Njëri shitet si socialist proeuropian, tjetri si nacionalist anti-Bruksel. Por pas kësaj fasade, Edi Rama dhe Viktor Orban kanë ndërtuar një aleancë interesi, ku kapitali hungarez hyn në sektorët strategjikë të Shqipërisë dhe pushteti forcon rrjetin e vet ekonomik...
Ka qenë kulmi i Pandemisë së COVID-19, kur në faqet e Pamfletit u shkrua për afrimin e çuditshëm midis Kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe atij të Hungarisë, Viktor Orbán.
Në një intervistë të Edi Ramës në emisionin e Enrico Mentana-s në televizionin La7, kreu i qeverisë shqiptare shokoi gazetarin e njohur italian me mbrojtjen e fortë që i bëri homologut të tij hungarez.
Ishte koha kur nisi përplasja e madhe e proevropianistëve në BE me njeriun e fortë të Budapestit, i cili, përveç simpatisë ndaj Donald Trump, ishte edhe mik e partner i Vladimir Putinit.
Nën lidershipin e Angela Merkel-it, Partia Popullore Evropiane ngriu anëtarësinë e Fidesz-it të Orbán-it, duke e konsideruar atë një formacion më shumë populist dhe euroskeptik, sesa një parti që mbron vlerat e Evropës së Bashkuar.
Partia Socialiste e Edi Ramës, në letra, i ka të gjitha atributet për të qenë një kundërshtare e fortë e partisë dhe lidershipit të Viktor Orbán-it, qoftë në Hungari, qoftë në Evropë, a në Ballkan.
Orbán është një manipulues i garës së ndershme politike, i cili ka dëmtuar dhe rrënuar fuqinë e Partisë Socialiste Hungareze, një nga forcat më përparimtare që ka rrënjë nga kryengritja antisovjetike e vitit 1954 me Imre Nagyn në krye, e më pas me Gyula Hornin në vitet '90 të shekullit të shkuar, i cili hapi sparin e një Evrope të re pa mure dhe përqafimin e demokracisë politike.
Ndërkaq, Orbán është kundërshtar i egër, madje armik, i mentorit të Edi Ramës, George Soros. Është mik shumë i ngushtë me të gjithë rivalët e shqiptarëve në rajon, duke nisur nga Aleksandër Vuçiç.
Viktor Orbán i dha strehim politik Nikolla Gruevskit, kryeministrit nacionalist të Maqedonisë së Veriut, i cili gjakosi Parlamentin e vendit të tij, duke çuar në koma Zijadin Selën, vetëm që të mos bënte një shqiptar kryetar të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut.
Të gjitha këto atribute politike të Orbán-it krijojnë panoramën e një fushe krejtësisht jo miqësore me një qeveri të Partisë Socialiste në Shqipëri.
Por, çuditërisht, pikërisht pas radikalizimit të tij politik, miqësia mes Ramës dhe Orbán-it u lidh e fortë, duke u reklamuar edhe publikisht si një “vlerë”.
Madje, Edi Rama mburrej në intervista të ndryshme se ka miq të ngushtë edhe Sorosin, edhe Orbán-in, edhe Trump-in, edhe Erdogan-in.
Më vonë nisën vizitat e ngushta bilaterale të Edi Ramës në Budapest, apo të kryeministrit hungarez në Tiranë. Për shkak të kësaj miqësie, Edi Rama u sulmua fort politikisht nga aleatët e tij socialistë evropianë, prej të cilëve është totalisht i izoluar tashmë.
Po cila është arsyeja apo arsyet e kësaj miqësie krejt të panatyrshme?
Si gjithmonë, nëse duhet ndjekur një relacion politik, gjëja e parë që shikohet janë përfitimet.
Hungaria është vendi që ka arritur të hyjë në tregun ballkanik të komunikacioneve dhe atë financiar, duke pasur një pozicion mjaft kyç në disa vende: Serbi, Bosnjë, Kroaci, Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri.
Depërtimi i influencës hungareze në Ballkan nuk ka ardhur si një investim i madh prej korporatave të rëndësishme dhe fuqishme të këtij vendi. Përkundrazi, në këtë depërtim dallojnë kompani që nuk kanë një traditë të konsoliduar në fushat ku Hungaria ka emër të mirë.
Hungaria është fuqi e rëndësishme dhe me emër në industrinë e automobilave, e sidomos të pjesëve të këmbimit: nga veturat, makinat e rënda, e deri te makineritë industriale, madje edhe vaporët, megjithëse nuk ka dalje në det. Por asnjë prej emrave të këtij sektori nuk ka investuar në Ballkan.
