
Burokracia, mungesa e fondeve dhe kaosi rajonal e kanë kthyer projektin strategjik të dekadës në një simbol të paaftësisë shtetërore...
Që nga burokracitë e pafundme, te mungesa e fondeve dhe sabotimi rajonal; arsyet e shtyrjes së autostradës tregojnë krizën e kapaciteteve shtetërore në Ballkan
Autostrada Adriatik-Jon, e shpallur prej më shumë se dy dekadash si “arteria e madhe” që do të lidhte Shqipërinë, Malin e Zi, Kroacinë dhe Greqinë me korridoret e zhvillimit europian, është sot shembulli më i pastër se si qeveritë e Ballkanit e kanë bërë zakon të premtojnë autostrada në konferenca shtypi, por të prodhojnë vonesa në terren.
Shtyrja e nisjes së punimeve me së paku tre vite nuk është thjesht një “incident teknik”: është fotografia zyrtare e pafuqisë, e mungesës së profesionalizmit dhe vullnetit politik për projekte që kërkojnë koordinim, transparencë dhe shtet funksional.

Arsyet janë të shumta, por të gjitha kanë një emër të përbashkët: qeveritë nuk kanë kapacitete, nuk kanë prioritete dhe shpesh nuk e kanë sinqeritetin për ta çuar projektin deri në fund. Burokracitë e pafundme kanë bërë që studimet mjedisore, lejet teknike, aprovimet territoriale dhe auditimet të zvarriten pa fund, ndërsa ministrat flasin për “dinamizëm rajonal” vetëm në deklarata.
Në vendet tona, një procedurë që duhej të zgjasë gjashtë muaj, zgjat tre vjet, sepse hallkat e shtetit janë të bllokuara midis papërgjegjësisë dhe interesave politike.
Është edhe problemi i financimeve. Qeveritë bëjnë plane infrastrukturash që vlejnë miliarda euro, ndërkohë që buxhetet e tyre reale nuk mbulojnë as 10 për qind të kostos. Ndaj, projektet varen nga fondet e huaja, instrumentet financiare të BE-së dhe kreditet e bankave zhvillimore, procese të cilat kërkojnë dokumente të sakta, transparencë dhe studime serioze. Por shumë shpesh, qeveritë e rajonit kanë nxjerrë para partnerëve ndërkombëtarë projekte të papërgatitura, të pambështetura me të dhëna, të paqarta dhe me kosto që ndryshojnë sa herë ndërron ministri.
Vonesa është e lidhur edhe me mungesën e koordinimit rajonal. Shtetet e Ballkanit, të cilat në letër flasin për “bashkëpunim infrastrukturor”, në praktikë mendojnë vetëm për vijën e tyre elektorale dhe për interesat e brendshme politike.
Autostrada nuk mund të ndërtohet me logjikën e “secili për vete”: nuk mund të fillojë Shqipëria pa qenë gati Mali i Zi, dhe nuk mund të ecë Mali i Zi pa qenë në sinkron me Kroacinë. Në vend të tryezave reale të punës, rajoni ka prodhuar vetëm samite fotografike, ku nënshkruhen memorandume që pluhurosen brenda vitit.
Pengesat teknike dhe mjedisore janë gjithashtu pasojë e një modeli të vjetër qeverisjeje: mungesë përgatitjeje profesionale, mungesë ekspertize, mungesë vlerësimesh të thelluara. Rruga kalon në zona bregdetare, në zona të mbrojtura dhe në terrene të vështira; të gjitha këto kërkojnë studime serioze, jo dosje të bëra me nxitim për të plotësuar një premtim politik. Kur qeveritë funksionojnë me logjikën e “ta çojmë projektin në tender dhe pastaj shohim”, vonesat janë të garantuara.
Në fund, përgjegjësia bie mbi qeveritë që e përdorin infrastrukturën si instrument propagande, jo si politikë zhvillimi.
Në Shqipëri, në Mal të Zi dhe në vende të tjera të rajonit, autostradat përmenden më shpesh në spote fushatash elektorale sesa në plane reale. Projekti Adriatik–Jon është bërë një simbol i konfliktit mes asaj që qeveritë thonë dhe asaj që arrijnë të bëjnë. Dhe ndërkohë që liderët rajonalë fotografohen nëpër samite, qytetarët e Ballkanit mbeten me rrugë të vjetra, trafik, mungesë sigurie dhe ekonomi që udhëtojnë më ngadalë se retorika politike.
Të gjithë këto arsye të mbledhura tregojnë një fakt të thjeshtë: autostrada nuk po vonohet nga natyra, por nga politika. Dhe për sa kohë shtetet e Ballkanit nuk ndërtojnë institucione që punojnë, reforma të vërteta në administratë, dhe një kulturë të re qeverisjeje që vlerëson performancën mbi propagandën, çdo korridor i ri do të ngelet rrugë pa dalje. Autostrada Adriatik-Jon do të vazhdojë të jetë një ide e bukur në letër, një premtim i radhës që qeveritë e përdorin, por nuk e mbajnë dhe një mundësi e humbur për të gjithë rajonin./Pamfleti
Lini një Përgjigje