Përplasja mes mureve dhe urave që po sfidon botën moderne...
Ka liderë që hyjnë në histori duke ndërtuar institucione. Ka të tjerë që do mbahen mend se kanë ngritur mure, kanë eksportuar frikë dhe e kanë paketuar dështimin si patriotizëm. Donald Trump i përket kësaj kategorie: presidenti që i foli një superfuqie si t’i fliste një turme të zemëruar në një miting periferie, duke e ushqyer me mllef, paranojë dhe premtime prej llamarine politike. Ai nuk i zgjidhi plagët e Amerikës; ai i zmadhoi, i marketoi dhe i ktheu në flamur.
Trump nuk ndërtoi Amerikën e madhe. Ndërtoi një skenografi force. Mure në kufi, mure në debate, mure në mendësi. Mure kundër emigrantëve, kundër të ndryshmit, kundër vetë idesë se bota moderne mbahet në këmbë me aleanca, me dialog dhe me minimumin e një dinjiteti njerëzor universal. Në thelb, trumpizmi nuk është vizion shtetëror. Është frika e ngritur në sistem. Është mediokriteti i veshur si vendosmëri. Është dështimi i klasës politike amerikane që, për të mbuluar zbrazëtinë e saj, i dorëzoi mikrofonin një njeriu që di të bërtasë më fort se të tjerët.
Përballë kësaj figure që e sheh botën si pronë të vetën, kufirin si fe dhe përçarjen si metodë, ngrihet Papa Leo XIV, me një armë që duket e vjetër në këtë epokë cinike: autoritetin moral.
Dhe pikërisht këtu nis ironia e madhe e kohës sonë. Njeriu më i fuqishëm në tokë, me ushtri, dollarë, shërbime inteligjente dhe media pas vetes, duket një liliput përpara një gjigandi që flet për mëshirën, emigrantin, të varfrin dhe dinjitetin. Njëri ka aparatin e shtetit. Tjetri ka peshën e ndërgjegjes. Dhe shpesh, kjo e dyta rezulton më e rëndë.
Papa nuk ndërton mure sepse e di që muret nuk i mbrojnë qytetërimet; ato vetëm sa dëshmojnë frikën e tyre. Urat, përkundrazi, kërkojnë guxim. Kërkojnë besim. Kërkojnë vizion, jo si kërcënim, por si mundësi. Kjo është arsyeja pse Leo i bezdis populistët e kohës: sepse ua prish tregun e urrejtjes. Kur ai flet për refugjatin, ai i heq maskën politikanit që ka ndërtuar karrierën mbi demonizimin e tij. Kur ai flet për solidaritetin, nxjerr zbuluar gjithë hipokrizinë e atyre që përmendin Zotin në podiume, por sillen si tregtarë frike në praktikë.
Ky nuk është një duel mes fesë dhe politikës. Është një duel mes dy ideve. Nga njëra anë, presidenti dështak që e mat forcën me lartësinë e murit dhe suksesin me numrin e të përjashtuarve, dhe nga ana tjetër, në Papë model që e mat qytetërimin me aftësinë për të pranuar, për të dëgjuar, për të afruar. Njëri flet për kufij si obsesion. Tjetri flet për kufij si sfidë morale. Njëri kërkon duartrokitje. Tjetri kërkon reflektim. Njëri shet zemërim. Tjetri predikon ndërgjegje.
Dhe po, ky duel shkon përtej Amerikës. Sepse trumpizmi nuk është vetëm fenomen amerikan. Është sëmundje perëndimore, e eksportueshme, e imitueshme, e ripaketueshme në çdo vend ku politika nuk ka më ide dhe ushqehet me instinktet më të ulëta të turmës. Edhe në Evropë, edhe në Ballkan, edhe në shoqëri të brishta si tonat, modeli i liderit që ulëret, përçan dhe vetëshpallet shpëtimtar gjen gjithnjë blerës. Ndaj figura e Papës merr peshë globale: jo thjesht si një klerik, por si kundërmodel ndaj banalitetit agresiv të populizmit.
