Editorial19 Shkurt 2024, 10:26

Biden, Trump dhe Amerika që nuk po na frymëzon më

Shkruar nga Andrea Malaguti
Biden, Trump dhe Amerika që nuk po na frymëzon më
Donald Trump, Joe Biden dhe Barack Obama /

Nuk është një detaj sentimentalo-psikiatrik, por pyetja më domethënëse dhe më me vlerë politike sot, që edhe The Economist i kushton titullin: “A janë ende të domosdoshme për botën Shtetet e Bashkuara?”

“Po ne mundemi. Asgjë nuk mund t'i rezistojë fuqisë së miliona zërave që kërkojnë ndryshim” - Barack Obama

Në rregull, por çfarë ndodh nëse miliona zëra kërkojnë gjëra të ndryshme? Çfarë përgjigje jep demokracia amerikane teksa pret me ankth që t'i (ri)besojë edhe njëherë Joe Biden apo Donald Trump? Dhe në varësi të këtyre përgjigjeve, çfarë ndodh me Evropën e çorientuar, pa udhëheqës, pa një vizion të përbashkët dhe të asfiksuar nga nacionalizmat gjithnjë e më ekstremë, që janë të destinuara ta zgjerojë ndjeshëm praninë e tyre në Bruksel?

Fjalimi i Barack Obamës më 8 janar 2008 pas zgjedhjeve paraprake në New Hampshire, mbartte diçka të pa rezistueshme. Një madhështi që ngjiste. Ëndrra e Madhe Amerikane. Moton emocionuese “S'ka rëndësi kush je apo nga vjen, t'i mund t'ia dalësh”, e cila kishte mbushur kokat e gjithë botës së qytetëruar për gati dy shekuj e gjysmë, por që nisi ta humbë joshjen dhe peshën me fillimin e mijëvjeçarit të tretë.

Yes We Can. Po, ne mundemi. Përditësimi bashkëkohor i Deklaratës së Pavarësisë së 4 korrikut 1776. E mbani mend? Të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe ndër të drejtat e tyre të patjetërsueshme janë Jeta, Liria dhe Lumturia. Kolona zanore e pavetëdijshme dhe qetësuese e ekzistencës sonë, një film hollivudian që e ka magjepsur Kontinentin e Vjetër që nga periudha e pasluftës: progresistë dhe liberalë, konservatorë dhe demokratë, të magjepsur, herë pas here, nga Kennedy dhe Clinton, nga Nixon, Reagan deri tek Bush.

Një formë e dehjes kolektive, që me sa duket arriti në pikën fundore, ndërsa 80-vjeçarë problematikë për arsye të ndryshme po garojnë për Shtëpinë e Bardhë, duke na shtyrë të gjithëve në rrugën drejt rënies së Perëndimit. Problemi është se Amerika ka pushuar befas së frymëzuari, dhe ne, pasi e humbëm yllin udhërrëfyes të sigurive tona mediokre, nuk dimë më ku të kthejmë kokën.

Nuk është një detaj sentimentalo-psikiatrik, por pyetja më domethënëse dhe më me vlerë politike sot, që edhe The Economist i kushton titullin: “A janë ende të domosdoshme për botën Shtetet e Bashkuara?”. Vetëm ta mendoje këtë 10 vite më parë, do të ishte një herezi.

Sot është një pyetje tejet legjitime, e cila nxit gjithsesi të paktën dy të tjera. Në valsin e madh të aleancave globale shpëtimtare, ne preferojmë Trump apo Biden? Putinin dhe Kinën apo neo-feudalizmin dixhital të trilionerëve si Musk, Zuckerberg, Gates dhe Bezos?

E gjitha ka lidhje, dhe ja sesi. Amerika voton pas 9 muajsh. Dy kandidatë. Ne bëjmë tifo për Biden, jo nga pasioni, por bazuar tek llogaritë tona. Trump do të ishte një katastrofë e  rrezikshme. Unë nuk isha plotësisht i sigurt. Më pas bisedova me ambasadorin Stefano Stefanini (kolumnisti ynë, njohës i thellë i SHBA-së, Rusisë dhe NATO-s) dhe arrita në këtë përfundim, me disa rezerva.

Bazat ekonomike janë të mira. Biden bëri një punë më të mirë se Obama. PBB-ja u rrit me 3.1 për qind, papunësia po bie. Besimi i konsumatorëve nuk ka qenë kurrë më i lartë që nga viti 1991. Sistemi po qëndron në këmbë. Me të dhëna të tilla, zakonisht një lider duhet të fitojë.

Por këtë herë historia është ndryshe. Biden është “një burrë empatik, i hutuar, i moshuar dhe që nuk e mban mend as datën e vdekjes së djalit të tij Beau”. Kështu thuhet zyrtarisht në një hetim të Robert Hur, këshilltari i posaçëm që u angazhua të analizojë sjelljen e presidentit për një sërë akuzash që lidhen me sigurinë kombëtare, nga të cilat Biden u shfajësua.

Pra diskutim i sinqertë, por i brishtë. Shumë e brishtë. Një mesazh që mbërriti qartë dhe zëshëm në kokën e çdo qytetari të SHBA-së, deri në pikë sa ta detyronte vetë Biden të dilte enkas në një konference për mediat për të mbrojtur publikisht dinjitetin dhe kujtesën e tij, në një fjalim epik dhe krenar, në të cilin ai përfundoi duke ngatërruar presidentin meksikan, Obrador, me atë egjiptian Al-Sisi, gafa e fundit në një seri fatkeqe dhe shumë të njohur të përhumbjeve të tilla.

