lirimin apo edhe shkarkimin nga detyra.
Nëse Edi Rama, mendon që Sazanin ta kthejë në një zonë turistike, duhet ta bindë opinionin, Presidentin, Parlamentin, e madje edhe opozitën, duke ju folur hapur për përfitimet e vendit, por jo të individëve. Madje edhe pasi të merret vendimi, të hidhet në ankand. Ndryshe, thjesht shkel ligjin./Pamfleti
Lini një Përgjigje