Si u rrëzua Orbani dhe pse Tirana duhet të mësojë nga Budapesti...
Fitorja e Peter Magyar në Hungari nuk erdhi nga rastësia, por nga një plan i menduar për të bashkuar opozitën, çmontuar sistemin klientelist dhe ndërtuar një alternativë të besueshme kundër autokracisë...
Disfata masive e Viktor Orbanit në zgjedhjet e djeshme të Hungarisë tani po shoqërohet me gëzimin dhe emocionet e një çlirimi të madh, kryesisht në Europën Perëndimore, por edhe në vende të tjera me prirje të ngjashme autokratike.
Krerët e Bashkimit Europian shpërthyen menjëherë në entuziazëm, sikur të ishin ata fituesit e vërtetë të zgjedhjeve në Hungari. Në realitet, Europa, përkatësisht Gjermania e kristiandemokratëve dhe Franca e Macronit, kanë pasur një peshë të rëndësishme.
Rezultati i djeshëm në Hungari nuk ishte aspak i lehtë dhe nuk u arrit vetëm me frymë apo me inat ndaj autokratit që kërkonte mandatin e pestë pas 16 vitesh pa ndërprerje në krye të vendit.
E gjithë ajo dramë që u përjetua buzë Danubit, nën këmbët e kështjellës së vjetër të Budës, është produkt i një projekti të hollë, të hartuar me kujdes, të ndjekur në çdo hap dhe me një vendosmëri drastike për ta fituar me çdo kusht.
Ndryshe, Viktor Orbani nuk do të humbiste, por do të qëndronte në pushtet, duke betonizuar edhe më shumë sistemin e tij autokratik.
Edhe në zgjedhjet e djeshme, TISZA e fituesit, Peter Magyar, që pritet të jetë kryeministri i ardhshëm, në numra realë, nuk e ka dërrmuar Fidesz-in e Viktor Orbanit. Sipas rezultateve përfundimtare, TISZA ka marrë 3 milionë e 100 mijë vota, ndërsa Fidesz-i i Orbanit 2 milionë e 500 mijë vota.
Ish-kryeministri, me sistemin që ka ngritur, ka arritur të krijojë një ushtri militantësh dhe klientësh përmes kalçifikimit të favoreve që jep pushteti.
Nëse opozita hungareze do të përsëriste gabimin që ka bërë edhe në zgjedhjet e tjera, duke hyrë e ndarë, secila do të dilte fituese relative më vete, ndërkohë që Orban do të vijonte të merrte shumicën e Parlamentit, si pasojë e sistemit elektoral që favorizon grupin fitues. Ky sistem nuk mjafton të fitohet vetëm proporcionalisht në masë, por kërkon fitore në çdo zonë elektorale ku deputetët zgjidhen në mënyrë mazhoritare.
Në Shqipëri, në çdo zgjedhje, që nga viti 2017 e deri më sot, Edi Rama nuk ka marrë votat e shumicës dërrmuese të shqiptarëve, por vetëm shumicën relative që i ka dhënë qeverinë.
Ndërkohë, Rama ka fituar thjesht sepse përballë ka pasur personazhe që nuk kanë arritur të bashkojnë të gjithë zgjedhësit që nuk e pëlqejnë autokratin tonë.
Në Hungari, plani fitues konsistoi në një lëvizje të menduar dhe të planifikuar me kujdes; jo duke zgjedhur si lider një “kreshnik” me aftësi të jashtëzakonshme, por një intelektual normal, i cili arriti të punonte mbi një plan të qartë për të bashkuar të gjithë opozitën.
Peter Magyar është realisht e kundërta e Viktor Orbanit, jo në qeverisje, sepse ende nuk ka nisur, por në historik dhe përfaqësim.
Magyar është 44 vjeç dhe përfaqëson gjeneratën e re të vendit, e cila është edhe kontestuesja më e madhe e regjimit. Ai është i shkolluar në Universitetin Katolik të Budapestit, i rezervuar për elitën, pjesë e së cilës është edhe vetë Magyar: gjyshi, një gazetar i njohur politik; babai, avokat i famshëm; dhe nëna, anëtare e Gjykatës së Lartë.
Me një fjalë, një “borgjez” i Budapestit, ndryshe nga “fshatari” i moshuar Orban, i cili pëlqehej nga popullsia rurale dhe nga grupmosha mbi 55 vjeç.
I shkolluar për jurisprudencë, avokat me profesion dhe ambicioz për të hyrë në politikë, ai dështoi të bënte karrierë në partinë e Viktor Orbanit, e më pas vendosi ta sfidonte.
Madje, duke u divorcuar edhe nga gruaja e tij, e cila ishte, as më pak e as më shumë, por ministre e Drejtësisë në regjimin e autokratit të Fidesz-it.
Për të fituar, Magyar kishte nevojë për armiqtë më të egër të Viktor Orbanit, të cilët nuk ndodheshin në Budapest, por në Bruksel, Berlin dhe Paris.
Në Bruksel, 44-vjeçari kishte punuar për tre vite si nëpunës në zyrat e mërzitshme të burokracisë së BE-së, ku nuk bëri dot karrierë, ndaj u kthye në atdhe. Me një intuitë të fortë, ai kontaktoi dhe zgjoi kërshëri të madhe te krerët e Brukselit, gjë që është shumë e vështirë, madje sfilitëse.
Në fakt, Magyar nuk u hap shumë në kryeqytetet europiane, por i besoi vetëm gjermanes që drejton qeverinë e BE-së, Ursula von der Leyen, e cila, siç mësohet, ka njoftuar vetëm një rreth të ngushtë njerëzish në Berlin, Paris, si dhe kancelari të tjera, duke bërë kujdes që të mos zgjonte aleatët e Orbanit në Itali, Francë dhe vendet e ish-Lindjes komuniste.