A mundet një zotëri në këto kushte të sundojë më të fuqishmen e demokracive perëndimore? Republikanët po bëjnë thirrje për shkarkimin e tij bazuar në Amendamentit të 25-të, ndërsa 76 për qind e amerikanëve janë të shqetësuar mbi shëndetin e tij. Morali?

Demokratët do të vazhdojnë të këmbëngulin tek ai, duke shpresuar që ndoshta në marsin e vitit tjetër, pasi të ketë arritur rizgjedhjen, ai do të ndjekë shembullin e Johnson dhe të largohet vetë. 100 guvernatorë janë aty të rreshtuar, gati për të zënë vendin e tij. Mundësia që të ndodhë diçka e tillë?

Protagonisti i dytë i këtij romani tragjik, 77-vjeçari Donald John Trump, i aftë për t’u paraqitur sërish si Shpëtimtar, pavarësisht akuzave shumë të forta se udhëhoqi revoltën në Capitol Hill. Një stigmë që do të kishte rrënuar vullnetin, shpresat dhe karrierën e çdo qenieje tjetër njerëzore në tokë.

Se si është e mundur që kjo të mos ndodhë me Trumpin, shpjegohet mirë nga një raport i Wall Street Journal: “Amerikanët kanë frikë për sigurinë e tyre financiare afatgjatë, dhe ndjehen të pambrojtur ndaj kërcënimeve të shumta sociale dhe politike (...), luftërat jashtë vendit dhe një grup kombesh armiqësore po përcjellin ndjenjën se bota është e rrezikshme”. Dhe kundër një bote të rrezikshme, është e nevojshme të mbështetet me nxitim tek proteksionisti i diskutueshëm, izolacionist dhe ndalues, Donald Trump. Njeriu, të cilin mosha më e thyer e Biden duket se e favorizon. Njeriu që nuk e do Evropën, përveçse kur dëshmohet si vasale, njeriu që ka bërë një pakt cinik me Vladimir Putinin, siç tregohet nga intervista e turpshme e ish-prezantuesit të Trumpian Fox, Tucker Carlson, me Carin.

“Një idiot i dobishëm që u asfaltua nga Putin”- shkruante media amerikan. Carlson e lejoi autokratin e Moskës të thoshte pa e kundërshtuar fjali të tilla: “Hitleri u detyrua të pushtonte Poloninë, sepse polakët refuzuan të arrinin një marrëveshje me të”.

Një bisedë e pakëndshme dhe surreale, që megjithatë, nënvizon edhe një herë lidhjen midis Kremlinit dhe botës MAGA (ithtarët Trumpianë të motos ‘Make America Great Again’) duke vërtetuar se Putini nuk ka asnjë shqetësim në raport me Evropën, duke e konsideruar NATO-n një zgjatim të drejtpërdrejtë të Uashingtonit.

I dashur Donald, le ta zgjidhim këtë çështje, ti dhe unë. “Cuius commoda eius et incommoda”, thoshin latinët për pakte të tilla: “Cilido që përfiton nga një situatë duhet të mbajë edhe barrën e saj”. Veçse në këtë rast barra e një pakti të ri Putin-Trump, do të binte mbi të gjitha tek Evropa e përçarë, me në krye Italinë e Giorgia Melonit.

Çfarë do të ndodhte me pro-atlantizmin tonë absolut? Cilit shenjtor të ri do t’i besojmë? Një enigmë e ndërlikuar për këdo. Dhe kalojmë tek poli i tretë i “trekëndëshit” të telasheve që po përjeton sot SHBA. Atë ma ka treguar Guido Brera, shkrimtar, financier, botues etj., me të cilin bisedoj sa herë që dua të kuptoj si duhet të tashmen, por akoma më tepër të ardhmen.

Këtu përfshihen Elon Musk dhe korporatat dixhitale (nga Apple tek Microsoft, nga Alphabet tek Amazon) që nuk e gjejnë më naftën nën tokë, por nxjerrin fitime marramendëse nga dëshirat, shijet, aspiratat dhe tendencat konsumuese të burrave dhe grave, që të hipnotizuar nga dritat artificiale të horizontit të ri të mrekullueshëm, të cilat janë të afta të premtojnë deri edhe jetën e përjetshme, i lejojnë vetes të humbasin të dhënat e tyre, duke ndihmuar në mbushjen e kasafortës së pafundme të Priftërinjve Miliarderë.

Një oligarki shumë e vogël, e mbuluar me ar dhe ndere, që çuditërisht banon në të njëjtin cep të planetit, e bindur se qeveria më e mirë e mundshme është ajo që nuk qeveris fare. Ndërkohë ne evropianët, me butësi, marrëzi dhe të shpërqendruar, flasim për gjithçka përveçse jo për nevojën urgjente për t’i dhënë vetes rregulla të qarta, radikale, të shpejta dhe të përbashkëta, për t'i bërë ballë ndikimit të një ndryshimi të destinuar të na zhdukë.

Unë kam frikë se Alain Deneault ka të drejtë kur thotë: “Fuqitë ekzistuese nuk e dënojnë sjelljen mediokre, përkundrazi ato e bëjnë atë të pashmangshme”. Në një shoqëri të mësuar të shfrytëzojë reflektimet e saj në fazën e paramendimit, që të mos ketë nevojë për t’i shtjelluar ato, ka nevojë për një zgjim kolektiv. Dhe kjo le të nisë nga një pyetje e pashmangshme: Ndërsa ne jemi bindshëm me Shtetet e Bashkuara, ata me cilët janë? Po ne mundemi. Por vetëm nëse fillojmë të frymëzojmë vetveten./ Përshtati Pamfleti nga “La Stampa”

biden trump amerika