Gjetja e një vendi parkimi në Tiranë po kthehet në një sfidë të përditshme për qytetarët. Me shtimin e ndërtimeve të reja dhe reduktimin e hapësirave të parkimit, kostot për të lënë makinën pranë banesës apo vendit të punës janë rritur ndjeshëm.
Gjatë muajve të fundit, tarifat e parkimeve private janë shtrenjtuar me 60-70%, sidomos për qëndrimet afatgjata. Edhe parkimet publike shpesh janë të mbushura dhe nuk arrijnë të përballojnë kërkesën, duke krijuar trafik dhe pritje të gjata.
Në shumë zona të kryeqytetit, çmimi për një orë parkim ka arritur deri në 300 lekë, ndërsa parkimi për një ditë të plotë kushton mesatarisht 600-800 lekë. Edhe abonimet mujore janë bërë më të kushtueshme, duke nisur nga rreth 10 mijë lekë dhe duke arritur deri në 20 mijë lekë në zonat qendrore.
Përveç kostos, problem mbetet edhe mungesa e vendeve të lira. Vitet e fundit janë mbyllur disa hapësira të mëdha parkimi për shkak të projekteve të reja ndërtimore, duke e vështirësuar edhe më shumë situatën për drejtuesit e automjeteve.
Shpenzimet e qytetarëve për parkim llogariten në dhjetëra milionë euro në vit. Vetëm parkimet më të mëdha publike dhe private gjenerojnë të ardhura që arrijnë në rreth 15 milionë euro në vit, ndërsa shpenzimet në parkimet e lagjeve mbeten të pa llogaritura.
Sipas anketave të zhvilluara më parë, shumica dërrmuese e qytetarëve përballen vazhdimisht me vështirësi për të gjetur parkim. Një pjesë e madhe e tyre shpenzojnë nga 5 deri në 20 mijë lekë në muaj vetëm për këtë shërbim.
Për familjet që përdorin makinën çdo ditë për të shkuar në punë apo për të dërguar fëmijët në shkollë, kostoja mujore e parkimit mund të arrijë deri në 30-40 mijë lekë, një shumë që afrohet me pagën minimale në vend.
Ndërkohë, transporti publik vazhdon të konsiderohet i pamjaftueshëm nga shumë qytetarë, çka i detyron ata të përdorin automjetet private edhe kur kostot e parkimit janë të larta.
Edhe blerja e një vendi parkimi është bërë shumë e kushtueshme. Në ndërtimet e reja, çmimet e posteve të parkimit variojnë nga 13 mijë euro në periferi deri në 60-80 mijë euro në zonat më të kërkuara të kryeqytetit.
Ndërsa hapësirat për parkim po pakësohen, numri i automjeteve vazhdon të rritet.
Në Tiranë janë të regjistruara qindra mijëra automjete dhe niveli i mjeteve për banor ka kaluar mesataren e Bashkimit Europian. Përveç banorëve të kryeqytetit, çdo ditë në qytet hyjnë edhe mijëra automjete nga zonat përreth, duke shtuar presionin mbi trafikun dhe parkimet.
Problemet me parkimin po vihen re edhe nga turistët e huaj, të cilët shpesh e përshkruajnë gjetjen e një vendi të lirë në Tiranë si një nga sfidat kryesore gjatë qëndrimit të tyre në kryeqytet./Monitor
Lini një Përgjigje