Magyar kishte, pra, gati planin e tij për të fituar mbi Orbanin, për të cilin mori mbështetjen e Von der Leyen-it e më pas të gjithë krerëve të Perëndimit.
Mbështetje që përkthehet politikisht, diplomatikisht, logjistikisht dhe natyrisht financiarisht.
Plani i Magyar për të fituar ishte i thjeshtë: ai nuk duhet të garonte me Orbanin duke hyrë në grackën e tij, përkatësisht duke zgjedhur kauzat liberale të majta europiane. Pasi Hungaria mbetet ende e infektuar nga propaganda sovraniste dhe populiste shumëvjeçare, si dhe nga një popullsi që jeton me traditën konservatore dhe kristiane-identitare të vendit.
Në Hungari nuk është se liberalët nuk ekzistojnë; përkundrazi, kjo botë sociale dhe politike është e madhe dhe shumëngjyrëshe. Sidomos në kryeqytet dhe në qendra të tjera të mëdha. Në gjeneratën e re, idetë dhe mënyra liberale e jetesës janë shumë të përhapura, por kjo nuk mjafton për të fituar.
Ndaj Magyar krijoi një grup unik politik, TISZA, që si emër ka lëvizjen e tij qytetare kundër regjimit të Orbanit, e cila në fillim u inaugurua si lëvizje proteste. Por brenda kësaj lëvizjeje janë të gjitha grupimet tradicionale anti-Orban, duke nisur nga socialistët e deri te partitë centriste proeuropiane.
Pasi bashkoi opozitën në një front, Magyar nisi udhëtimin e tij, duke denoncuar korrupsionin e Orbanit, duke shpallur qartazi veten si anti-Putin dhe proeuropian, por duke mbrojtur pozicionet konservatore dhe pragmatiste të shumicës së popullsisë rurale, siç janë patriotizmi dhe çështja e furnizimit me gaz rus.
Për këto çështje, Magyar ishte në një pozitë të afërt me Orbanin. Por ai është kritik i fortë i qëndrimit të Hungarisë kundër BE-së dhe pro Putinit. Magyar është për të negociuar si Europë për të blerë gazin rus, siç ka bërë Gjermania dhe shtete të tjera ndër vite, madje e bëjnë edhe sot.
Megjithatë, lëvizja më e rëndësishme dhe vendimtare e Magyar për të fituar ishte përzgjedhja e kandidatëve. Në Hungari, pjesa më e madhe e Parlamentit zgjidhet në mënyrë mazhoritare në çdo zonë. Prej një viti, Magyar sondoi çdo metër katror të vendit të tij, duke testuar kush ishin njerëzit me më shumë popullaritet në territor. Më pas, kandidatët garuan me primare të rregullta, zonë më zonë, për të marrë të drejtën e kandidimit për TISZA.
Me këtë proces, lideri i opozitës i kishte fituar zgjedhjet pa hyrë zyrtarisht në garë me Viktor Orbanin, pasi iu dëshmua popullit të tij se ai ishte antipodi dhe alternativa ndaj pushtetit të vjetër klientelist, nepotik dhe të korruptuar.
Ndaj kandidatët e opozitës arritën të fitojnë jo vetëm në Budapest, ku opozita i ka fituar gjithmonë zgjedhjet, madje edhe kreun e bashkisë e ka pasur rregullisht, por edhe në zonat rurale besnike ndaj Orbanit, si dhe te hungarezët që jetojnë në trojet e hershme në Sllovaki, Serbi, Rumani dhe Ukrainë, të cilët kanë qenë “ushtarë” të Fidesz-it.
Opozita ka arritur, me këtë plan, jo thjesht një fitore, por ka siguruar një shumicë prej dy të tretash të Parlamentit, e cila i lejon të përmbysë sistemin e vjetër të Orbanit.
Ndërkaq, në mënyrë që ky model të zbatohet edhe kundër Orbanit tonë, Edi Ramës, që nuk është ngopur edhe pse ka katër mandate, duhet një plan i qartë për ta zbërthyer dhe çmontuar sistemin kriminal e klientelist që ka ngritur.
Së pari, duhet një lider i besueshëm, jo antipatik, që ngjall shpresë dhe përfaqëson. Por ai nuk mjafton aspak, pasi duhet edhe një skuadër e gjerë kandidatësh që të kenë besimin e njerëzve në territor. Kushti që Magyar kishte për kandidatët ishte i thjeshtë: të jenë të “pasulmueshëm”, pra pa pika të dobëta përballë mazhorancës, me integritet dhe popullaritet në komunitet.
Këtë duhet të bëjë edhe opozita jonë, ku duhet thënë se përpjekjet e Europës, përkatësisht të Gjermanisë, për ta mbështetur po forcohen gjithnjë e më shumë. Por kjo duhet bërë tani, e jo me figurat e regjimit të vjetër, të cilët janë të paprezantueshëm në publik.
Për të rrëzuar Edi Ramën, antipodi i tij duhet gjetur tani dhe të provohet që në zgjedhjet vendore për Bashkinë e Tiranës. Ajo është edhe beteja bazë për të testuar gjithçka./Pamfleti
ju shikoni endrra ne diell
Bota eshte ne rrezik, jo nga Trapi por shumica e politikes Amerikane qe e vuri ne kolltuk. Kjo tregon pikepamjet fashiste te politikes se nje shteti. Bota eshte ne rrezik qe nuk po e kupton e kur te shtypet me tanke e te perfundoje ne kampe perqendrimi e tu marre gazi jeten do te jete vone ta kuptoje.