
Vetëm këtë vit, 75 vende të varfra duhet të paguajnë 22 miliardë dollarë borxhe ndaj Pekinit. Në shumë raste ato përfundojnë në një rrugë pa krye. Në këtë grackë, po joshet të bjerë edhe Grenlanda, ishulli më i madh në botë, dhe me më shumë pasuri nëntokësore...
Tundim por edhe kurth. Këtë e di kushdo që e ka provuar: huazimi i parave nga Kina mund të jetë si i dobishëm, por edhe të ketë pasoja katastrofike. Për vite me radhë, Pekini ka ofruar kredi për projekte infrastrukturore në të gjithë botën, veçanërisht për vendet në zhvillim, duke i kanalizuar ato në nismën “Një Brez, një Rrugë”.
Rruga e Re e Mëndafshit, arma më e fortë e fuqisë së butë në duart e qeverisë kineze, i jep mundësi të zgjerojë ndikimin e saj duke u shfaqur si një superfuqi e afërt me nevojat që kanë vendet e Hemisferës Jugore, ose siç njihen ndryshe vitet e fundit Jugut Global.
Njëkohësisht, kjo skemë i lejon kinezët të vënë nën kontroll infrastruktura të mëdha dhe burime strategjike të atyre që nuk janë në gjendje të shlyejnë borxhet e tyre. Me kalimin e kohës, shumë shtete nuk i kanë përmbushur detyrimet e tyre, duke e rritur borxhin ndaj Pekinit.
Një studim nga grupi i ekspertëve të Institutit Lowy, ka përcaktuar se 75 nga vendet më të varfra në botë, do të duhet të paguajnë vetëm për këtë vit 22 miliardë dollarë borxhe ndaj Kinës. “Tani dhe për pjesën tjetër të dekadës, Kina do të jetë më shumë një mbledhëse borxhesh sesa një bankë”- thekson raporti.
“Nuk jemi në dijeni të këtij raporti”- deklaroi Ministria e Jashtme kineze, duke theksuar se “bashkëpunimi financiar dhe i investimeve i Kinës me vendet në zhvillim, zbaton normat ndërkombëtare, rregullat e tregut dhe parimin e qëndrueshmërisë së borxhit”.
Ky skenar paraqet edhe një problem për Xi Jinping. Sidomos për imazhin, pikërisht në kohën kur shumë vende kanë më shumë nevojë për të, duke pasur parasysh klimën e pasigurisë së thellë ekonomike që ndihet në botë, veçanërisht që nga rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Megjithatë, këmbëngulja për ristrukturimin e borxheve në vendet e Jugut Global, mund të jetë e kushtueshme për Pekinin, diçka që nuk ka luksin ta përballojë në këtë periudhë të një rritjeje ekonomike të kufizuar. Dhe strategjia e financimit e lidhur me Rrugën e Re të Mëndafshit është rishikuar tashmë një herë, duke i zvogëluar ambiciet e saj.
Njohja e Tajvanit si pjesë e Kinës ndihmon në përfitimin e këtyre kredive. Ky është rasti i Burkina Fasos, Ishujve Solomon, Hondurasit (vend që thuhet se kërkoi 2.5 miliardë dollarë hua), Nikaraguasë dhe Republikës Dominikane.
“Ekzistojnë prova shumë të qarta, se Republika Popullore e Kinës e përdor ndihmën për të zbatuar politikën e “Një Kine’”- thotë Brad Parks, drejtor ekzekutiv i AiData në Kolegjin William dhe Mary në Virxhinia, SHBA. “Ne kemi zbuluar se vendet që nuk e njohin Tajvanin si shtet, kanë mesatarisht 1.6 projekte zhvillimi më shumë në vit”- nënvizon ai.
Synimi për të vazhduar me dhënien e kredive, lidhet edhe me ato vende që kanë shumë për të ofruar sa i përket burimeve, siç janë Argjentina, Brazili dhe Indonezia. Por natyra strategjike lidhet me shumë aspekte të tjera. Kështu edhe Laosi, një vend i prekur nga një krizë borxhesh thuajse të pazgjidhshme dhe për të cilën është përgjegjëse Kina, bëhet një përfitues i rëndësishëm për çështjet e ndikimit rajonal.
E njëjta gjë vlen edhe për Mongolinë dhe deri diku edhe për Pakistanin, Indonezinë dhe Kazakistanin. Pa përmendur Amerikën e Jugut, ku Argjentina dhe Brazili krenohen se kanë një rezervë të madhe burimesh natyrore. Grenlanda, është e fundit në listë që po përpiqet t’i afrohet kredive kineze.
“Ne duam që ta zhvillojmë sektorin tonë të biznesit dhe ta diversifikojmë atë, dhe kjo kërkon investime nga jashtë”- paralajmëron Ministri për Biznesin dhe Burimet Minerale, Naaja Nathanielsen. Duke folur për Financial Times, ai sqaron se këto investime mund të përfshijnë edhe ato kineze. Sipas tij gjithçka varet nga sjellja e evropianëve dhe amerikanëve: “Ne duam që të bashkëpunojmë me ta, por nëse nuk duan, mendoj se do të duhet të kërkojmë para diku tjetër”.
Qeveria e Nuuk, kishte nënshkruar më herët një memorandum mirëkuptimi mbi shfrytëzimin e mineraleve me Shtetet e Bashkuara që gjatë mandatit të parë të Donald Trump, por ky memorandum po skadon. Një përpjekje për ta rinovuar atë ishte bërë nga Joe Biden.
Tani Trump është rikthyer në krye të SHBA-së me ambicie shumë më të mëdha. Ai dëshiron të kontrollojë gjithë ishullin. “Shpresonim që administrata e tij do të ishte më e hapur për të folur me ne rreth minierave. Por morëm pak nga ajo që kërkuam”- shton me ironi Nathanielsen.
Aktualisht në Grenlandë janë në punë vetëm 2 miniera, një për ar dhe një për anortozite, një shkëmb i bardhë me origjinë magmatike, i përdorur nga industria e makinave, turbinat me erë, ajo e materialeve izoluese, industria hapësinore, mbrojtëse etj.
Çdo gjë tjetër është nën tokë, dhe duhet dikush që ta gërmojë dhe nxjerrë. Prandaj ishulli po hap dyert e tij për investime. “E kemi të vështirë të gjejmë vendin tonë në botë”- e pranon ministri, duke iu referuar turbullirave në skakierën ndërkombëtare.
“Investimet kineze janë padyshim problematike, por deri diku të tilla janë edhe investimet amerikane” - shton ai. Megjithatë Pekini po ecën me kujdes në rastin e Grenlandës, edhe pse është gjithmonë shumë i fortë tundimi për të ecur në gjurmët e Evropës dhe Shteteve të Bashkuara./Pamfleti nga “Huffington Post Italia”
Lini një Përgjigje