TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi25 Gusht 2025, 15:10

Regjistri i Pronësisë Industriale i Bllokuar: Bizneset në pasiguri

Shkruar nga Pamfleti

 Regjistri i Pronësisë Industriale i Bllokuar: Bizneset në

Dy muaj pa azhornime në regjistrin e markave dhe patentave, qytetarët dhe bizneset lihen pa mbrojtje juridike ndërsa drejtuesit heshtin...

Prej më shumë se dy muajsh, qytetarët dhe bizneset shqiptare nuk kanë akses në të dhënat e azhornuara të Regjistrit Online të markave, patentave dhe objekteve të tjera të pronësisë industriale. Faqja zyrtare e Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale (DPPI) ka mbetur e ngrirë, duke shkelur hapur ligjin dhe duke i lënë aplikantët pa informacion dhe në pasiguri juridike.

Ligji “Për pronësinë industriale” është i qartë: regjistri duhet të jetë publik dhe i përditësuar për të garantuar të drejtën e informimit dhe sigurinë juridike të pronarëve dhe investitorëve. Në praktikë, ky detyrim ligjor është injoruar, duke kthyer regjistrin në një mur heshtjeje.

Pa një regjistër publik, bizneset nuk mund të kontrollojnë nëse një markë është e lirë apo e zënë, nuk mund ta kundërshtojnë në rast shkeljeje, dhe investitorët e huaj mund të dekurajohen nga mungesa e transparencës. Kjo krijon terren për favorizime dhe korrupsion.

Situata është një shkelje flagrante e ligjit dhe një skandal institucional: mbi dy muaj pa asnjë azhornim dhe pa asnjë sqarim nga drejtuesit ose ministria përgjegjëse. Ky nuk është një defekt teknik i thjeshtë; është simboli i një administrate që nuk punon, nuk mban përgjegjësi dhe nuk ndjen detyrim ndaj qytetarëve.

Derisa Regjistri i Pronësisë Industriale mbetet i bllokuar, ligji mbetet në pezull, transparenca është e vdekur dhe korrupsioni lulëzon./Pamfleti

regjistri i pronësisë industriale bizneset në pasiguri

Lini një Përgjigje