Hungaria ka qenë tradicionalisht lider në Evropën Lindore në industrinë kimike, por asnjë shtyllë e këtij sektori nuk ka investuar në Ballkan. Hungaria ka gjithashtu traditë në logjistikën e transportit të mallrave në të gjithë botën. Sërish, asnjë investim në këtë sektor.
Hungaria është gjithashtu një nga liderët evropianë të bujqësisë dhe industrisë ushqimore, ku ka një emër me shumë reputacion tradicionalisht. Sërish, asnjë investim në këtë sektor.
Por çfarë ka ndodhur? Në këtë depërtim, subjekte pa traditë dhe brend historik kanë investuar në Ballkan në tregun e mikrokredive, të spekulantëve të call center-eve, apo edhe në sektorë të tjerë të lidhur me to.
Ndërsa në Shqipëri, subjektet hungareze kanë hyrë me kokë në sektorët strategjikë, siç janë telefonia dhe interneti, si dhe bankat e nivelit të dytë.
Një konsorcium hungarez kontrollon kompaninë e parë (nga krijimi) të telefonisë celulare, si dhe një nga bankat e rëndësishme të përhapura në tregun e kredive dhe pasurive të paluajtshme.
Në mënyrë krejtësisht jotransparente, licenca e ish-AMC-së, të cilën Ilir Meta kur ishte kryeministër ua dha grekëve të Cosmote-së në 2002-in, iu transferua hungarezëve.
Në vitin 2017, në këtë kompani hyri gjigandi gjerman dhe evropian i këtij sektori, Deutsche Telecom, i cili është shtrirë fort në Ballkan. Por, krejt papritur, ata u larguan nga ky treg pa bërë shumë zhurmë. U tha nën zë se kjo ndodhi sepse nuk pati bilanc pozitiv.
Por në fakt nuk ishte kështu: gjermanëve nuk iu plotësuan kushtet e zgjerimit të aktivitetit, në mënyrë që të mos ecnin në një treg të vogël siç është Shqipëria, në një rreze të kufizuar. Nxjerrja jashtë e DTCom-it duket se ishte një strategji e mirëmenduar.
Pas largimit të gjermanëve, kompaninë e blenë dy subjekte shqiptarë krejt të panjohur, operacion që u duk që në fillim si flluskë financiare. Më pas, ndodhi ajo që u parashikua: një kompani e lidhur me Viktor Orbán-in mori në dorë operatorin e parë të telefonisë celulare, së bashku me operatorin më të vjetër të telefonisë fikse, i cili kishte edhe të drejtën e operatorit të tretë të telefonisë celulare. Ai gjithashtu zotëronte rrjetin më të konsoliduar të lidhjes së internetit me fibra optike. Pra, konsorciumi hungarez mori menjëherë një favor gjigant nga qeveria e Edi Ramës, pasi iu dhanë jo një, por katër leje operimi në treg: dy celulare, një fikse dhe internet provider.
E gjitha kjo ndodhi qartësisht në mënyrë preferenciale, duke larguar nga drejtimi i AKEP-it edhe Ilir Zelën, i cili duket se bëri rezistencë për të ofruar këtë transaksion.
Por pjesa më e dyshimtë e kësaj afere, apo e të gjitha aferave ku ka dorë Viktor Orbán, është gjurma ruse e parave që injektohen, e rrjedhimisht të atyre që përfitojnë.
Kompania që ka futur rrënjët në Shqipëri është akuzuar nga media të ndryshme në vendin e saj për gjurmë ruse dhe lidhje me shumë fije të padukshme. Gjë që vihet re në të gjitha bizneset e tjera në vendet ballkanike, duke nisur nga Republika Srpska, Serbia e Maqedonia e Veriut.
Pra, lidhja e Edi Ramës me Viktor Orbán-in duket se është thjesht një marrëdhënie biznesi, ku ata rrisin pushtetin personal dhe fuqizojnë influencën ekonomike të tarafeve të ngushta, me të cilët më pas fitojnë zgjedhjet./Pamfleti
Po ketu kuptohet qe eshte lepirje bythe! Dhe keta tanet e kane ne gjenetike lepirjen! Jane mjeshtra. Jua mesojne nonet qe ne djep ninullen e Lepirjes.
Edhe kollaren e ka zgjedhur si flamuri mikut.