TAGS-AT E JAVËS

Editorial14 Maj 2025, 11:37

Samiti në hije i Tiranës: Zgjerimi përplaset me Realpolitikën!

Shkruar nga Pamfleti

 Samiti në hije i Tiranës: Zgjerimi përplaset me

Nga Tirana, liderët europianë përballen me një zgjedhje: të ndryshojnë qasje, ose të shohin BE-në të rrudhet në një muze diplomatik…

Zgjerimi dhe gjeopolitika ndodhen sot në kahe të kundërta të historisë. Njëri ndërton me durim, tjetri shemb me urgjencë. Njëri kërkon transformim institucional, tjetri vepron me logjikën brutale të interesit të çastit. Në këtë përplasje, Bashkimi Evropian ndodhet në një pikë kthese ekzistenciale.

Në të shkuarën, zgjerimet e BE-së ishin të ngadalta, por të qëndrueshme. Ato shënuan fundin e ndarjes së Europës, integrimin e vendeve të ish-bllokut lindor dhe forcimin e një modeli demokratik në kontinent. Gjeopolitika, në atë kohë, ishte një sfond i heshtur. SHBA-të e mbështesnin. Rusia heshtte. Vendet kandidate reformatonin shtetin, rregullonin ekonominë, përkthenin acquis communautaire në ligj kombëtar.

Sot gjithçka ka ndryshuar. Zgjerimi është kthyer në një fushëbetejë ku BE-ja nuk është më arbitër, por palë. Dhe në këtë betejë, kundërshtarët nuk janë më burokracitë e papërshtatura të Ballkanit, por Rusia, SHBA-ja e Trumpit dhe populizmi brenda vetë Bashkimit.

Nga Tirana, një reflektim në kohë realpolitike

Takimi i 16 majit i Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Tiranë, ku marrin pjesë liderët e 47 vendeve evropiane (me përjashtim të Rusisë dhe Bjellorusisë), është simbolik, por edhe sinjal i një reflektimi urgjent për të ardhmen.

Ky nuk është më një dialog i zakonshëm për ndarjen e fondeve apo koordinimin e reformave. Kjo është një krizë identitare për vetë BE-në. Si mund të mbetet një “spirancë stabiliteti” në një kontinent ku dy aktorë të mëdhenj – Rusia dhe SHBA – po luajnë lojëra të rrezikshme për ta minuar atë?

Rusia nuk ka hequr dorë nga Ballkani dhe as nga fronti lindor

Kremlini është më aktiv se kurrë: nga sabotimi i referendumit për BE-në në Moldavi, te shtytja e qeverisë në Gjeorgji për të braktisur integrimin; nga instrumentalizimi i Serbisë dhe Republikës Srpska në Bosnje, deri te përpjekjet për destabilizim të qëllimshëm në rajon. Rusia është kthyer nga pengues i heshtur në sabotues aktiv.

Trump dhe Amerika që nuk e do më një BE të fortë

Ndërkohë, SHBA nuk është më motori shtytës i projektit europian. Donald Trump e ka etiketuar BE-në si “armik ekonomik”, ka përkrahur Brexit-in dhe ka bërë të qartë se nuk ka as interes, as vullnet për një BE më të madhe e më të fortë.
Edhe më alarmante, janë interesat minerare amerikane në Ukrainë, që përplasen me agjendën europiane për integrimin e këtij vendi. Nëse negociatat për Ukrainën kthehen në një pazar tregtar SHBA–Rusi, projekti europian rrezikon të dështojë për herë të parë në historinë e tij.

Evropa në konflikt me vetveten: veto, bllokime dhe mosbesim

Ndërkohë brenda BE-së, vendet anëtare nuk janë më të bashkuara. Hungaria është gati të bllokojë sanksionet kundër Rusisë dhe hapjen e negociatave me Ukrainën. Vendet pro-ukrainase, në shenjë hakmarrjeje, mund të bllokojnë Ballkanin Perëndimor. E gjithë arkitektura e zgjerimit rrezikon të bjerë në kaos nga vetoja e një shteti të vetëm.

Kjo situatë ka prodhuar dy qasje që po përplasen:

-Qasja tradicionale, që sheh integrimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi si mënyrë për të ruajtur kredibilitetin e zgjerimit deri në 2030;
-Qasja gjeopolitike, që kërkon ankorimin urgjent të Ukrainës në BE, qoftë edhe me një anëtarësim të pjesshëm apo të “asociuar”, duke lënë legjislacionin për më vonë.
Asnjëra nuk është e gabuar, por asnjëra nuk ka mekanizma për zbatim pa konsensusin e shteteve anëtare. Dhe në klimën aktuale politike, me rritjen e partive populiste në çdo cep të kontinentit, ky konsensus duket i pamundur.

Zgjerimi kërkon një BE tjetër, jo vetëm më të madhe, por edhe më të guximshme

Nëse BE-ja vazhdon të sillet si zakonisht, ajo nuk do ta fitojë këtë garë me gjeopolitikën. Zgjerimi kërkon rregulla të reja, fleksibilitet politik, një komunikim publik bindës dhe një vullnet për të thyer precedentin.

EPC në Tiranë nuk do japë zgjidhje, por mund të japë sinjalin se BE-ja e ka kuptuar se koha e "business as usual" ka marrë fund.

Tani, ose Bashkimi bëhet realisht gjeopolitik, ose do të mbetet një kujtim institucional i një epoke që nuk i flet më krizës së sotme./Pamfleti

samiti në hije i tiranës

Lini një Përgjigje