Vetëm 17 kilometra, por me një peshë të jashtëzakonshme politike, ekonomike dhe rajonale: zvarritja e këtij aksi ka ushqyer perceptimin e diskriminimit rajonal dhe ka ngritur dyshime serioze mbi mënyrën si menaxhohen fondet, tenderët dhe prioritetet publike në Shqipëri...
Segmenti Milot-Balldren nuk është më thjesht një projekt i vonuar infrastrukturor. Në mënyrën si është trajtuar ndër vite, ai është kthyer në simbol të një problemi më të thellë: pabarazisë në shpërndarjen e investimeve publike, klientelizmit në vendimmarrje dhe mungesës së një logjike të qartë ekonomike në trajtimin e akseve strategjike.
Kur një segment prej vetëm 17 kilometrash mbetet për një dekadë në statusin ‘pezull’, nuk mjafton më shpjegimi: burokraci, procedura apo vështirësi teknike.
Në këtë fazë, kemi të bëjmë me një dështim politik dhe financiar që prodhon pasoja të drejtpërdrejta për një rajon të tërë.
Perceptimi i diskriminimit rajonal nuk lind nga retorika, por nga krahasimi konkret i ritmeve të investimit. Kur zona të caktuara të vendit përfitojnë më shpejt akse të reja, përmirësim të korridoreve ekzistuese dhe mbështetje më të dukshme infrastrukturore, ndërsa një nyje kaq e rëndësishme për vendin vazhdon të mbetet e bllokuar, atëherë ushqehet bindja se prioritetet publike nuk po vendosen mbi kritere zhvillimi të balancuar, por mbi preferenca politike. Kjo është arsyeja pse çështja e Milot-Balldren nuk lexohet më vetëm si vonesë administrative, por si tregues i një qasjeje selektive ndaj territorit.
Nga pikëpamja ekonomike, kostoja e mosndërtimit është shumë më e madhe sesa paraqitet në dokumente.
Çdo vit që ky segment mbetet jashtë funksionit, rritet kostoja e transportit për bizneset, zgjatet koha e qarkullimit për mallrat dhe dëmtohet efikasiteti i një korridori që lidh Shqipërinë me Evropën Qendrore.
Në terma financiarë, kjo do të thotë humbje produktiviteti, rritje të kostove operative për transportuesit, konsum më të lartë karburanti, amortizim më të shpejtë të mjeteve dhe ulje të konkurrueshmërisë për ekonominë rajonale. Edhe kur këto kosto nuk shfaqen drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit, ato paguhen çdo ditë nga qytetarët, bizneset dhe tregu.
Për më tepër, zvarritja e projektit rrit edhe faturën përfundimtare të vetë ndërtimit. Në infrastrukturë, çdo vonesë shumëvjeçare përkthehet në kosto shtesë: rritje çmimesh të materialeve, rishikim projektesh, shpenzime të reja procedurale, si dhe nevojë për rivlerësim teknik e financiar. Kjo do të thotë se një segment që mund të ishte përballuar më herët me një barrë më të ulët fiskale, sot rrezikon të kushtojë më shumë pikërisht për shkak të mosveprimit. Kjo është një nga paradokset më të rënda të keqmenaxhimit publik: shteti shtyn investimin në emër të kursimit, por në fund paguan më shtrenjtë për shkak të vonesës.
Në qendër të debatit ka qenë edhe mënyra si u konceptua financimi i këtij aksi, veçanërisht përmes formulave koncesionare dhe partneriteteve publik- private. Pikërisht këtu hyn nocioni i klientelizmit. Kur procesi i përzgjedhjes së operatorëve shoqërohet me dyshime për favore paraprake, bonus teknik të kontestuar, apo mungesë gare reale, atëherë problemi nuk është më vetëm juridik. Ai bëhet problem i besimit publik dhe i integritetit fiskal. Një shtet që krijon perceptimin se projektet strategjike filtrohen sipas afërsisë politike dhe jo sipas kapacitetit financiar e teknik, minon vetë themelet e konkurrencës dhe të eficiencës ekonomike.
