TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet2026-03-04 11:52:00

UPDATE/ Edicioni informativ, ora 12:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni informativ, ora 12:00

Lexues të “Pamfleti”, ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:

Përplasja për banorët e Rrjollit në Kuvend/ PS kërkon përjashtimin e Agron Shehajt për 20 ditë nga parlamenti

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka paraqitur një kërkesë për masë disiplinore ndaj deputetit dhe kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj. Kjo kërkesë ka ardhur pas përplasjes verbale që ndodhi gjatë seancës plenare të së hënës, e cila çoi edhe në përjashtimin e tij nga salla.

Sipas kërkesës, 10 deputetë socialistë i janë drejtuar Komisionit të Etikës duke propozuar që Shehaj të përjashtohet nga punimet e Kuvendit për 20 ditë.

Në argumentimin e tyre, deputetët e PS-së pretendojnë se Shehaj ka përdorur gjuhë fyese gjatë seancës dhe ka penguar zhvillimin normal të saj.

Komisioni i Etikës pritet të mblidhet sot në orën 12:00 për të shqyrtuar kërkesën e paraqitur nga socialistët.
Kujtojmë se në seancën e së hënës, Agron Shehaj u përjashtua nga Kuvendi, pasi u përplas me socialistët për banorët e Rrjollit. Këta të fundit janë në protestë që prej 1 muaji, pasi kundërshtojnë ndërtimin e resortit të Bashkim Ulajt, në tokën që e pretendojnë të tyren. Ai hodhi akuza për dhunë ndaj këtyre banorëve.
Gjatë fjalës së tij, Shehaj tha se banorët e Rrjollit po dhunohen dhe po u grabitet prona nga oligarku Bashkim Ulaj.

Drejtuesja e seancës i fiku mikrofonin Shehajt dhe kaq mjaftoi që të niste përplasjen me deputetët e Partisë Socialiste.

"Ka dijeni për të gjitha aferat"/ Klodiana Lala: Rama i pandehur nga SPAK brenda 2026

Gazetarja investigative Klodiana Lala deklaron se kryeministri Edi Rama ka nisur një “betejë frontale” me institucionet e reja të drejtësisë. Sipas saj, kjo përplasje nuk është e rastësishme, por një lëvizje e mirëmenduar për të vendosur kufij dhe për të mbrojtur veten nga hetimet e mundshme.

Lala argumenton se Rama po ndjek dy drejtime kryesore. Së pari, përmes presionit publik dhe përballjes me Gjykata Kushtetuese, duke kërkuar vendime që mund të kufizojnë pezullimin e ministrave apo edhe të vetë kryeministrit në të ardhmen. Ajo thekson se vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi ligji dhe mund të ndikojnë drejtpërdrejt në balancat e pushtetit.

Së dyti, sipas saj, po ndërmerren ndryshime ligjore dhe manovra politike për të mos lejuar heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, përfshirë edhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Në këtë mënyrë, pretendon Lala, po krijohet një terren që do ta vështirësonte punën e prokurorëve dhe gjyqtarëve për të prekur nivelet më të larta të qeverisë.

Në fokus të deklaratave të saj është edhe SPAK. Gazetarja shprehet me bindje se kryeministri ka pasur dijeni për aferat korruptive dhe për hetimet në zhvillim, duke përmendur raste konkrete si sekuestrimi i tenderit të Porto Romanos. Sipas saj, asgjë nuk ndodh rastësisht dhe Rama informohet për çdo zhvillim të rëndësishëm.
Në fund, Lala bën një parashikim të fortë: brenda vitit 2026, Edi Rama mund të thirret në SPAK, qoftë si person në dijeni, qoftë edhe si i pandehur. Një skenar që, nëse realizohet, do të shënonte një moment historik për politikën shqiptare dhe përballjen e saj me drejtësinë.

Shpallet në kërkim kunati i Ergys Agasit/ Dhunoi në zyrë me qytën e pistoletës funksionarin e IKMT

Drejtori i Mjedisit në Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Klesti Çela, është shpallur në kërkim nga policia pasi dyshohet se ka dhunuar në ambientet e institucionit drejtorin e Drejtorisë së Ekzekutimit të Vendimeve, Fatmir Meta.

Sipas informacioneve, Çela, i cili është edhe kunati i Ergys Agasit, dyshohet se së bashku me tre persona të tjerë ende të paidentifikuar kanë goditur Metën brenda ambienteve të institucionit.

Burime bëjnë me dije se konflikti brenda institucionit lidhej me një çështje që kishte të bënte me një grup inspektimi për depozitimin e dherave. Fillimisht debati mes Metës dhe Çelës ka nisur në formë verbale, ndërsa një ditë më pas situata është përshkallëzuar në dhunë fizike, ku dyshohet se Meta është goditur me qytën e pistoletës.

Fatmir Meta është një nga drejtuesit e IKMT-së i njohur për aksionet e prishjes së ndërtimeve pa leje. Së fundmi ai drejtoi edhe operacionin për shembjen e disa ndërtesave turistike në Theth, ku pati edhe përplasje me banorët e zonës.

Pas incidentit, kreu i IKMT-së, Afrim Qëndro, vendosi shkarkimin nga detyra të Klesti Çelës si dhe të Ervin Bixhës, i cili mbante postin e këshilltarit pranë kryeinspektorit. Bixha është vëllai i Elgert Bixhës, një emër i lidhur me biznesmenin Ergys Agasi, i shpallur në kërkim nga SPAK për skandalin dhe aferat me AKSHI-n.

Deputeti i PD akuza Ramës/ Qeveria ka braktisur 3 mijë shqiptarë në mes të luftës në Lindjen e Mesme

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë për mungesë reagimi ndaj situatës së qytetarëve shqiptarë që ndodhen në Lindjen e Mesme, në një kohë kur tensionet në rajon janë përshkallëzuar pas sulmeve ndaj Iranit.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Shehu shprehet se qeveria shqiptare nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për të ndihmuar apo për të riatdhesuar shqiptarët që ndodhen në zonën e konfliktit. Sipas tij, edhe kërkesa për të diskutuar këtë çështje në Komisionin e Jashtëm nuk është pranuar nga mazhoranca.

Deputeti demokrat thekson se, sipas informacioneve që ka marrë, në atë rajon ndodhen mbi 3 mijë shqiptarë, rreth 2 mijë prej tyre rezidentë për studime apo aktivitete profesionale, ndërsa rreth 1 mijë janë turistë.

Shehu shton se institucionet shqiptare nuk kanë dhënë informacion publik për situatën dhe, sipas tij, nuk ka pasur as komunikim me familjarët e qytetarëve që ndodhen në zonën e konfliktit. Ai kërkon që qeveria të marrë masa të menjëhershme, përfshirë nxjerrjen e një vendimi për riatdhesimin e tyre, aktivizimin e Njësisë së Krizës pranë Ministrisë së Jashtme si një task-forcë ndërinstitucionale dhe miratimin e fondeve të nevojshme nga Këshilli i Ministrave për realizimin e operacioneve të evakuimit.

Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00

 

edicioni i lajmeve pamfleti

Lini një Përgjigje