Ndërsa Vuçiç përplaset me Parlamentin Evropian dhe Rama kërkon strehë në diplomacinë e kapitalit, Ballkani rrezikon të ngatërrojë investimet me strategjinë dhe alternativat me iluzionin...
Përplasja e fundit mes Beogradit dhe Parlamentit Evropian, e artikuluar publikisht përmes deklaratave përçmuese të Aleksandar Vuçiç ndaj delegacionit të eurodeputetëve dhe raportuesit për Serbinë, nuk është thjesht një episod retorik i radhës në marrëdhëniet e tendosura Serbi–BE. Ajo përfaqëson një moment kulmor të një procesi më të gjatë distancimi politik, ku autoritetet serbe po e trajtojnë gjithnjë e më shumë Bashkimin Evropian si një aktor kritikues dhe jo si projekt strategjik.
Parlamenti Evropian, me gjithë kufizimet e tij ekzekutive, mbetet institucioni që artikulon më qartë shqetësimet për demokracinë, sundimin e ligjit dhe orientimin gjeopolitik të vendeve kandidate; për këtë arsye, refuzimi simbolik për ta takuar apo delegjitimimi publik i tij është në vetvete një refuzim i logjikës së procesit të integrimit.
Në këtë sfond, nuk është e rastësishme që Vuçiç, paralelisht me këtë përplasje, zgjedh të jetë në Abu Dhabi, ashtu si edhe Edi Rama. Prania e dy liderëve ballkanikë në të njëjtën hapësirë diplomatike jashtë Evropës dërgon një mesazh të qartë politik: kërkimin e alternativave, ose të paktën të perceptimit të alternativave, ndaj Brukselit.
Emiratet e Bashkuara Arabe janë shndërruar vitet e fundit në një platformë tërheqëse për liderët e rajonit, sepse ofrojnë investime, marrëveshje të shpejta dhe një diplomaci ekonomike që nuk shoqërohet me kushte politike, raporte kritike apo kërkesa për reforma strukturore. Pikërisht këtu qëndron edhe thelbi i problemit strategjik.
Afërsia me Emiratet, dhe në një masë më të kufizuar edhe dialogu me Arabinë Saudite, krijon një iluzion manovrimi gjeopolitik, por jo një alternativë reale. Këta partnerë nuk ofrojnë integrim institucional, garanci demokratike apo ankorim afatgjatë në një rend politik që prodhon stabilitet. Ata ofrojnë kapital, ndikim dhe marrëdhënie bilaterale, të cilat mund të jenë të dobishme në afat të shkurtër, por nuk zëvendësojnë arkitekturën politike dhe ekonomike që ofron Bashkimi Evropian. Për Serbinë, kjo qasje rrezikon të thellojë izolimin gradual nga procesi evropian, duke e zhvendosur vendin në një zonë gri ku balancimi mes Perëndimit dhe aktorëve të tjerë shndërrohet në qëllim në vetvete. Për Shqipërinë, rreziku është më i rafinuar, por jo më i vogël: perceptimi i një politike të jashtme që ndjek kapitalin dhe oportunitetin momental, më shumë sesa një bosht të qartë strategjik euroatlantik.
Në thelb, tensioni mes Serbisë dhe Parlamentit Evropian dhe paralelisht intensifikimi i diplomacisë së Ballkanit drejt Gjirit nuk janë zhvillime të ndara. Ato janë dy faqe të së njëjtës prirje: lodhja nga kushtëzimi evropian dhe tundimi për ta relativizuar atë përmes partnerëve që nuk kërkojnë reforma, por ofrojnë marrëveshje. Problemi është se kjo strategji, sado e kuptueshme politikisht në afat të shkurtër, është e gabuar në plan afatgjatë. Ajo dobëson besueshmërinë evropiane të vendeve të rajonit, e shtyn Ballkanin drejt një pluralizmi aleancash pa bosht vlerash dhe i lë shoqëritë peng të vendimmarrjeve të centralizuara, larg kontrollit demokratik.
Në një lexim diplomatik, por realist, Emiratet dhe Arabia Saudite mund të jenë partnerë ekonomikë të dobishëm, por jo shtylla strategjike. Bashkimi Evropian, me gjithë krizat dhe ngadalësitë e tij, mbetet i vetmi projekt që ofron transformim institucional dhe stabilitet afatgjatë për Ballkanin. Çdo përpjekje për ta zëvendësuar këtë realitet me iluzionin e alternativave të shpejta rrezikon të thellojë paqartësinë strategjike të rajonit dhe të prodhojë më shumë varësi, dhe më pak sovranitet./Pamfleti
Lini një Përgjigje