Teuta Nunaj, eksperte ekonomie ka treguar arsyet pse pensionet në Shqipëri janë të ulta.
“Arsyeja pse ka pensione të ulta lidhet direkt me pagën, sa kontribute ke derdhur dhe numri i viteve të kontributeve. Duke qenë se paga mesatare ka qenë 3400 lekë kur ka nisur skema e pensioneve në vitin 1993 dhe sot është 40 000 lekë, e duke qenë se gati gjysma e punonjësve janë deklaruar me pagë minimale, automatikisht pensioni do të ketë vlerë minimale”, shpjegoi Nunaj.
Më tej, ekspertja tregoi se si mund të rriten këto pensione.
“Rritja për pensionistët mund të bëhet ose përmes bonuseve mujore, ose përmes vendosjes së një pensioni të 13. Kjo nuk e cenon skemën. Nëse do të rrisim pensionet nga ky moment, atëherë ndryshon koeficenti. Qytetarët duhet ta kenë të qartë: formula e llogaritjes së pensionit nuk ndryshon”.
Disa ditë më parë Kryeministri Edi Rama është justifikuar për pensionin e ulët që marrin të moshuarit. Nga Pogradeci, ku Rama foli në Asamblenë e Zgjeruar të PS, u shpreh se numri i pensionistëve është shumë më i lartë se ai i punonjësve të shtetit.
Shkurt, Rama tha se “kaq mundësi kemi” për pensionistët.
Sipas tij, të rinjtë nuk duhet të ankohen dhe të thonë se gjyshi apo babai e ka pensionin e ulët, pasi ata nuk ka paguar kontribute.
“Unë e di shumë mirë që për pensionistët nuk do mjaftojë dot asnjëherë ajo që ne bëjmë në raport me ata që bëjnë. Por në mënyrë transparente këto janë mundësitë dhe këto janë shifrat. Kemi një numër të lartë pensionistësh krahasimisht me numrin e punonjësve të shtetit dhe për këtë arsye edhe rritja e pensioneve është me e ngadalte.
Duke pasur parasysh që nëse ka një gropë që ne nuk e kemi mbyllur ende është gropa e krijuar nga mungesa e kontributeve shoqërore. Se kollaj është sot të thuash se gjyshi apo babai ka një pension të ulët, por duhet të pyesësh veten që unë kam paguar kontribute që gjyshi apo babai të ketë një pension të mirë? Përgjigjja është jo”, tha Rama.
Lini një Përgjigje