TAGS-AT E JAVËS

Editorial15 Maj 2025, 10:06

Realiteti përtej frustrimit: Edi Rama, menaxheri i përçarjes

Shkruar nga Gjergj Zefi

  

Realiteti përtej frustrimit: Edi Rama, menaxheri i përçarjes
Edi Rama /

Me më pak se gjysmën e votave të shqiptarëve, Edi Rama qeveris i vetëm; jo sepse fitoi, por sepse të tjerët u shkatërruan mes veti. Në një sistem që ai e kupton dhe e përdor më mirë se kushdo tjetër…

Ka një kor të zhurmshëm publik që rrotullohet çdo herë rreth së njëjtës pyetje: pse opozita nuk vjen dot në pushtet, edhe pse Rama nuk ka shumicë të vërtetë votash? Dhe përgjigjja është aq e thjeshtë, sa bëhet e padurueshme: sepse Edi Rama është i vetmi që e ka kuptuar dhe e përdor me mjeshtëri aksiomën e lashtë romake “divida et impera”. Përça dhe sundo. Asnjëherë më shumë se sot, kjo logjikë nuk ka funksionuar me një efekt kaq laboratorik mbi trupin elektoral të Shqipërisë.

Faktet janë kokëfortë. Edhe pse Rama ka marrë 83 mandate në Parlament, ai ende nuk e ka thyer pragun e 800 mijë votave reale, edhe me gjithë kontributin nga diaspora. Në realitet, PS ka marrë më pak se 750 mijë vota brenda Shqipërisë. Dhe edhe nëse numërohen të gjitha zarfat nga emigracioni, me një rezultat ideal për të, vështirë të kalojë 840 mijë. Shifra që PS i ka pasur edhe në 2017, edhe në 2021. Asnjë rritje reale.

Ndërkohë, e gjithë pjesa tjetër e votave; nga PD e Saliut, partitë e tjera opozitare, partitë qytetare e antisystem, përbëjnë një bllok të barabartë me PS-në. Jemi në “fifty-fifty”. Rama nuk është shumicë reale. Ai është një shumicë e ndërtuar mbi boshllëkun dhe shpërndarjen e kundërshtarëve të tij. Nuk është dashur ndonjë aftësi e jashtëzakonshme, thjesht përdorimi në kohë dhe me saktësi i paaftësisë së tjetrit.

Edhe në vitin 2009, Sali Berisha fitoi me më pak vota se PS, por përmes një pakti me Ilir Metën, arriti të qeverisë. Sot, historia është përsëritur me role të ndryshuara. Rama e ka bërë të njëjtën gjë që bëri Berisha atëherë, por në formë më të rafinuar, duke mos i ofruar post ministri askujt, por duke përçarë gjithçka përmes iluzionit të alternativës.

Dhe, për ironi, e gjitha kjo mbështetet mbi një sistem zgjedhor që u krijua me bashkëpunimin e Sali Berishës dhe Edi Ramës në vitin 2008. Sistemi proporcional me lista të mbyllura u imponua për të vrarë pluralizmin dhe për të ruajtur kontrollin e liderëve mbi përfaqësimin.

Ky sistem është ende në fuqi dhe i jep bonusin jo më të madhit realisht, por më të bashkuarit, më të koordinuarit, dhe më përçarësit e të tjerëve. Rama e ka kuptuar këtë. Dhe e ka kthyer në armën më të fortë politike që ka.

Nuk ka fituar me shpresë. As me ide. As me vizion. Ka fituar sepse të tjerët nuk ndërtuan dot një kundërpeshë. Sepse opozita nuk kishte një lider që t’i bashkonte 800 mijë votat kundër Ramës në një front të vetëm. Sepse njerëzit me integritet që duhej të ngjiteshin, u lanë në hije. Dhe sepse klanet brenda opozitës e kanë pranuar që Rama të rrijë, për sa kohë që ata vetë ruajnë fragmentin e tyre.

Në këtë kontekst, ajo që Rama ka humbur në vota, e ka fituar në kontroll. Ai nuk është më lider partie. Ai është menaxher sistemi. Ai ndërton opozitën, e përcakton çfarë është qytetari model dhe çfarë është ekstremizmi. Ai është dhe rregulluesi i ndëshkimit të vetvetes.

Ai duket si i moderuar, por ka dhunuar publikisht një qytetar përmes një përgjimi të publikuar me urdhërin e tij. Nuk ka thënë “lavire bulevardi”, por e ka bërë sistemin të duket si një bordello e qetë, ku të gjithë e dinë rregullin dhe çmimin.

Edhe intervista e tij për ‘Corriere della Sera’, ku pretendoi se “vota nuk ishte kundër Berishës, por pro tij”, është një akt psikologjik i rafinuar, që e zhvendos thelbin e debatit nga realiteti tek perceptimi. E vërteta është ndryshe. Vota ishte kundër Berishës, por vetëm sepse nuk kishte një tjetër. Jo pro Ramës! Asnjëherë!

Sepse sikur opozita të kishte pasur një lider të vërtetë, që energjizonte gjithë spektrin anti-Rama, dhe të kthente të gjitha votat në mandate, sot do të kishim një shumicë të re. Dhe Rama do të ishte në minorancë.

Kjo nuk ndodhi. Sepse sistemi është krijuar për të mos e lejuar. Sepse Rama është i lidhur me strukturat e vjetra të kontrollit ndërkombëtar. Sepse Tony Blair është në prapaskenë. Ai, Ramën e ka lidhur me Erdoganin, me Sorosin, me britanikët dhe me arabët. Sepse ai është një njeri që i përket një arkitekture më të madhe se Shqipëria.

Dy ditë më parë, Tony Blair erdhi në Tiranë për 3 orë. U kthye menjëherë në Beograd. Ai nuk bën udhëtime për qejf. Ai është strumbullari i një backround-i gjeopolitik, ku Rama është njeriu i saktë në vendin e duhur, për ta administruar Shqipërinë si zonë të kontrolluar, jo si demokraci.

Ndaj, sot erdhi në Tiranë kryeministri britanik, për herë të parë në histori. Jo për të festuar fitoren e ndonjë demokracie, por për të forcuar vijën e interesit britanik në Ballkan.

Ndaj fitorja e Ramës nuk është për tu festuar. Është për tu analizuar. Dhe për të kuptuar se nuk është ai që ka fituar, por janë të tjerët që kanë humbur. Dhe kanë humbur sepse nuk deshën të fitonin. Sepse ishin më të zënë duke u përplasur me njëri-tjetrin, se sa me të.

Dhe kështu, një sistem i ndërtuar me cinizëm, një makineri e kalibruar me sakrifica false dhe një opozitë që më shumë të neverit, sesa të josh, i dha Ramës një pushtet që nuk i takon me vota, por me ndërgjegje të pambrojtur./Pamfleti

realiteti përtej frustrimit edi rama menaxheri i përçarjes

Lini një Përgjigje

Editorial