Me Ballkanin e hapur kundër Ballkanit të lirë!
In vino veritas! U pa puna, vera luan rol edhe në politikë. Hamendësoj se Edi i tha Kurtit, në Tiranë: ta ngremë kupën me fund? Ngremë kupa, e ...hamë qershia. Kjo i bie, hamë fjalët tona. Apo nuk i tha? Mund vetëm ta ketë menduar kur e porositi shishen me verë. Atë që nuk e bën presioni, të sharat, e bënë vera…
Pastaj, nuk u duhet vëllezërve, të dehen, për të hapur zemrën, për të qenë të sinqertë. Dihet rendi! Vëllai i vogël raporton te vëllai i madh. Se kush me kë është vëlla në politikën ballkanike e kemi kuptuar tashmë. Është një marrëdhënie e komplikuar. Është çështje më tepër e interesit sesa e ADN-së. Sido që të jetë, të tre personazhet tona të sotme i ka kapur e njëjta sëmundje politike. Rama, Vuqiç dhe Kurti, e kanë të njëjtin hall. Të parët duan Ballkanin e Hapur, ky i fundit e do të lirë.
Derisa në Kosovë, opozita po kërkon dorëheqjen e kryeministrit, në Serbi kërkohet dorëheqja e Presidentit. Duke e ditur për ndodhinë e quajtur (mos)marrëveshja e Ohrit, e cila me që ra fjala, nuk është nënshkruar, por merret si e mirëqenë nga diplomacia ndërkombëtare; janë të kuptueshme arsyet përse kërkohet dorëheqja e tyre, në të njëjtën kohë. Edhe pse janë pajtuar, kompromisi duket se nuk sjell paqe në Ballkan. As Ballkanin e lirë, as të hapur...hiç.
Sa herë arrihet marrëveshje me ndërmjetësim të BE, Serbia e ulur në dy karrige, e zhvendosë vëmendjen. Pastaj Evropa e lutë, ulu këndej! Pastaj del në Skenë Edi i cili përmend Ballkanin e Hapur dhe Presidenti serb ankohet... nuk vij dot në Tiranë përmes Kosovës. Kështu Kosova prej viktimë bëhet problem.
Nejse, pas Ohrit, Edi Rama drekoi me Kryeministrin e Kosovës. Edhe pse Ohri, më tepër se qartësi solli konfuzion te opozita në Kosovë dhe në Shqipëri, kjo drekë i hutoi të gjithë analizuesit e situatës, e sidomos ata që janë të rreshtuar në njërën anë të (mos)marrëveshjes: me ne apo me ata.
Në fakt, marrëveshja e cila synon të mundësojë qarkullimin dhe bashkëpunimin rajonal, ende po merr në thua pikërisht te kufijtë. Po të thoshte kryeministri shqiptar, se nuk ka kufi me Serbinë, do të detyronte Serbinë të bëjë marrëveshje me Kosovën për kufijtë e hapur, për Ballkanin e Hapur. Por Rama nuk e bën këtë, nuk e do qartësimin, por vetëm kufijtë e hapur. Ai do që mbi këta kufij të kalohet heshtur, sikur që ecet mbi një plagë të hapur politike, ndërkohë që ai do të ... zëvendësonte BE-në e pafuqishme dhe SHBA-në e pa interesuar për rajonin. Nuk do apo nuk mundet Rama t’i thotë publikisht presidentit serb: me mua je në rregull, nuk ke kufi, shih rregullo kufijtë me Kosovën, pastaj i bëni kufij evropian?
Prandaj rri anash dhe i fton për dreka e darka herë njërin e herë tjetrin, vëllezërit.
Rrezikon të bëhet i alkoolizuar, duke ndjekur panairet dhe drekat, me verë. Por Edi e mban pijen.
Se çka kanë folur dy liderët e majtë shqiptarë, ‘kokë më kokë’, nën avujt e sinqeritetit që u nxirrte vera e mirë, kjo ende nuk është bërë publike dhe mbase nuk do të bëhet kurrë, por marrëdhëniet jo aq të mira mes tyre, dhe marrëdhëniet e mira të Edit me Aleksandrin, gjithnjë kanë mundësuar spekulime nga më të ndryshmet.
Sa herë që Presidenti serb e bllokon realizimin e marrëveshjes, rihapet ideja e Ballkanit të Hapur. Kosova bllokon Ballkanin e Hapur, ndërsa Serbia bllokon procesin paqësor dhe Marrëveshjen e Ohrit. Gjithçka shndërrohet në baraspeshë të fajit.
Edi i cili takon me rregull të gjithë vëllezërit, e bëri sërish në Romë, në panairin e verës. E ka gjetur ilaçin për sinqeritet. Pa verë nuk ka bisedime as me Vuçiç, as me Kurtin, thjeshtë doli fjala e moçme, “In vino veritas”. Vera e nxori të vërtetën: nuk duan marrëveshje me Kosovën, por qarkullim të lirë nëpër Kosovë. Duan Ballkanin e Hapur, jo Ballkanin e lirë, evropian.
Duke i mbledhur sërish rreth kësaj ideje, ndërkohë që nga Kosova dhe Serbia pritet zbatimi i marrëveshjes së Ohrit, kryeministri shqiptar shfajëson bllokuesin e vërtetë të procesit paqësor dhe akuzon indirekt Kryeministrin e Kosovës për bllokim të qarkullimit të lirë nëpër Kosovë, nëpër Ballkan.
Po pra, brenga më e madhe e krejt komunitetit ndërkombëtar është si do të shkojnë prodhuesit serb të verës në Tiranë, në fund të majit? Duhet të bisedojmë shumë për Kosovën thotë Edi. Është Ballkani i Hapur, alternativë apo kërcënim që i ofrohet BE? Do të ketë marrëveshje të Tiranës, për verën, versus asaj të Ohrit?/Pamfleti
Ky artikull është ekskluziv i Pamfletit, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Pamfletin dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Lini një Përgjigje