TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet2025-03-09 19:53:00

Ndahet nga jeta ish-deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani

Shkruar nga Pamfleti

Ndahet nga jeta ish-deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani

Ndahet nga jeta në moshën 54-vjeçare ish-deputeti i Partisë Socialiste Andis Harasani, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.

Është ndarë nga jeta ish-deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani. Ai ka mbyllur sytë përgjithmonë ditën e sotme në moshën 54-vjeçare.

Harasani ka ndërruar jetë si pasojë e një sëmundje të rëndë, prej së cilës po vuante prej 2 vitesh. Ndarjen nga jeta të tij, e ka bërë me dije avokati Agim Muço, përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Para pak minutash u njoftova se u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë, Andis Harasani. Andisin e kam njohur kur e kisha student në Fakultetin Ekonomik. Ishte vërtetë një student inteligjent. Më pas punuam bashkë te Deloitte&Touche Tirana. Ishte një tirons i omël por dhe djal i zoti", shkruan miku i ish-deputetit të PS.

Andis Harasani është zgjedhur dy herë deputet, në zgjedhjet e vitit 2005 dhe ato të vitit 2009, teksa nga shtatori i vitit 2002 deri në korrik të vitit 2005 ka qenë drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).

Në vitin 2012 ai dha dorëheqjen nga mandati i deputetit dhe u shpërngul në SHBA. Megjithatë, ai nuk ju larguar jetës publike, duke qenë prezent në rrjete sociale si një kritik i ashpër i Ramës dhe PS-së.

Lajmin e trishtë e ka konfirmuar edhe bashkëshortja e tij, Suela Kapllani Harasani. Ish-deputeti i PS është baba i dy fëmijëve, Thea dhe Henry. Ai luftoi për 2 vite me sëmundjen e rëndë të kancerit, por fatkeqësisht e humbi betejën.

“Të dashur familjarë e miq,

Me hidhërim të thellë, njoftojmë humbjen e parakohshme të njeriut tonë të zemrës, babait, bashkëshortit, djalit, vëllait, mikut Andis Harasani. Andisi ynë luftoi për jetën me forcën, besimin dhe vendosmërinë që e karakterizonte gjithmonë. Ai luftoi fort për ne dhe nuk rreshti kurrë së dhuruari dashuri, mbështetje e forcë. Fatkeqësisht, e humbëm betejën kundër kancerit.

Unë, Thea dhe Henry jemi përjetësisht mirënjohës për këtë rrugëtim jete që krijuam bashkë. Ti do mbetesh në zemrat tona njeriu ynë më i shtrenjte, me humor te pakrahasueshëm, gjithë mençuri e guxim për të ecur përpara. Do na mungosh pafundësisht, dashuria jonë!", shkruan bashkëshorja në rrjetet sociale.

Lini një Përgjigje