Nga ana financiare, një shqetësim serioz lidhet me mospërputhjen mes peshës së projektit dhe kapaciteteve reale të operatorëve që synojnë ta marrin përsipër. Kur ngrihen pikëpyetje mbi kapitalizimin, likuiditetin, aftësinë për të siguruar financim bankar apo për të përballuar riskun e ndërtimit, atëherë shteti nuk ka të drejtë të veprojë mbi baza politike. Sepse në fund, çdo projekt i mbështetur mbi operatorë pa muskuj financiar real përfundon në një nga dy skenarët: ose bllokohet, ose kthehet në barrë shtesë për buxhetin publik. Në të dyja rastet, humbësi është njerëzia.
Milot-Balldren është një segment me vlerë strategjike, jo vetëm rrugore. Aksi ndikon drejtpërdrejt mbi lëvizjen e njerëzve, mbi qarkullimin tregtar, mbi aksesin drejt zonave turistike të veriut dhe mbi rolin që Shqipëria pretendon të luajë si korridor rajonal. Një qeveri që e lë pezull këtë nyje, ndërsa promovon vizione ambicioze për integrim, logjistikë dhe zhvillim, krijon një kontradiktë të fortë mes propagandës dhe realitetit. Sepse korridoret strategjike nuk maten me premtime, por me funksionalitet, kohë udhëtimi, flukse tregtare dhe kthim ekonomik.
Në planin politik, kjo çështje ka marrë natyrshëm ngarkesë më të madhe, sepse prek një zonë ku ndjeshmëria ndaj përjashtimit është e lartë. Pikërisht për këtë arsye, vonesa nuk lexohet më si thjesht procedurë, por si shenjë e një diskriminimi rajonal të heshtur. Edhe nëse pushteti nuk e pranon një qasje të tillë, efekti politik është i njëjtë: krijohet bindja se disa zona mbeten sistematikisht në periferi të vëmendjes shtetërore. Dhe kjo bindje është jashtëzakonisht e rrezikshme, sepse dëmton kohezionin territorial dhe ushqen mosbesim afatgjatë ndaj institucioneve.
Në thelb, rasti Milot-Balldren tregon se problemi i Shqipërisë nuk është thjesht mungesa e fondeve, por mendësia politike për prioritetet. Kur një segment i shkurtër, me ndikim të lartë ekonomik dhe rajonal, nuk përfundon për vite me radhë, ndërsa energjia administrative harxhohet në skema të diskutueshme financimi, atëherë bëhet e qartë se pengesa nuk është vetëm teknike. Pengesa është modeli i qeverisjes: një model ku klientelizmi konkurron me interesin publik, ku eficienca fiskale i lë vend pazareve dhe ku balanca rajonale sakrifikohet për llogari të kalkulimeve të ditës.
Milot-Balldren sot mbetet prova më e fortë se infrastruktura në Shqipëri nuk është vetëm çështje zhvillimi, por edhe çështje pushteti. Dhe për sa kohë një projekt i tillë vazhdon të mbetet i bllokuar, çdo premtim për barazi territoriale, modernizim dhe standard evropian do të tingëllojë i cunguar. Sepse kur një aks strategjik pengohet nga klientelizmi, nga paqartësia financiare dhe nga perceptimi i diskriminimit rajonal, problemi nuk është më vetëm rruga. Problemi është vetë mënyra si ndërtohet shteti./Pamfleti
ja sa te filloje ndertimin Samiri ne Patok do e bejne rrugen
Ka 30 vite qe vijmë ne bregdet ne Lezhe, dhe rrije si shtaze ne kolone ne vapë te larte. Gjersa jane shtruar e rishkruar rruge shume me sekondare gjithandej vendit. Kurse rruga Milot Lezhe eshte torturë e vërtetë. Kete vere, sikurse veten e kaluar nuk do te shkoj ne pushime te zakonshme ne bregdetin e Lezhës. Ju rrini koke ulur para shkatërruesit Ramaqis.
Shume shpejt shpallet fituesi. E ka marre Salillari dhe eshte lajm i mire. Vetem ai e ben si PPP, ka fuqi financiare.