TAGS-AT E JAVËS

Editorial 5 Gusht 2025, 10:36

Edi Rama, "kuçedra" e Veriut

Shkruar nga Pamfleti

Edi Rama, "kuçedra" e Veriut

Dështimi i përsëritur i rrugës Milot - Balldren, ndërsa miliona euro shtesë vazhdojnë të financojnë Palasën...

Në një kohë kur projektet infrastrukturore në veri të vendit vazhdojnë të dështojnë spektakolarisht, qeveria e kryeministrit Edi Rama nuk kursen asnjë qindarkë për të plotësuar "ëndrrat turistike" të jugut. Ankandi për rrugën strategjike Milot - Balldren ka dështuar përsëri, duke dëshmuar qartë se veriu mbetet në harresën e qëllimshme të financimeve qeveritare.

Ndërkohë, në jug, ku vëmendja financiare e Ramës duket se nuk njeh kufij, vetëm pak ditë më parë është akorduar një fond shtesë prej 7.1 milionë euro për rrugët lidhëse të tunelit të Llogarasë. Ky fond vjen përtej kostos astronomike prej 185 milionë eurosh që u shpenzuan për vetë tunelin, i cili tashmë ka përfunduar.

Kjo situatë ngre pikëpyetje serioze mbi transparencën dhe mënyrën e menaxhimit të fondeve publike, pasi sipas ekspertëve, këto investime shtesë ishin planifikuar dhe financuar që në kontratën fillestare të projektit.

Tenderi i shpallur në Buletinin e Prokurimeve Publike më 4 gusht 2025, i cili parashikon ndërtimin e një rruge vetëm 2.7 kilometra të gjatë që lidh tunelin e Llogarasë me zonën e Palasës, konsiderohet nga analistët si një "skandal" financiar. Shpenzimet e pajustifikuara, procedurat e errëta dhe prioritetet e dyshimta financiare dëshmojnë qartë diferencimin rajonal që po zbaton qeveria Rama.

Edi Rama, "kuçedra" e Veriut

Ndërsa në veri projektet infrastrukturore përballen me dështime dhe neglizhencë kronike, në jug, çdo kërkesë për fonde shtesë miratohet pa hezitim. Kjo politikë e dukshme diskriminuese ka sjellë jo vetëm polarizim të thellë ekonomik dhe social, por edhe irritim në rritje të komuniteteve veriore që vazhdojnë të presin në radhë për vëmendjen e qeverisë që i ka braktisur.

Ndërsa në veri projektet infrastrukturore janë lënë të privatizohen dhe qytetarët duhet të paguajnë për çdo kilometër, në jug rrugët ndërtohen me paratë e të gjithëve, duke e kthyer buxhetin e shtetit në një kartë krediti personale të kryeministrit dhe klientëve të tij. Ky diferencim i hapur rajonal ka nxitur irritimin dhe zemërimin e komuniteteve në veri, të cilët ndihen gjithnjë e më shumë të braktisur dhe të përdorur vetëm si burim për mbushjen e arkave të oligarkëve dhe "klientëve" të pushtetit./Pamfleti

kuçedra e veriut edi rama

Lini një Përgjigje