Për të mbrojtur dinosaurët e Tiranës, ata po përpiqen të shpërndajnë një perceptim sikur Perëndimi ja ka futur Milos, por a mund të mbështetet një lider që humbet besimin dhe urrehet nga populli?
Një nga problemet e mëdha që bota shqiptare ka në tërësi, (është fjala për botën politike dhe mediatike), është një mungesë e thellë e kohezionit ndërmjet vetes. Një defekt i rëndë që ka nisur që me ndarjen e trojeve shqiptare nga Konferenca e Londrës e deri më sot. E që nuk po arrin të rikuperohet, edhe pse kemi një avantazh kolosal pas çlirimit e pavarësisë së Kosovës dhe eventeve të tjera epokale në Ballkan.
Problemi më i madh ndodh sepse nuk ka mirëkuptim në mes veti për opsionet apo vizionet që pjesët e kësaj bote kanë me realitetin. E kjo mungesë kohezioni është natyrisht më e madhe në Tiranë. Ku qendrat e qarqet që kanë qasje në opinionin publik, duan të imponojnë një qëndrim, i cili ose është i mangët, ose i gabuar, ose qëllimisht i shtrembëruar.
Një nga këta realitete është edhe ai i zhvillimeve krejt vibrante dhe në evolucion të vazhdueshëm të ngjarjeve në Mal të Zi. Ku më 2 prill ndodhi rrëzimi nga pushteti i një dinosauri të vërtetë dhe simbol i abuzimit me pushtetin, Milo Gjukanoviç.
Thuajse të gjithë në Tiranë, e kanë vizatuar fitoren e presidentit të ri, Jakov Milatoviç, si fitoren e një proserbi e prorusi, e humbjen e Milos, si një lajm i keq për Perëndimin.
Madje një nga këto “ekspertë” që ka këshilluar e këshillon disa presidentë të vendit për rajonin e sigurinë kombëtare, tha te emisioni i Arjan Çanit, se ajo që Perëndimi i bëri Milos, duke i ‘dhënë duart’ është “unfair”. Një cilësim i fortë, që tregon realisht një mentalitet krejt të prapambetur që elita në Tiranë ka, e që natyrisht nuk po arrin të kapë kohën që ecën me shpejtësi.
Milo Gjukanoviç, ka qenë për një kohë të gjatë aleat i Perëndimit, madje fuqitë e mëdha perëndimore si SHBA, Britania e Gjermania, e kanë ndihmuar në rrugën e tij për një Mal të Zi të pavarur nga Serbia, anëtar të NATO-s dhe kandidat për në BE.
Ishin shërbimet sekrete të Perëndimit që i shpëtuan jetën Milos në 2016-n, kur rusët kurdisën famëkeqin GRU për ta vrarë.
Megjithatë, sa për informacion, Milo Gjukanoviç, nuk është më interlekutori i vetëm i Perëndimit në Republikën e vogël të Ballkanit Perëndimor.
Njeriu i dytë që e ka hapur këtë kanal komunikimi dhe e mban aktualisht, është kryeministri Dritan Abazoviç, filozofi i ri nga Ulqini, i cili rezulton deri tani një king maker politik në vend.
Në vitin 2020, kur koalicioni i madh anti-Milo, ku natyrisht shumicën e kanë forca serbe por edhe proruse fitoi zgjedhjet, Dritani u bë epiqendra e një negociate për perëndimorët. Të cilët nuk e vunë në pullë fare kryeministrin që u zgjodh, Zdravko Krivokapiç, por u lidhën me Abazoviçin dhe vendosën një paketë kushtesh për forcat proserbe. E cila ishte edhe paketa politike e URA-s së Abazoviçit për të hyrë në qeverinë e re.
Dhe kjo paketë tekstualisht përmbante këto pika: “Jo rishikimit të njohjes së Kosovës, jo rishikimit të anëtarësisë në NATO e Jo rishikimit të integrimit në BE”. Për garanci, u kërkua që Abazoviç të mbante kontrollin e ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme, asaj të Jashtme dhe shërbimin sekret.
Prej shtatorit 2020, të gjitha këto i kontrollon Dritan Abazoviç, i cili është realisht njeriu më i pushtetshëm në Podgoricë.
Sa për informacion, njeriu që drejton dhe mbikëqyr shërbimin sekret të Malit të Zi është një shqiptar, përkatësisht Artan Kurti.
Ishte një proces intensiv ai i konsultimit të Perëndimit dhe bindjes nëse Dritan Abazoviç është një politikan që kërkon një rreshtim properëndimor apo tërheq nga Moska. Në këtë proces ka pasur prova e sprova.
