
Çmimet e banesave do të pësojnë një tjetër rritje deri në 250 euro për metër katror dhe për këtë, Shoqata e Ndërtuesve tha se shkak është rritja e çmimeve të referencës.
Ilir Hebovija nga Shoqata e ndërtuesve, tregoi se me rritjen e çmimit të referencave do të dyfishohen taksimet për qytetarët. Ai u shpreh se rritja e çmimeve u bë pa u konsultuar me palët e interesuara dhe nuk janë marrë parasysh shumë faktorë që do duhej të diskutoheshin më herët.
“Nuk është një lëvizje matematikore e thjeshtë por është reflektim i menjëhershëm i taksave që do të paguhen në bashkinë e Tiranës për metër katror. Sipas llogaritjeve tona shkon nga 150 deri në 300 euro metri katror. Duhet të kemi parasysh se përveç kostos reale të parë sipas anekseve të VKM-së, ka edhe një kosto të fshehtë që ka të bëjë me pagesën që i bëjmë ndërtuesit për pronarët e truallit, rritet, dyfishohet menjëherë çdo lloj takse, pasi paguhet gjithë pjesa që i takon pronarëve të truallit”, tha Ilir Hebovija.
Ai theksoi se kjo rritje çmimesh ishte e pamotivuar pasi u bë në një muaj kur nuk ka mundësi të ketë reagime, siç është korriku.
“Ky një muaj e gjysmë ishte i pamundur për të bërë reagimin tonë për t’u treguar njerëzve se ka një ndryshim shumë të madh në atë që ata do të konsumojnë në tregun e banesave.
Ne u thirrëm në qershor në Ministrinë e Financave, në një takim prezantues për ndryshimin e çmimeve të referencave, nuk kishim asnjë material me vete, ishte thjesht prezantim i parë për të parë se ç’do ndodhi, u premtua se do kishte shumë takime për të arritur në konkluzionet e duhura, por marrim vesh se në Korrik, rritja e çmimeve u bë fakt i kryer. Të gjithë do i ndiejnë pasojat e rritjes së çmimeve”, tha Ilir Hebovija.
Lini një Përgjigje