TAGS-AT E JAVËS

Editorial 9 Prill 2026, 11:21

Pse Giorgia i “lau duart” me Trumpin?

Shkruar nga Gjergj Zefi
Pse Giorgia i “lau duart” me Trumpin?
Donald Trump dhe Giorgia Meloni /

Kryeministrja italiane nuk u nda nga Trumpi prej parimeve, por nga frika se afërsia me të po i kthehej në dëm elektoral, ekonomik dhe diplomatik...

Giorgia Meloni nuk i “lau duart” me Donald Trumpin sepse u bë papritur më e urtë, më europiane apo më parimore. I ‘lau duart’ sepse kuptoi një rregull të vjetër të pushtetit: kur aleati fillon të të marrë më shumë sesa të jep, ai nuk është më aleat. Është barrë. Dhe Trumpi, për Melonin, nisi të kthehej pikërisht në këtë: një barrë politike me pasoja shumë konkrete për Italinë.

Për një kohë të gjatë, Meloni u shit si ura mes Europës dhe Trumpit. Ishte konservatorja “e pranueshme” për establishment-in, por njëkohësisht mjaftueshëm ideologjike për t’u kuptuar me të djathtën trumpiste. Ajo dukej si partnerja ideale: mjaftueshëm atlantiste për të mos trembur Brukselin, mjaftueshëm e djathtë për të mos bezdisur Uashingtonin republikan. Në letër, një formulë elegante. Në praktikë, një ekuacion që nisi të prishej sapo Trumpi e futi sërish Perëndimin në logjikën e krizës së përhershme.

Arsyeja e parë e ftohjes ishte lufta me Iranin. Kjo nuk ishte një krizë e largët që Italia mund ta komentonte me kujdes diplomatik dhe pastaj ta harronte. Për Romën, ajo preku nervin më të ndjeshëm: energjinë, Mesdheun, zinxhirët e furnizimit dhe sigurinë kombëtare. Prandaj Italia u distancua nga qasja amerikane, deri në pikën që refuzoi përdorimin e bazës së Sigonellas për operacione dhe përjashtoi patrullime në Ngushticën e Hormuzit pa mandat të OKB-së. Ky nuk ishte një gjest simbolik. Ishte mesazh politik: Meloni nuk donte më të identifikohej si zgjatim i Trumpit në Lindjen e Mesme.

Këtu hyn cinizmi i vërtetë i historisë. Meloni nuk u zmbraps sepse zbuloi papritur rrezikun e aventurizmit ushtarak. Këto gjëra dihen prej kohësh. U zmbraps sepse kriza filloi të prodhojë faturë për Italinë. Kur nafta, gazi, tregjet dhe bilanci publik fillojnë të dridhen, miqësitë ideologjike kthehen në luks. Dhe Italia nuk është në gjendje të financojë luksin politik të një presidenti, që sillet si komandant i botës, por nuk paguan asnjë faturë europiane.

Vetë Meloni i kërkoi BE-së të shqyrtojë pezullimin e përkohshëm të rregullave të deficitit nëse kriza me Iranin vazhdon, çka tregon se alarmi i saj nuk ishte propagandistik, por buxhetor.

Arsyeja e dytë është elektorale. Kjo është edhe më e thjeshtë, edhe më e pamëshirshme. Trumpi po bëhej toksik. Jo domosdoshmërisht për bazën e fortë ideologjike të Melonit, por për atë zonën gri që vendos zgjedhjet: votuesin e lodhur, pragmatistin, të moderuarin, të riun urban, sipërmarrësin që nuk do tronditje të tjera.

Reuters raportoi se humbja e Melonit në referendumin për drejtësinë u lexua edhe si pasojë e ekspozimit të saj pranë Trumpit në kulmin e luftës me Iranin. Pra, ajo e pa me sytë e vet se fotografia me Trumpin nuk po i sillte më autoritet; po i sillte kosto.

