TAGS-AT E JAVËS

Editorial18 Tetor 2023, 12:36

Pse zyra e Edi Ramës është kthyer në një frëngji anti-Kosovë?

Shkruar nga Gjergj Zefi
Pse zyra e Edi Ramës është kthyer në një frëngji
Edi Rama

Cili është shkaku i kësaj lufte të hapur që Edi Rama i bën Albin Kurtit, duke thelluar gjithnjë e më shumë hendekun e përçarjes e ndarjes mes Prishtinës e Tiranës?

Nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë qeveri të Shqipërisë, që zyra kryesore e shtetit, ajo e kryeministrit të Republikës, të kthehet në një fortesë ku sulmohet Kosova dhe qeveritarët e saj.

Ajo që ndodhi dje me Emanuel Macron, nuk ishte aspak një rast i ardhur nga rrethanat, as një reagim i nxehtë, i provokuar nga zhvillimet e freskëta.

Ngjarjet në Kosovë nuk janë aktualitet, madje ajo që mund të kishte thënë Macron do të duhej të kishte të bënte me sulmet terroriste në Bruksel apo dhe me luftën e tmerrshme në Izrael apo në Ukrainë.
Ndërkaq, meqë do të flitej për Kosovën e Serbinë, lajm më i rëndë ishte pikërisht devijimi i fortë e arrogant i Aleksandër Vuçiçit nga Perëndimi për tu puthur me Ji Xi Ping dhe Vladimir Putin në Pekin.
Por jo, u zgjodh që të sulmohej Albin Kurti e të kërcënohej Kosova se mund t’i ndalohej qarkullimi pa viza në vendet Shengen. Për të cilin BE e ka marrë vendimin, ka hyrë në fletoren zyrtare, e pret vetëm 1 janarin 2024 për tu zbatuar.

Dhe më e rënda, u zgjodh selia e qeverisë së Shqipërisë për të bërë këto kërcënime, dukshme politike, të cilat kanë një sens dhe objektiv për të trembur jo Albin Kurtin, por opinionin publik në Kosovë, forcat politike atje si dhe mediat e shoqërinë civile.

Ky sulm, sipas të gjitha gjasave nuk ka ardhur kështu rastësisht dhe në mënyrë spontane, por është koordinuar nga palët që kanë përgatitur takimet, që do të thotë është urdhëruar nga Rama e Macron, që takimin e parë në histori të Presidentit të Republikës së Francës në Shqipëri, ta kthejnë në një 'talk show' kundër Albin Kurtit.

E gjitha kjo nuk se bëhet për herë të parë në fakt nga Tirana zyrtare. Prej kohësh, çdo tam -tam qeveritar i urdhëruar nga Edi Rama synon vetëm një gjë, që të dëmtojë sa më shumë qeverinë e Kosovës, e ta izolojë atë.

Madje edhe pas 2 shtatorit, kur sulmi terrorist i bashibozukëve të Radojçiçit i tregoi gjithë botës se kush është problem atje; jo Prishtina, por Beogradi.

Nuk ka asnjë rast në të shkuarën ku kancelaria diplomatike e Tiranës është vënë në sulm kundër Prishtinës zyrtare. Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, një diplomat profesionist, pa asnjë lidhje e qasje politike, është një nga diplomatët më të izoluar nga struktura qeveritare e Shqipërisë.

Në të shkuarën, ministria e Jashtme e Shqipërisë, ofronte çdo asistencë për Kosovën, duke pasur parasysh se ne kemi një rrjet të gjerë ambasadash e konsullatash kudo në botë.

Po cili është shkaku i kësaj lufte të hapur që Edi Rama i bën Albin Kurtit, duke thelluar gjithnjë e më shumë hendekun e përçarjes e ndarjes mes Prishtinës e Tiranës?

Edi Rama, me një logjikë të ftohtë, do të duhet që të promovonte një situatë të qetë me Albin Kurtin, pasi duke qenë se ndodhet në mandatin e tretë qeverisës, e pa një rrezik për të rënë lehtësisht nga pushteti, i leverdis një detantë e jo një përplasje me kryeministrin e Kosovës.
Në realitet këtu fshihet gjithçka: Rama që prej fitores së Vetëvendosjes më 14 shkurt 2021, ka marrë përsipër që të bëjë një luftë me Albin Kurtin, me qëllimin e vetëm për ta rrëzuar fabulën që e solli në pushtet Vetëvendosjen. Pasi nuk është e vërtetë se Rama me Kurtin ndahen për çështje botëkuptimore, siç e thotë shpesh kryeministri i Shqipërisë.

Por ata janë në një konflikt të hapur, pikërisht për mënyrën sesi do të duhet të trajtohet veriu i Kosovës. Me anë të Hashim Thaçit, vite më parë, e vetë sot, Rama është aktiv për çdo gjë që i takon veriut, duke ndërhyrë për të arritur versionin që ka ai, e jo atë tëvAlbin Kurtit.

I cili versionin e ka të qartë: Veriu nuk negociohet, autonomia nuk negociohet, nëse duan serbët të hyjnë në institucionet e Kosovës, ok kjo mund të diskutohet. Kurse Edi Rama është, e këtë e ka thënë hapur, për një status special të veriut. E në këtë mision, duket se është futur me kokë, duke përfshirë edhe kancelari e politikanë të lartë të Europës. Siç është Macron përshembull. I cili e ka thënë hapur se Franca me Serbinë ka interesa të rëndësishme ekonomike, e në këtë pikë, është Parisi që po shmang dënimin e Beogradit, edhe pse ky i fundit ndërmori aktin terrorist të Banjskës, apo edhe zgjodhi Putinin e Pekinin si partnerë preferencialë.

Edi Rama, në këtë rast është një farë 'kukulle' që natyrisht i leverdis për të qeverisur këtu në Shqipëri, siç i do qejfi. Por një ndikim politik në Kosovë, Edi Ramës do i sillte atë që ai ka në mendje për t'u bërë; një tip Erdogani shqiptar, ku të vendosë piketat, siç e duan qendrat politike që e sponsorizojnë kryeministrin shqiptar.

Që nga Sorosi, apo edhe korporata e interesa të tjera që veprojnë fshehurazi. Kthimi i kryeministrisë në një frëngji anti-Kosovë, në fakt po e degradon ditë për ditë natyrën e shtetit si një vend që mbron e mbështet të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Për këtë, Rama e Bajram Begaj janë në dy qëndrime të ndryshme, e duhet thënë të kundërta. Pikërisht për këtë Rama e hoqi nga axhenda presidentin e Shqipërisë në Samitin e Ballkanit.

Pasi në planin paraprak ishte planifikuar një drekë e kreut të shtetit me delegacionet pjesëmarrëse, ku Presidenti do të mbante edhe një fjalë rasti. Por frika se mos Presidenti Begaj, mund të fliste për të dënuar Serbinë pas ngjarjes së 24 shtatorit, bëri që të devijohej axhenda, e mes institucioneve ka një konflikt të hapur. Por kjo është temë për një shkrim tjetër./Pamfleti

edi rama frëngji anti-kosovë

Lini një Përgjigje

Editorial