TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 6 Korrik 2026, 20:50

Nëna e Arbër Lleshajt në protestë: Nuk na trembni me arrestimin e fëmijëve tanë

Shkruar nga Pamfleti
Nëna e Arbër Lleshajt në protestë: Nuk na trembni me
Vijon protesta

Një nga momentet më emocionale të protestës së 37-të para Kryeministrisë ishte fjala e nënës së Arbër Lleshit, një prej aktivistëve të arrestuar gjatë përplasjeve me policinë më 2 korrik.

Mes duartrokitjeve të protestuesve, ajo rrëfeu se djali i saj, sipas saj, u dhunua gjatë shoqërimit në furgonin e policisë dhe se shenjat e goditjeve janë ende të dukshme.

"Përshëndetje qëndrestarë. Unë jam mamaja e Arbër Lleshit, të cilin ma arrestuan më 2 korrik. Shenjat e grushtave në furgonin e policisë i ka edhe tani që është data 6! Kur kam parë videon që dhunojnë tim bir u bëra më e fortë dhe thashë: Nëse kam ardhur një ditë po e një ditë jo se jam e sëmurë, që sot e tutje përditë këtu në shesh do jem dhe këtu na ke!", u shpreh ajo.

Në vijim të fjalës së saj, ajo iu drejtua kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se arrestimet nuk do t'i largojnë prindërit nga protesta.

"Edi Ramës po i them kështu: Ti kujton se do na trembësh me arrestimin e fëmijëve tanë? Përkundrazi! Jemi bërë edhe më të forta dhe do jemi këtu në shesh! Jo 37 ditë, por 37 javë e 37 muaj po deshe! Deri sa klasa politike e qelbur që masakroi këtë popull të shkojë në koshin e plehrave. Një kryeministër i tillë nuk e ka parë historia në asnjë vend të botës! Kryehajdut, ti nuk e meriton fjalën kryeministër më! Nuk e gënjen dot më këtë popull", deklaroi ajo.

Në përfundim, nëna e aktivistit u ndal te roli i të rinjve në protestë, duke thënë se beteja nuk do të ndalet.

"Kjo rini e ka parë demokracinë dhe nuk u bën dot më gol kësaj rinie të mrekullueshme! Ne jemi këtu, me fëmijët tanë dhe bashkë me prindërit", përfundoi ajo.

Fjala e saj u prit me duartrokitje nga protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë, ku prej 37 ditësh qytetarët vijojnë tubimet duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, lirimin e protestuesve të arrestuar dhe ndryshim të klasës politike.

protesta lleshaj

Lini një Përgjigje