Më e rëndësishme ka qenë vendimi i Dritan Abazoviçit për të mos lejuar që avioni rus me ministrin e Jashtëm Serbej Lavrov në bord, të kalonte në territorin e Malit të Zi, duke e bërë të pamundur që njeriu i Putinit të vizitonte Serbinë, vetëm një muaj pas fillimit të luftës në Ukrainë. Ajo firmë, e bëri Abazoviçin një politikan që Moska nuk e konsideron më një “të lëkundur”.
Ishte SHBA që bindi Gjukanoviçin të mbështesë Dritanin për së jashtmi për një qeveri pakice. Vendim që e bëri Dritanin armik me aleatët e vet politik, të cilët e quajtën “tradhëtar”. Duke i bërë kështu një supernder, pasi i rritën pikët politikisht, e duke sjellë atë që dinaku nga Ulqini kërkonte.
Një nga pikat e qarta të paktit të Gjukanoviç me Perëndimin për të mbështetur Dritanin, ishte largimi i butë i tij nga politika. Pra pa denigrim dhe me një lëvizje evolutive. Vetë Milo deklaroi se po bën gati gjërat për t’ia lënë pasardhësit. Por pikërisht kur Dritan Abazoviç, bëri paktin me Kishën Serbe për çështjen e pronave, çka ishte një lëvizje totalisht e koordinuar me aleatët, Gjukanoviç veproi me instiktin e një ‘kafshe’ politike.
Duke rrëzuar paktin me amerikanët dhe përdorur retorikën nacionaliste për t’u rizgjedhur.
Ndërkaq, e gjitha ajo që ndodhi është histori. Me ca gjëra pikante, pasi ishin burime perëndimore ato, të cilat në fushatën zgjedhore nxorën tre fakte që ndikuan shumë në zgjedhje. Që Gjukanoviç posedon tre orë superlukzoze që nuk i ka asnjë lider në Perëndim.
Ku njëra prej tyre kushton 1.376.364 euro, tjetra 158.371 euro dhe e treta 67.334 euro. Për Makronin në Francë u bë nami ngaqë ora e tij kapte shumën e 2400 eurove, ndërsa një ministrër polak, u gjobit për një orë që vlente 5 mijë euro.
Përveç se një simbol i korrupsionit dhe një politikan që nuk lëviz nga kolltuku, Gjukanoviç humbi edhe atë elektorat që e votonte nga pjesa gri e shoqërisë. I cili lëvizi menjëherë sapo pa që dolën alternativa të besueshme nga krahu tjetër, e nuk ishin të detyruar që të votonin Milon se nuk ka zgjidhje tjetër. E pikërisht ky koncept është thelbi i Perëndimit. Asnjëherë nuk mund të mbahet me zor një person në pushtet ku shumica e njerëzve nuk e do.
Megjithatë, perceptimi për Milon në Tiranë, ka edhe një kleçkë krejt “unfair” për të folur me termin e këshilltarit që ja kërkon shërbimet edhe presidenti aktual Bajram Begaj.
Për të mbrojtur dinosaurët e Tiranës, ata po hapin një perceptim sikur Perëndimi ja ka futur Milos, kështu ka bërë edhe me Sali Berishën e Ilir Metën. Kur në fakt, asnjëherë SHBA dhe Perëndimi nuk ka mbështetur ndonjë lider që humbet besimin apo urrehet nga populli. Është e vërtetë ka mbështetur në kulmin e luftës së ftohtë edhe ndonjë ushtarak që ka bërë puçe si Pinoçeti në Kili, kolonelët grekë apo gjeneralët turq. Por kanë mbështetur e mbrojtur edhe disidencën kundër tyre dhe më pas i kanë dërguar në burg edhe pse ishin duke vdekur. Siç bënë me Pinoçetin.
Milo, aktualisht ka dhënë dorëheqjen nga kreu i Partisë Demokratike të Socialistëve, dhe ka vënë në krye të partisë një djalosh të ri, ‘delfin’ të tij. Ky është Daniel Zhivkoviç, kreu aktual i grupit parlamentar të DPS-së, dhe njeriu që firmosi nismën e mocionin për rrëzimin e qeverisë së Abazoviçit.
Sipas të gjitha gjasave, Milo do të rrijë në hije, por jo të largohet, pasi ka nevojë për mbrojtjen e partisë në një stinë të re sulmesh ndaj tij për korrupsion e abuzim nga Dritani, por edhe nga politikanët e tjerë. E pikërisht kjo ka gjasa t’i lejohet, pasi Milo nuk është Berisha që prek fundin për të ruajtur pushtetin. / Pamfleti
Lini një Përgjigje