Në fund të ditës, kjo fushatë nuk premton asgjë argëtuese: do të kemi përballë dy Djaj, që kësaj herë kanë vendosur të luajnë...podcast-esh. Sado hall e kulmi i mjerimit të duket: më mirë BBV se këta të dy...
Fshati ynë vazhdon e digjet, ama k*çkat e politikës, krihen e krihen. Një muaj para zgjedhjeve vendore; me një PD që lufton për vulë; me kandidatë të shpërqendruar e të ndarë; me aleanca fluide si ajo me Partinë e Lirisë; me një ekonomi të lënë në dorë të PPP-ve; me një drejtësi të dyshimtë dhe shumë bashkëpunëtorë në prag të burgut; Edi Rama kap në dorë lodrën e tij të re.
Dje Kryeministri njoftoi se do të fillonte së shpejti Podcast-in e tij, të titulluar "Flasim".
Për ata që nuk e dinë, Podcast është një seri skedarësh audiodigjitalë, që mund të shkarkohen ose dëgjohen online. Çdo regjistrim audio, njihet si një episod i podcast-it. Podcast-et zakonisht drejtohen nga një ose disa individë që moderojnë një bisedë, ndajnë një histori ose raportojnë lajme.
Me zhvillimin e teknologjisë dhe nevojën që të kenë një sfond të caktuar, për argëtim apo edukim, janë zhvilluar edhe podcastet me video. Pra teknologjia vazhdon të prodhojë.
Por kush e mendonte se shqiptarët e shkretë, të lënë në mëshirë të fatit, do t'u qëllonin politikanë kaq të dhënë pas kësaj teknologjie. Që janë gati të bëjnë gjithçka, veç punë jo.
I pari është Edi Rama. Pasi bëri qejf ne ERTV, me një ushtri të punësuarish që një Zot e di sa i kushtojnë financave të shtetit, pasi ka dështuar me sukses të plotë në marrëdhëniet me mediat, të cilat tanimë nuk i kontrollon dot 100%, Kryeministri po zhvillon një tjetër pasion të vjetër, dikur i dështuar: do të jetë pritësi në një bisedë publike.
Si çdo herë kur bëhet fjalë për Kryeministrin tonë, çështja ka dy anë. Me podcast-in "Flasim", Rama e ka siguruar vëmendjen e votuesve, të cilët tashmë janë të stërlodhur nga një politikë vrastare dhe e pasuksesshme prej vitesh. Si një risi teknologjike, këdo që do të vendosë përballë Rama - e sigurta është se do të jenë vasalët e tij - njerëzit do të kenë interes ta ndjekin. Rama e njeh dhe e ka provuar me kohë sigurinë (shmang përballjen ku Rama nuk ka qenë kurrë i fortë), dhe forcën e komunimit virtual. Pavarësisht se çdo shfaqje e tij shoqërohet me komente deniguresve (prandaj u shpik Akt1visti), ai e ka arritur qëllimin e vet, qoftë me përgjigjet që u jepte komentuesve personalisht, qoftë me komente sporadike provokuese. Prandaj në këtë pikë, kjo është një zgjedhje shumë e zgjuar e Kryeministrit: pikërisht kur i duhet, do të ketë gjithë vëmendjen e publikut për të përhapur propagandën e tij.
Nga ana tjetër, me këtë, Kryeministri shmang sa herë të dojë dhe ku të dojë përballjen klasike mediatike në televizionet private, gjysmën e të cilëve i ka shpallur armiq. Ato çfarë dëshiron të thotë, tani kryeministri mund ta thotë me gojën e tij pa pasur nevojë të bëjë marrëveshje paraprake me drejtues emisionesh dhe gazetarësh të ftuar në studio e as të paguajë, siç rëndom ndodh në prag fushatash elektorale. Me këtë rast shmang edhe daljen publike te njerëzve te vet dhe reklamimin e injorancës së tyre hapur.
Këtu Rama fiton audiencë dhe mund ti shesë patatet e kalbura të, gjoja një qeverisje të suksesshme, sa të dojë.
Mirëpo nëse Ramës i intereson propaganda për të mbajtur në këmbë autoracinë që ka instaluar, në territorin e kalbur politik ekziston edhe një mendje tjetër diabolike që nuk po e di çfarë është tërheqja.
Sali Berisha iu përgjigj shpejt e shpejt kundërshtarit të vet duke thënë se kjo ka qenë ideja e tij më herët dhe se podcast-in e tij të parë e ka regjistruar që dhjetorin e shkuar. Edhe sikur të jetë kështu, a e di plaku Sali se është praktikisht në pikë të hallit dhe kthimi i tij në pushtet është thjesht i pamundur?
A e di njeriu ‘non grata’ i Shqipërisë se çfarëdo që të dërdëllisë ai është një kartë e djegur, e provuar në pushtet dhe larg tij që thjesht duhet të dalë në pension?
Dhe ja ku jemi: Mirë se erdhët në Shqipërinë e Hi Tech-ut, ku ai grusht njerëzish që ka mbetur ende këtu diskuton bukën e gojës, ama liderët e politikës dinë ta dredhin edhe on line.
I pari do të na mbushë mendjen se sa të lumtur jemi ne që jetojmë në Shqipëri, ndërsa i dyti, se ky i pari duhet rrëzuar me çdo kusht që të vijë ky në pushtet.
Ndërkohë krimi përgjak rrugët, jeta kushton 5 lek të vjetra, ndërsa buka e gojës sa një jetë e siguruar me Kushtetutë.
Prandaj, në fund të ditës, kjo fushatë nuk premton asgjë argëtuese: do të kemi përballë dy Djaj, që kësaj herë kanë vendosur të luajnë...podcast-esh. Sado hall e kulmi i mjerimit të duket: më mirë BBV se këta të dy./Pamfleti
Lini një Përgjigje