Trump përfaqëson një epokë ku arroganca ngatërrohet me forcën dhe vulgariteti shitet si autenticitet. Papa Leo përfaqëson diçka shumë më të rrallë: fuqinë për të mos u bërë si kundërshtari yt. Në një klimë globale ku shumë liderë ngjajnë gjithnjë e më shumë me menaxherë zemërimi, ai mbetet një nga të paktët që flet për njerëzimin pa cinizëm dhe për rendin botëror pa instinkte grabitqare.
Në fund, historia nuk mban mend gjatë ata që vetëm ngritën mure. I mban mend si simptoma të një kohe të sëmurë. Ata që ndërtojnë ura, edhe kur duken të pambrojtur, lënë pas një model. Dhe ky është dallimi mes një presidenti që e ngatërron pushtetin me hakmarrjen dhe një Pape që e kuptoi se autoriteti i vërtetë buron nga aftësia për të bashkuar./Pamfleti
Po boll me butafori e kritike komuniste se nuk je ka thu gjo me na mbushe mendjen o shoku autor i pamfletit. Ja ke fut kot , mendesia jote komuniste nuk shpie ne asnje gje tjeter vetem se ne degradim moral, shpirteror e klasor. Zoti kur ka fal njerezit nuk i ka fale te barabarte e ne kte kontekst ju ngaterroni predikimin qe ben sherbetori i zotit qe eshte Papa e nga ana tjeter nje udheheqes i nje shteti si Amerika qe ruan ekuilibrat globale....e sa per dijeni po mos te ishte ky i fundit ti shoku gazetar do ishe diku i fshehur mes malesh, ne burg apo i marr peng per kte mendesine tate komuniste qe realisht me ben per te vjelle. Por kshu eshte kur gazetar rrembythje si puna jote ju eshte dhe rasti te komentojne lloj lloj mendimesh e ideshe qe jane kancer i shoqerise dhe jetes se perditshme. Kaq per sa i perket tutkuneve si puna jote.
Kostandini i Madh,Ilir me pushtet perandorak apsolut ne shek III e kuptoi me mire se kushdo tjeter paraardhes se feja dhe besimi eshte domosdoshmeri e jetes njerezore,jo opozite kunder por si e pavarur funksionon keshille me gjykim te ftohte dhe te urte. Pushteti,paraja jane te perkohshme per njerezit, vjen nje moment sic e tha edhe para 5-6 muajsh miliardieri Bill Gates se materialet behen te pa vlera.Ne toke i kemi gjetur dhe po ketu do i leme.Kane perfituar ato kombe qe ne thelb jane udhehequr mbi baze humanizmi,lirite e te dtejtat e njerezve,lirine ekonomine te tregut,te fjales se lire,te ndertuara mbi rregulla e ligje strikte. Leoni XIV nuk eshte pushtetar materialist apo opozitar kunder tij per te qene i tmerrshem,por fjalet e Trump behen te tmerrshme edhe pse eshte i kthyeshem ne gabime kur thote se do zhduk nje qyteterim te tere,si kunderpergjigje e asaj qe shpreh vazhdimisht irani prej 45 vitesh se do zhduk kombin Izraelit. Normalisht edhe si shtetas amerikan Papa ka edhe nje pergjegjesi edhe me te madhe per te nderhyre per shuarjen e tensioneve, pasi asnjera pale nuk fiton aq me teper Irani. Shqetesuese eshte se Trump nuk po kuron plage, por po i nxit me keq me fjalor dhe veprime. Amerika ka patur nje funksion pothuajse perfekt te sistemit, ka punuar me strategji afatgjata ku roli i individit ka rendesi por per periudha dhe fenomene te caktuara,por ketij shohim se i ka humber pak filli e spo di qar po flet e ben.
Bestytnite kane ekzistuar qe kur njeriu ishte majmun, por u konsoliduan ne fe nga qerratenjte sundues. Feja eshte shpikje e vendeve Aziatike per te coroditur mendjen e njerezve e superfuqive Europiane. Pasi nuk munden t'i pushtonin Europianet me fuqi ushtarake sajuan fete e i percane. Pse te gjitha fete me sunduese jane krijuar ne Azi ?????? Fakti me i dukshem jane trojet Ilire qe u zhduket 90% nga harta.