Banka e Shqipërisë bleu 139.6 milionë euro në tregun e brendshëm valutor për tremujorin e parë të këtij viti.
Të dhënat e Bankës Qendrore tregojnë se blerjet e valutës u rritën me 320% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Blerjet e Euros në tregun e brendshëm valutor ndahen në dy grupe, ato të planifikuara në kalendarin vjetor të ankandeve, me qëllim rritjen e rezervës valutore dhe blerjet direkte në treg, me qëllim frenimin e mbiçmimit të kursit të Lekut ndaj monedhës europiane.
Blerjet e planifikuara në ankandet e zhvilluara nga Banka e Shqipërisë për tremujorin e parë arritën vlerën e 44.1 milionë eurove, në rritje me 33% krahasuar me një vit më parë.
Por, diferencën më të madhe e bënë blerjet direkte, me qëllimin për të ngadalësuar rënien e kursit të Euros. Në tre muajt e parë të vitit (saktësisht në shkurt dhe mars), Banka e Shqipërisë bleu 95.5 milionë euro në kuadrin e këtyre ndërhyrjeve.
Në tremujorin e parë të vitit të kaluar nuk kishte pasur blerje të tilla, sepse përgjithësisht në këtë periudhë të vitit presionet për zhvlerësimin e Euros kanë qenë të dobëta.
Por, për herë të parë këtë vit, Euro ka shfaqur një tendencë të ndjeshme rënëse dhe kjo e ka detyruar Bankën e Shqipërisë të nisë ndërhyrjet që në tremujorin e parë të vitit.
Blerjet e tremujorit të parë 2026 ndjekin trajektoren e blerjeve të mëdha të valutës nga Banka e Shqipërisë duke filluar nga viti 2024. Në periudhën 2024-2025, blerjet arritën vlerën e më shumë se dy miliardë eurove. Vetëm vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë bleu 1 miliard e 27 milionë euro në tregun e brendshëm.
Në rast se tendenca e tremujorit të parë do të shtrihet edhe në pjesën e mbetur të këtij viti, gjasat janë që blerjet valutore të shënojnë një rekord të ri këtë vit.
Këtë vit, Banka e Shqipërisë parashikon të rrisë më tej blerjet e planifikuara të valutës, të paktën në pjesën e tyre të planifikuar. Ajo synon të blejë përmes ankandeve 330 – 450 milionë euro, me objektiv rritjen e rezervës valutore. Objektivi i blerjeve është rritur ndjeshëm krahasuar me nivelin faktik prej afërsisht 300 milionë eurosh të vitit 2025.
Kursi i këmbimit Euro-Lek këtë vit po shfaq tendenca të mëtejshme në rënie. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, aktualisht Euro këmbehet me 93.67 lekë. Që nga fillimi i vitit, Euro është zhvlerësuar me më shumë se 3%, ndërsa me bazë vjetore rënia ka arritur në më shumë se 4%.
Banka e Shqipërisë vlerëson se arsyeja kryesore e rënies së Euros është përmirësimi i bilancit të pagesave, falë flukseve hyrëse të lidhura kryesisht me turizmin dhe investimet në pasuri të paluajtshme, ndërsa një pjesë e publikut percepton rol të konsiderueshëm edhe të flukseve valutore nga aktivitetet e jashtëligjshme.
Një efekt shtesë ka dhënë edhe politika fiskale shtrënguese, e karakterizuar nga suficite buxhetore në pjesën më të madhe të vitit dhe ulje graduale e borxhit publik. /Monitor
Lini një Përgjigje