
Ja si ndahen fondet në buxhet për vitin që vjen...
Qeveria ka gati buxhetin për vitin 2026. Drafti tashmë ka shkuar në Kuvend dhe prite të nisin diskutimet.
Sipas të dshënave, të ardhurat buxhetore parashikohen 823 miliardë lekë. Shpenzimet buxhetore janë 887 miliardë lekë ose 8,9 miliardë euro, me rritje 6,7% në krahasim me aktin e fundit normativ. Deficiti buxhetor është parashikuar 63 miliardë lekë.
Investimet publike për vitin 2026 janë planifikuar në masën 6.5% e PBB ose 179.6 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 5 miliardë lekë dhe 6.8 miliardë lekë financime të pritshme mbi bazë projektesh nga plani i rritjes me BE). Sipas relacionit, në shpenzimet buxhetore për periudhën 2026-2028 sigurohen burimet e nevojshme për arritjen e angazhimit të qeverisë për rritjen e pensionit minimal në nivelin e 200 euro në muaj dhe atij mesatar në nivelin e 400 euro në muaj. në muaj.
Sa i takon ndarjes në institucione, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është institucioni që do të marrë më shumë para, 82.5 miliardë lekë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është institucioni i dytë me vlerën më të madhe, 77.3 miliardë lekë.
Në vitin 2026, financimet për kontratat koncesionare dhe projektet e partneritetit publik-privat (PPP) me mbështetje nga buxheti i shtetit parashikohen të pësojnë një rënie të lehtë me vitin paraardhës, por sërish PPP vijojnë të gërryejnë buxhetin, sidomos ato në shëndetësi.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mban peshën më të madhe të fondeve për këto kontrata. Rruga e Arbrit është koncesioni me vlerën më të lartë të financimit në vend, koncesion që ruan nivelin e financimit prej 3.36 miliardë lekësh, ashtu si në vitin 2025.
Gjithashtu, vazhdon subvencionimi i kontratës për autostradën Milot–Morinë, me 660 milionë lekë (rreth 6.6 milionë euro), si dhe financimi 860 mln lekë ose 8.6 mln euro për projektet në Portin e Jahteve në Vlorë dhe Dukat. Në total, Ministria e Infrastrukturës merr 40% të fondit për koncesionet, ose rreth 48.8 mln euro.
Ndërkohë, për herë të fundit qeveria paguan për kontratat koncesionare për shëndetësinë. Kontrata koncesionare e check-up-it për popullsinë 35–70 vjeç parashikohet të financohet me 699.8 milionë lekë (rreth 7 milionë euro) në vitin 2026, nga 876 milionë lekë (rreth 8.7 milionë euro) në 2025.
Sterilizimi do të financohet me 500 milionë lekë (rreth 5 milionë euro) në vitin 2026, nga 1.9 miliardë lekë (rreth 19 milionë euro) në 2025. Ndërsa kontrata e dializës parashikohet të marrë 815 milionë lekë (rreth 8.1 milionë euro) në 2026, nga 960 milionë lekë (rreth 9.6 milionë euro) në 2025. Koncesioni për shërbimet laboratorike në pesë spitale rajonale arrin në 2 miliardë lekë (rreth 20 milionë euro) në vitin 2026, nga 1.9 miliardë lekë (rreth 19 milionë euro) këtë vit.
Ndërkohë vendimet e dhëna nga Arbitrazhi dhe Gjykata e Strasburgut vijojnë të gërryejnë buxhetin. Detyrime nga arbitrazhi8 janë afro 180 mln euro.
Shpenzimet Publike
Totali i shpenzimeve publike për vitin 2026 është planifikuar 886.7 miliardë lekë ose 31.9% e PBB.
Shpenzimet e personelit për vitin 2026, reflektojnë koston aktuale të Administratës Publike, koston e plotë të indeksimit të pagave në nivelin 2.5% si dhe efektet e hyrjes në fuqi të pagës minimale prej 50 mijë lekë në muaj. Kostoja totale e rritjes së pagës minimale së bashku me indeksimin parashikohet rreth 10 miliardë lekë. Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike në nivel qendror për 87,112 punonjës planifikohen në masën 140.1 miliardë lekë ose 5% e PBB.
Shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin 64.2 miliardë lekë ose 2.3% të PBB, duke përfshirë në të dhe një rezervë prej 6.3 miliardë lekë për të mitiguar risqet e mundshme nga luhatjet e normave të interesit, kursit të këmbimit etj.
Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore për vitin 2026 (pa përfshirë shpenzimet që realizohen nga institucione publike, që kanë si burim financimi të ardhurat jashtë limitit), janë parashikuar në masën 81 miliardë lekë ose rreth 2.9% e PBB-së. Në këtë zë është programuar mbështetja me prioritet e politikave ekzistuese të qeverisjes qendrore si: skema e fermerëve, mirëmbajtja e rrugëve nacionale, mirëmbajta e sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe siguria kibernetike, programet e nxitjes së punësimit, skemat për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe mbështetje për arsimin dhe sportin.
Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2026 janë parashikuar në masën 97.7 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 9% krahasuar me buxhetin e vitit 2025. Këto shpenzime përfaqësojnë 3.52% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), nga 3.4% që përfaqësonin në vitin 2025 dhe 2.3% në vitin 2015.
Transferta e pakushtëzuar për vitin 2026 është parashikuar në vlerën 27.8 miliardë lekë, që përbën një rritje prej 1.6 miliardë lekë ose rreth 6% më shumë se në vitin 2025. Krahasuar me vitin 2015, si viti para zbatimit të reformës administrativo-territoriale, kjo transfertë është rritur me 15.5 miliardë lekë, ose më shumë se dyfish.
Përveç transfertës së pakushtëzuar, në vitin 2026 parashikohen edhe këto fonde shtesë:
13.8 miliardë lekë si transfertë e pakushtëzuar sektoriale për funksionet e reja;
200 milionë lekë si grant performance, që përdoret si mekanizëm financiar për nxitjen e performancës në qeverisjen vendore;
5.5 miliardë lekë si transfertë sektoriale për rritjen e pagave.
Në total, granti nga buxheti i shtetit për pushtetin vendor në vitin 2026 do të arrijë në 47.3 miliardë lekë, nga 43.1 miliardë lekë në vitin 2025, një rritje prej 4.2 miliardë lekësh ose 9.7%.
Shpenzimet e fondeve speciale që përfshin shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, janë planifikuar në vlerën prej 286.6 miliardë lekë. Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2026, parashikohet në masën 204.1 miliardë lekë ose 7.3% e PBB. Nga ky fond, për indeksimin e pensioneve është parashikuar niveli prej 1.65 miliardë lekë dhe 10 miliardë lekë për bonusin mujor për pensionistët. Ndërsa, shpenzimet e Skemës së Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2026 janë parashikuar në masën 67.3 miliardë lekë ose 2.4% e PBB. Për vitin 2026, në buxhetin e FDSKSH është planifikuar një shtesë prej 1.5 miliardë lekë respektivisht 500 milionë lekë për rimbursimin e barnave onkologjike në shërbimin parësor dhe 1 miliardë lekë për shërbimin spitalor për sigurimin e barnave onkologjike.
Së fundi, shpenzimet për Fondin e Kompensimit në vlerë të Pronarëve parashikohen në total në masën 3.5 miliardë lekë ose 0.1% e PBB.
Shpenzime të tjera sociale, përfshin fondet për pagesën e papunësisë, aftësisë së kufizuar, ndihmës ekonomike, dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë dhe bonusin e lindjeve.
Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në nivelin 1 miliardë lekë;
Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 23.9 miliardë lekë ose 0.9% e PBB.
Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1.5 miliardë lekë ose 0.1% e PBB.
Për bonusin e lindjeve është parashikuar një fond prej 2.3 miliardë lekë ose 0.1% e PBB.
Shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 2.45 miliardë lekë ose rreth 0.1% e PBB. Subvencionet shtetërore për vitin 2026 janë përqëndruar në financimin e skemave të nxitjes së punësimit, mbështetjen e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve bazuar në performancën e tij, si dhe në mbulimin e një pjese të shpenzimeve të veprimtarisë hekurudhore dhe veprimtarisë së shërbimeve qeveritare. Krahasuar me vitin 2025, ky zë shoqërohet me një rritje prej 500 milionë lekë, ku 450 milionë lekë i alokohen subvencionit për programet e nxitjes së punësimit për të përmbushur angazhimet në kuadër të Planit të Rritjes me BE si dhe për përballimin e efektit të indeksimit të rritjes së pagës minimale.
Investimet Publike për vitin 2026 janë planifikuar në masën 6.5% e PBB ose 179.6 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 5 miliardë lekë dhe 6.8 miliardë lekë financime të pritshme mbi bazë projektesh nga Plani i Rritjes me BE). Në planifikimin e investimeve për vitin 2026 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm dhe do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim. Në raport me buxhetin e rishikuar të vitit 2025, vëllimi i investimeve publike në vitin 2026 parashikohet me rreth 15.5 miliardë lekë më shumë.
Niveli i Fondit Rezervë për vitin 2026, planifikohet në masën 2.5 miliardë lekë ose 0.1% e PBB. /Pamfleti
Disa te dhena te planifikuara per 2026: Serbia: Të ardhurat: ≈ 20.6 mld euro Shqiperia: Te ardhurat ~8.1 miliare euro Kosova: Te ardhurat 4 miliarde euro Pra, Kosova dhe Shqiperia do te kene te ardhura perafersisht 12.2 miliarde euro. Kurse Serbia 20.6 miliarde euro. . .. Kosova dhe Shqiperia duhet te bejne akoma shuem me shume per ta mundur bugjetin vjetor te Serbise. ... Nje peytje ketu: Nese ne Shqiperi kane ardh mbi 10milione turiste ne 2025, atehere ku mbeten te ardhurat nga turizmi? Sa eshte ndikimi i ketyre te ardhurave ne bugjetin shtetror?