TAGS-AT E JAVËS

Editorial 4 Shtator 2023, 09:55

Në dorë të Aleksit, si në dorë të Dreqit

Shkruar nga Pamfleti

 

Në dorë të Aleksit, si në dorë të Dreqit
Rama me Aleksandër Soros

Si do të shkojë kjo punë më tej, mund të pyesë ndokush? Si në dorë të Dreqit... nëse nuk e përzënë, keq e më keq, deri në rrethin e fundit të Ferrit...

Na e certifikoi turizmin edhe Aleks Soros. Tani mund të flemë të qetë. Pas një vere të mbushur si kurrë më parë me artikuj të sponsorizuar për "Maldivet shqiptare", fiks në kohën e fillimit të sezonit politik, atëherë kur plazhet fillojnë e zbrazen, Aleksandër Soros, financuesi i pushtetit të Edi Ramës, shfaqet në rrjetet e veta sociale dhe, çuditërisht, me një postim gjithashtu të sponsorizuar, uron "vëllain" e tij, Edi Rama, për këtë sezon turistik të suksesshëm.

Në dorë të Aleksit, si në dorë të Dreqit

"Pas shumë kohësh një sukses i tillë për vendin që dikur ishte Korea e Veriut e Evropës", shkruan Aleksi dhe natyrisht postimin e ka shoqëruar me një foto krahaqafë  me "vëllain e dashur".

I digjej barku Aleksandër Sorosit për suksesin e turizmit shqiptar dhe nuk e paskemi ditur!

Apo për sukseset e ortakut/ushtarit të vet?!

Ose për të dyja?!

Cilido qoftë meraku i Aleksit, ajo që bën më shumë përshtypje në këtë marrëdhënie diabolike, që rri e rri dhe shfaqet në publik me mesazhe të koduara, fiks siç i ka hije një klani mafioz të konsoliduar, është lidhja e ngushte dhe ndjekja nga afër, saktësisht e dirigjuar prej familjes Soros, e gjithçkaje që ndodh në Shqipëri.

Plaku Soros ia ka kaluar stafetën me të gjitha porositë birit të vet dhe ne si shqiptarë e dimë më mirë se askush tjetër, se fëmijët e diktatorëve janë më gjakatarë se etërit e tyre. Kaq mjafton të dish për të kuptuar akoma më shumë atë që po ndodh në Shqipëri.

Në dorë të Aleksit, si në dorë të Dreqit
Atë e bir, Xhorxh dhe Aleksander Soros

Edi Rama, përpara se të shprehë lumturinë e shtirur nëpër rrjetet sociale për turizmin e "Maldiveve shqiptare" le të dalë e të tregojë me çfarë parash janë sponsorizuar gjithë ata artikuj promovues nëpër mediat më të njohura të botës?

Me çfarë parash e mbuloi këtë fushatë të pasqyruar si kurrë më parë në të gjitha mediat e oborrit?

Kush ia dha dhe me çfarë çmimi në këmbim?

Është fëminore të mendosh se këto ndodhën vetë dhe pa pritur e pa kujtuar Shqipëria nga vendi që prodhonte vetëm lajme për korrupsionin dhe mafien më të rrezikshme në Evropë, na u kthye në kopshtin shkëmbor të lulëzuar të Evropës Juglindore!

Kjo ndodhi me dirigjim dhe fatura të majme dhe dora që e ka mbajtur shkopin e dirigjentit u shfaq dje në postimin e sponsorizuar të Aleks Soros.

Shtetin shqiptar e ka marrë në dorë familja Soros e po hargaliset e kënaqet me të. Shteti shqiptar ka rënë në dorë të Aleksit dhe për këtë s’ka më nevojë për prova. Është ashiqare e dukshme se jemi në dorë të Dreqit. Të këtij Djalli shtatshkurtër e shëndetlig që luan e argëtohet e në fund edhe tallet po aq hapur me ne.

Si do të shkojë kjo punë më tej, mund të pyesë ndokush?

Si në dorë të Dreqit... nëse nuk e përzënë, keq e më keq, deri në rrethin e fundit të Ferrit./Pamfleti

aleksander soros edi rama në dorë të aleksit në dorë të dreqit

Lini një Përgjigje

Editorial