TAGS-AT E JAVËS

Editorial11 Shtator 2023, 10:14

Urrejtja sado e ligjshme nuk duhet ta humbasë arsyen

Shkruar nga Kolec Traboini

 

Urrejtja sado e ligjshme nuk duhet ta humbasë arsyen
Benet Beci vëndos kurora në memorialin e Postribës

Për çfarë ngjau në lapidarin e Postribës

Ka plot sehirxhi të Internetit që përpiqen ti japin ngjarjeve drejtime për të cilat, o paguhen, ose janë pjesë e grupimeve që dikur i quanin mitingashë, skalione të verbra të politikës. Me një fjalë sherrxhi. Mjerisht dhe ndonjë media i frynë zjarrit të kazanit ku vlojnë gjithfarë sulmesh të personalizuara.

Arrijnë deri atje sa të thonë se, një ish i persekutuar familjarisht nga regjimi, ja përplasi kryetarit të Bashkisë Shkodër duke i hequr kurorat që u vendosen në lapidarin përkujtimor të Kryengritjes së Postrribës. Pra tendenca është të stigmatizohet kryetari i sapo zgjedhur i Bashkisë që e mirëpriti me shumicë dominuese populli i Shkodrës.

Përdorim i ngjarjes me një interpretim dinak dhe banal. Gjithsesi këtyre që e personalizojnë veprimin e një të revoltuari (në të drejtën e tij) duke shigjetuar personalisht një njeri, u duhet kujtuar:

Benet Beci është i biri i një gjuhëtari të nderuar shkodran Bahri Beci, nga familje atdhetare që nuk ka të bëjë me krimet e Enver Hoxhes. Se Benet Beci është një specialist. Pra njeri profesional para se të jetë politik. Se këtë që sot po e shani, kur ishte në aparatin shtetëror të Sali bej Berishës, që e kishit zot e perëndi e para të cilit gjunjëzoheshit dhe lëpiheshit, ju e lavdëronit Benet Becin.

Drejtojeni tehun e shigjetës atje ku duhet. Unë e kuptoj qëndrimin e atij burri nga Postrriba, është qëndrim emocional i kuptueshëm, respekt për të, por ai nuk e ka personale revoltën e tij. Nëse do të ishte personale ndaj një njeriu të vetëm,  nuk do të kishte vlerë, por akti i tij shpreh një qëndrim ndaj sistemit shtetëror qeverisës, mashtrimeve të politikës në këtë pseudodemokraci që e sundon këtë vend.

Në këtë pikëpamje dhe unë bashkohem me revoltën e çdokujt që proteston për këtë realitet absurd ku nuk u dënuan kriminelët, madje as që u dënua sistemi kriminal i komunistëve, barku që polli krimin, duke arritur deri atje që bijtë e nomenklaturës së lartë komuniste të qeverisin këtë vend edhe pas 33 viteve kinse përmbysje.

Pyesni veten çfarë përmbyset e kë sollët në pushtet në vitin 1992. Çfarë bënë ata për çrrënjosjen e komunizmit? Si shkuat si tufë e verbër pas ish komunistëve të llangosur blu që nuk e nxorën nga ligji PPSH, por vetëm i ndërruan emër, ato si kolonë e pestë bënë që pinjollët e komunizmit të mbijetonin. Ja pra që ju,  që rrihni gjoksin si demokratë, duhet t'ju vrasë ndërgjegjja se shkuat si delet pas çobanit dhe me parullën programore demagogjike - ujqër dhe dele jemi vëllezër - edhe sot, kur Amerika ju ndihmon në sy hapje, ju vazhdoni të shkoni pas një ish komunisti. Pa pasur forcë e kurajë për ti hedhur në koshin e plehrave të historisë mashtruesit, demagogët, që spekuluan me idealet e popullit. Gjithkush, ti bëjë pyetje vetes: sa demokratë jemi, çfarë mund të bëjmë për demokracinë e vërtetë dhe përparimin e vendit, para se të anatemojmë të tjerët.

Lavdi Martirëve që nuk e kursyen as jetën që vendi të ishte i lirë e pa komunistë, kjo kolerë e kuqe e njerëzimit./Pamfleti

postriba urrejtja arësyeja

Lini një Përgjigje