TAGS-AT E JAVËS

Editorial24 Gusht 2025, 08:58

Liderokracia ballkanike: Binjakët e errësirës!

Shkruar nga Gjergj Zefi

 Liderokracia ballkanike: Binjakët e errësirës!

Të mbështetur nga krimi, të lidhur ngushtë me oligarkinë financiare, të legjitimuar nga ndërkombëtarët; një model pushteti që po shkatërron demokracinë në rajon…

Aleksandar Vučić dhe Edi Rama, ndonëse vijnë nga vende me histori të ndryshme, ndajnë të njëjtin model qeverisës: kapjen e shtetit nga brenda, dobësimin e institucioneve dhe krijimin e një sistemi klientelist, ku lideri është institucioni qendror. Ky model i njohur si "liderokraci ballkanike", po e shndërron qeverisjen në një sistem vertikal.

Vučić ka kontroll absolut mbi qeverinë, parlamentin, sistemin gjyqësor dhe mediat publike. Ai ka ndërtuar një sistem ku çdo vendim i rëndësishëm kalon nga duart e tij. Rama ka ndjekur një rrugë të ngjashme, duke e kthyer Parlamentin në një zgjatim të zyrës së Kryeministrit, me ligje të miratuara pa debat dhe pa kontroll, duke e kthyer shumicën qeveritare në një instrument formalizimi të vullnetit të tij personal.

Të dy liderët janë akuzuar për manipulim të reformave në drejtësi. Rama, përmes ndikimit të tij mbi Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe të institucioneve të vetting-ut, ka ndikuar për pastrimin selektiv të sistemit dhe kontrollin politik të SPAK-ut. Më tej, ai ka uzurpuar edhe pushtetin vendor, ku Partia Socialiste kontrollon të gjitha bashkitë e vendit. Ky realitet ka krijuar një sistem pa balancë pushtetesh, ku qytetari është thjesht spektator në një "demokraci formale".

Si Vučić ashtu edhe Rama, kanë shkatërruar funksionin normal të opozitës. Ata e portretizojnë opozitën si armike të shtetit dhe nuk pranojnë dialog të sinqertë. Rama ka stimuluar përçarjen dhe zhbërjen e opozitës, duke e lënë Shqipërën pa alternativë reale politike.

Të dy liderët janë mjeshtër të marketingut politik. Vučić shfaqet si stabilizator në Ballkan, ndërsa Rama si reformator pro-evropian. Por në praktikë, të dy po minojnë themelet e demokracisë dhe sundimit të ligjit, duke fshehur realitetin me slogane boshe.

Një element kritik që i bashkon është edhe lidhja e dyshimtë me strukturat mafioze. Raporte të publikuara nga Organized Crime and Corruption Reporting Project (OCCRP) dhe Global Initiative Against Transnational Organized Crime (GI-TOC), në rastin e Vučić, flasin për lidhje të pushtetit me rrjete kriminale në Serbi dhe rajon.

Në Shqipëri, raporti i vitit 2024 i Freedom House nënvizonte se "klientelizmi politik dhe ndikimi i grupeve kriminale mbi administratën dhe tenderët publikë është në rritje".

Përmes një sistemi patronazhist, të dy liderët kanë bërë të mundur që pasuritë publike të kontrollohen nga klientë politik dhe oligarkë lokalë. Privatizimet, koncesionet, tenderët me procedura të mbyllura dhe PPP-të, kanë shërbyer si mekanizma për të transferuar pasurinë e përbashkët në duar të pakicave të lidhura me pushtetin.

Në të dyja vendet, raportet e Transparency International e vlerësojnë nivelin e korrupsionit si "të lartë dhe sistemik".

Modeli Vučić-Rama nuk është thjesht problem i brendshëm. Ai rrezikon stabilitetin afatgjatë të rajonit, duke prodhuar zhgënjim, emigracion masiv dhe polarizim të skajshëm. Mungesa e demokracisë së brendshme është kërcënim edhe për sigurinë euro-atlantike, siç paralajmërojnë edhe raportet e fundit të European Stability Initiative dhe Bundestagut gjerman./Pamfleti

liderokracia ballkanike binjakët e errësirës

Lini një Përgjigje

Editorial