Ky është momenti kur një politikan i zgjuar nuk bën analizë morale. Bën llogari. Dhe llogaria ishte e qartë: sa më shumë që Trumpi zhvendosej drejt krizës, tarifave, sulmeve ndaj aleatëve dhe luftës së nervave me Europën, aq më shumë Meloni rrezikonte të dukej jo si lidere italiane, por si përkthyese e interesave të tij në Europë. Kjo është e padurueshme për çdo kryeministër që kërkon të mbijetojë. Italia mund të jetë aleate e SHBA-së; por Meloni nuk mund të pranojë të shihet si vartëse politike e Shtëpisë së Bardhë.

Arsyeja e tretë është europiane. Meloni e kuptoi se era në kontinent kishte ndryshuar. Edhe e djathta europiane, ajo që dikur e shihte Trumpin si markë force, nisi të distancohej. Lufta me Iranin ka thelluar çarjet mes Trumpit dhe nacionalistëve europianë që dikur konsideroheshin aleatët e tij natyralë. Pra, problemi nuk është më vetëm italian. Është kontinental. Trumpi po bëhej i vështirë për t’u mbrojtur edhe nga ata që dje e përdornin si flamur ideologjik. Kur një markë nis të të dëmtojë në treg, e heq nga vitrina. Meloni këtë bëri.

Në thelb, ajo nuk i ‘lau duart’ me Donaldin sepse ndryshoi botëkuptim. Nuk pati ndonjë dramë filozofike në Palazzo Chigi. Nuk u zgjua një mëngjes dhe tha se multilateralizmi është i bukur dhe trumpizmi i rrezikshëm. Këto janë zbukurime për konsum publik. Ajo kuptoi diçka më primitive, por më reale: Trumpi po i rrezikonte ekuilibrat. Po i dëmtonte pozicionin në BE. Po i komplikonte raportin me opinionin publik italian. Po i rriste koston e qeverisjes në një moment kur ekonomia italiane ka pak hapësirë frymëmarrjeje. Dhe kur pushteti ndjen erën e rrezikut, ai nuk martirizohet. Largohet.

Ka edhe një detaj më të hollë, por shumë domethënës. Meloni nuk e sulmoi Trumpin me britma. Nuk bëri teatër anti-amerikan. Nuk e dogji urën. U tërhoq me kujdes, me gjuhë të kontrolluar, me distancë graduale. Kjo është mënyra europiane për të vrarë politikisht një aleat, pa u shpallur funerali. Sepse Roma e di se Uashingtoni nuk sfidohet me deklarata heroike; menaxhohet me gjysmë-hapa, mjegull diplomatike dhe sinjale të llogaritura. Në këtë kuptim, Meloni nuk bëri divorc. Thjesht shpalli një ftohje të organizuar.

Dhe ja pse pyetja “pse Giorgia i ‘lau duart’ me Donaldin?” ka një përgjigje shumë më pak romantike sesa duket. Jo sepse Donaldi u bë papritur i papranueshëm. Por sepse u bë i kushtueshëm. Kjo është fjala kyçe. I kushtueshëm në vota. I kushtueshëm në energji. I kushtueshëm në diplomaci. I kushtueshëm në imazh. Dhe kur një lider arrin në përfundimin se aleati i tij po e çon drejt furtunës, ai nuk e mbron më. E lë të vetëm në shi. Kështu veproi edhe Meloni.

Pra, le ta themi troç: Giorgia nuk i ‘lau duart’ me Donaldin nga bindja. Ia lau nga halli. Dhe në politikë, sidomos në atë europiane, halli është shpesh forma më e sinqertë e realizmit./Pamfleti

 

giorgia meloni donald trump gjergj zefi

2 Komente

  1. L
    Loku vogel

    A do ishe ne gjendje ti beje nje analize kaq te "holle", sepaku, mikut tend kryeminister, per fatin e keq te shqiptareve ....

    1. T
      Tony

      Jo, jo, e pa qe atij nuk i punonte. Pike.

      Lini një Përgjigje

      Editorial