TAGS-AT E JAVËS

Editorial18 Janar 2025, 09:52

Iluzioni i transformimit të partisë së Berishës

Shkruar nga Pamfleti
Iluzioni i transformimit të partisë së Berishës
Sali Berisha

Sali Berisha ka marrë peng një hapësirë politike që i takon publikut, njerzëve, frymës, popullit...

Sinjalet që vijnë nga sondazhet e publikuara këto ditë mbi nivelin e pëlqimit të Sali Berishës, nuk reshtin së përsërituri në mënyrë të stërpërsëritur retorikën se PD po shkon në vetëvrasje dhe duhet të ndryshojë.

Komentatorë që dukshëm janë kritikë me PD, tentojnë të rreken me retorikën pa asnjë lidhje se Berisha dhe PD mund të ndryshojë.

Kur në fakt, PD e Sali Berishës nuk është thjesht një forcë politike elektorale, por një klan establishmenti, i cili as nuk e çan kokën për zërat nga publiku por ndjek axhendën e vet.
Axhendë, e cila është krejt e qartë se jo vetëm po ecën kundër rrymës, por edhe kundër logjikës normale dhe vullnetit të njerëzve që votojnë opozitën.

Axhenda e Berishës është pa dilema, ai kërkon të mbijetojë me forcë në një hapësirë opozitare, dhe synon të mbajë me forcë bajrakun e tij, edhe pse është i ndëshkuar në SHBA dhe ka një qasje të qartë antiperëndimore.
Sali Berisha nuk është budalla; ata që i mëshojnë idesë se po bën vetëvrasje politike, nuk kuptojnë realisht nga politika.

Sali Berisha ka marrë peng një hapësirë politike që i takon publikut, njerzëve, frymës, popullit. Opozita nuk është një skenë ku luan vetëm një trupë, pasi nuk është zgjedhur për të menaxhuar. Opozita është një shesh ku secili mund të luajë rolin e tij.
Sali Berisha nuk lejon që të ketë skenare alternative, ai ka libretin e zakonshëm me një objektiv të afërt; të rrijë në lojë. Berisha nuk po bën vetëvrasje, thjesht po ecën në një rrugë, e cila edhe pse nuk është autostradë, është një rrugë fshati.

Po ecën, për të marrë realisht atë grup njerzish që e duan dhe në fund të sigurojë një pjesë të parlamentit të ardhshëm, aq sa mundet të përfitojë nga infuenca, popullariteti, si dhe nga lidhjet klienteliste që ka lënë në vite.

Kjo quhet thjesht realpolitikë, të cilën doktori e njeh më mirë se të gjithë axhamijt e krahut të djathtë. Të cilët në shumicë nuk kanë mundësi dhe takat për të ngritur një forcë të re që të bëjë diferencën.

Në të vërtetë, pikërisht kjo diferenca kërkon një angazhim të madh dhe është “kryeçështja politike” në vend. Por këtë nuk mund ta bëjnë njerëz me një axhendë të zakonshme, apo mendime që vijnë natyrshëm pas kafes së mëngjesit apo konsultim me shokët.

Kemi të bëjmë me një mision politik të madh dhe të jashtëzakonshëm që në mos ta bëjë njëri sot, do ta bëjë dikush tjetër nesër. I gjithë sekreti është të kapesh momentin. Por të presësh që të reformohet apo hapet partia e Berishës është një budallallëk me brirë. Po pse të hapet Berisha, kur e di se të gjithë të tjerët duan të përfitojnë e të bëjnë karrierë në kurriz të tij?

Imagjinojeni Sali Berishën e frustruar që jo vetëm vetë që është i dërrmuar nga hallet dhe vitet, por edhe nga pamundësia për të sjellë në pushtet trashëgimtarët e tij.

E pse doktori ta hapë partinë për çdo njeri që ka ambicje që të ecë përpara? Ai PD-në e do për vete deri në fund, siç e ka thënë lieralisht: “edhe një po të mbetet, ky do të jem unë”, duke cituar gjasme Hygoin, por që në thelb ka treguar qartë se nuk ka ndërmend t'ia lëshojë askujt PD. E në këtë logjikë, kush rri me doktorin do t'i duhet të luajë vallen e Fatmira Breçanit për Salën, ndryshe nuk puth në PD.

Ndaj kjo retorikë që Berisha do ndryshojë, më shumë se iluzion është përtaci olimpike. PD është parti e Sali Berishës, që me dhimbje nuk e trashëgon dot, por do e mbajë deri në frymën e fundit sa të gjejë e të bindet për një të ngjashëm. Që është mision thuajse i pamundur. Ja kaq e thjeshtë është!/Pamfleti

 

sali berisha pd

Lini një Përgjigje

Editorial