Editorial14 Qershor 2024, 11:10

Dinastitë që kanë në dorë Partinë Socialiste

Shkruar nga Pamfleti
Dinastitë që kanë në dorë Partinë Socialiste
Edi Rama dhe Gramoz Ruçi /

 

Ardhja e këtij klani me kuç e me maç, i jep  formë një dinastie, ku të tjerët që mund të ushqejnë ambicje, duhet ta harrojnë...

Partia Socialiste e Edi Ramës, është një organizatë pa asnjë rregull politik, përveç strukturës piramidale dhe riteve të fshehta e jashtë institucionale.

Në PS sot, nuk ka një diskutim normal, pasi të gjithë e dinë se kush flet nuk llogaritet, por shënjestrohet. Kush kërkon të bëhet i njohur, konsiderohet më keq se në komunizëm, karrierist ose i çmendur.

Mjafton të shohësh festimet e 33 vjetorit të PS-së për të parë se kush janë klanet që e drejtojnë.

Edi Rama siç dihet u ka dhënë pushtet disa klaneve të fuqishme ekonomike dhe të nëntokës në pushtet që nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Socialiste. Të cilët kanë akses në qeveri, ministri, kadastra e institucione të tjera.

Por nga PS-ja, njeriu që ka realisht pushtetin më të rëndësishëm është pikërisht njeriu që 2 vjet më parë hoqi dorë vetëm de jure.

E ky është Gramoz Ruçi. Patriarku politik i së ashtuquajturës Zonë e Parë Operative; nga Fieri e deri në Sarandë.

Ruçi, edhe pse nuk është më numri dy në PS në aspektin oranizativ, politikisht nuk është larguar asnjëherë nga ky rol. Ndaj edhe dje ishte violina e parë e deklaratave politike.

Ku me vete kishte marrë të gjithë klanin e tij që është shumë i afërt dhe familjar, e që kontrollon fijet ngado.

Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha, i cili duhet thënë se është një pinjoll i një familje të njohur në qytet, është familjar i afërt i Gramoz Ruçit. Vëllai i kryebashkiakut të Vlorës është i martuar me vajzën e Ruçit, dhe ardhja e tij ka pasur lobimin e fortë të patriarkut. E kjo u pa edhe në qëndrimin si një lob, ku nuk mungonin disa breza familjarësh. Një tjetër njeri i Ruçit në Vlorë është ish-deputeti Mezan Malaj. Një personazh tipik i prapaskenës politike të Vlorës dhe Labërisë, që lëviz fijet dhe mban pushtetin. Ardhja e këtij klani me kuç e me maç, i jep  formë një dinastie, ku të tjerët që mund të ushqejnë ambicje, duhet ta harrojnë.

E këta ishin njerëzit e përkëdhelur të Ramës, i cili qeveris tipik me një metodë alla otomane, me principata. Ku në çdo rajon ka subashët e tij. E si për ironi të fatit kryebashkiaku i Fierit, një nga bashkitë më të mëdha në vend ka pikërisht këtë mbiemër.

Por nuk është vetëm Zona e Parë Operative në dorën e dinastive antike socialiste. Është edhe Gjirokastra, Përmeti, Korça mbi të gjitha, e cila varet nga Niko Peleshi.

I cili kur vdiq liriku i madh Skënder Rusi, botoi një poezi të Dritëroit, duke e shitur si e Skënderit.

Për të vdekurin nuk flitet keq, është tradita jonë. Në Elbasan sot përcollën Lalën, Qazim Sejdinin, i cili ndërroi jetë pikërisht ditën e themelimit të PS-së. Gojët e Liga thonë që u shpall pikërisht më 12 qershor se kishte vdekur një ditë më parë.

E Lala është dinastia që ka PS-në e Elbasanit, ku pas vdekjes së tij e kanë marrë lidhjet e krushqisë e klaneve të dhëndurëve të rahmetliut. Pak më poshtë në Peqin, mbretëron Qifja, i cili ka deputet djalin dhe nipin. Durrësi e Kruja mos e nga se shkojmë te Rrajat.

Po ashtu në Dibër, Kukës, Tropojë, Malësi të Madhe e në Shkodër me Tom Doshin. I cili po merr me një ofensivë të fortë të gjithë drejtoritë që i ishin hequr.

Po Tirana? Kryqyteti ku PS ka arritur fitoret më të mëdha, madje edhe më të mëdha se Edi Rama kur ishte në krye të bashkisë? Është këtu që Rama nuk po lejon një avancim politik jo vetëm të Erion Veliajt, i cili sot është një makinë e frikshme elektorale, por po tenton ta bllokojë e ndalojë, që të mos e faktorizojë. Sepse gjasat janë se ka menduar për një dinasti tjetër që do të qeverisë kryeqytetin. Gjithmonë sipas modelit otoman./Pamfleti

dinastitë partia socialiste