Ekonomi26 Mars 2023, 16:51

FMN-ja parashikon një vit të vështirë për ekonominë globale, shkak lufta në Ukrainë

Shkruar nga Pamfleti

FMN-ja parashikon një vit të vështirë për

2023-shi duket se do të jetë sërish një vit  i vështirë ekonomikisht. Drejtoresha Menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, deklaroi se viti 2023 do të jetë një tjetër vit sfidues, me ngadalësimin e rritjes globale nën 3 për qind për shkak të efekteve të pandemisë, luftës në Ukrainë dhe politikës monetare shtrënguese.

Gjatë fjalimit të saj në Forumin e Zhvillimit të Kinës, Georgieva shtoi se edhe pse për vitin 2024 është bërë një parashikim më pozitiv, sërish rritja globale do të mbetet nën mesataren historike prej 3.8 për qind.

Pasiguritë janë jashtëzakonisht të larta, duke përfshirë rreziqet e fragmentimit gjeo-ekonomik, që mund të nënkuptojë ndarjen e botës në blloqe konkurruese ekonomike, një ‘ndarje e rrezikshme’ që do t’i bëjë të gjithë më të varfër dhe më pak të mbrojtur”, tha menaxherja e FMN-së.

Georgieva përjashtoi Kinën nga ky parashikim i zymtë, pasi ekonomia e saj pritet të ketë rritjen më të madhe krahasuar me vendet e tjera.

Rimëkëmbja e fortë do të thotë që Kina do të përbëjë rreth një të tretën e rritjes globale në vitin 2023, duke ofruar një nxitje të shumëpritur për ekonominë globale. Krahas kontributit të drejtpërdrejtë në rritjen globale, analiza jonë tregon se një rritje prej 1 pikë përqindjeje në rritjen e PBB-së së Kinës çon në një rritje mesatare prej 0.3 pikë përqindjeje në rritjen e ekonomive të tjera aziatike, që është një stimul pozitiv”, shtoi Georgieva.

 

fmn ekonomia globale