Ekonomi31 Maj 2023, 17:09

“Gjatë verës, euro do të vazhdojë rënien”, Sejko jep alarmin: Ngritja e pagave do të sjellë rritje të inflacionit

Shkruar nga Pamfleti

“Gjatë verës, euro do të vazhdojë rënien”,

Banka e Shqipërisë sugjeron që rritja e pagave të shoqërohet edhe me rritjen e produktivitetit. Për Guvernatorin, Gent Sejko kjo masë paralele, do të ndikojë në një luhatje çmimesh më të kontrolluar.

Banka e Shqipërisë nuk e ka një projeksion se sa do të jetë pesha e rritjes së çmimeve në treg, pas vendimit të rritjes së pagave, por efekti shtesë do të jetë i padiskutueshëm. Komenti vjen nga Guvernatori Gent Sejko në Komisionin e Ekonomisë.

Rritja e pagave sjell rritje konsumi dhe rritja e konsumit sjell inflacion. Se sa do të ndikojë rritja e pagave në inflacion, kjo është tjetër gjë, por natyrisht që do të ketë rritje në inflacion”, shtoi Sejko.

Për guvernatorin, rritjen e rrogave është pozitive, pasi koha për një vendimarrje të tillë kishte ardhur, por është e rëndësishme që bizneset dhe administrata të rrisin produktivitetin në vazhdim.

Për të qenë më konkurrues ne kemi një sfidë të madhe që është emigracioni dhe një nga elementët është rritja e pagave. Sigurisht që rritja e pagave duhet të jetë paralel me produktivitetin.  Nëse do të kishte rritje pagash pa rritje të produktivitetit, atëherë ndikimi në inflacion do jetë më i lartë. Nëse rritja e pagave do të shoqërohet me rritje produktiviteti, me investime në teknologji dhe burime njerëzore inflacioni do të jetë më i ulët”, tha ai.

Ndërkohë sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, euro do të zhvlerësohet më tej. Në një kohë kur valuta evropiane po shkëmbehet për më pak se 109.7 lekë, turizmi mund ta çojë kursin e këmbimit drejt raportit 1 me 100 lekë.

Po të kemi parasysh që pritshmëritë për sezonin turistik janë ndjeshëm më të larta se vjet, që sigurisht kjo është një gjë e mirë për ekonominë, atëherë leku do të vijojë të forcohet. Kjo do të zhvlerësojë rrjedhimisht më tej euron”, deklaroi guvernatori Sejko.

Në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, Guvernatori Gent Sejko tregoi edhe arsyet se pse Banka e Shqipërisë nuk mund të ndërhyjë te kursi i këmbimit.

Po në qoftë se unë do të rregulloj një pjesë i bie të prish 10 të tjera dhe nuk e bëjmë dot. Sikur të ndodhte do të dilnin pjesë të tjera dhe do të ankoheshin. Nuk mund ta bëjmë”, tha ai.

bsh ekonomia euro pagat