TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet2026-06-05 11:58:00

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:

“Antimitingu” i Vlorës/ Si po e përgatit Edi Rama ‘strategjinë e tensionit’

Festa e 35-vjetorit të themelimit të PS-së së Vlorës ka ndryshuar në mënyrë të rrufeshme, pasi Edi Rama ka urdhëruar organizimin e një mitingu në qendër të qytetit. Të cilin, Sali Berisha, dje në Parlament, e quajti një antimiting, duke e lidhur drejtpërdrejt me protestat kundër qeverisë për projektin e Zvërnecit.

Në të vërtetë, kreu i PD-së duket se ka informacion të saktë, pasi ndryshimi i axhendës ka ndodhur papritur dhe, sipas burimeve, tubimi i Vlorës do të jetë një demonstrim force i mazhorancës.

Siç mësohet, aty do t’u jepet hapësirë e gjerë “zërave nga populli”. Një pjesë e tyre do të jenë të rinj, afërsisht të së njëjtës grupmoshë me protestuesit që kanë dalë kundër Edi Ramës.

Me kujdes janë përgatitur edhe materialet e fjalimeve të këtyre të rinjve, të cilët pritet t’i përgjigjen ashpër gjuhës së përdorur nga një pjesë e protestuesve para Kryeministrisë dhe selisë së PS-së.

Synimi është i qartë: të zgjojë militantizmin e fjetur dhe zhgënjimin e elektoratit socialist, por njëkohësisht të përdorë strategjinë e tensionit për të mbajtur të polarizuar skenën politike.

Plani synon që militantët e PS-së në Vlorë të kërkojnë vetë të jenë në terren për të ndaluar atë që e konsiderojnë agresion ndaj Partisë Socialiste.

U vra në krye të detyrës/ I jepet sot lamtumira e fundit efektivit të shqiponjave Enea Mekolli

Qytetarët e Pogradecit i dhanë sot lamtumirën e fundit Enea Mekollit, efektivit të Policisë së Shtetit që humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës dhe u shpall Dëshmor i Atdheut.

Homazhet në nder të tij u zhvilluan pranë Qendrës Kulturore të Pogradecit, nga ora 10:00 deri në 12:00. Në ceremoni morën pjesë familjarë, të afërm, kolegë dhe qytetarë për të nderuar kujtimin e tij.
Më pas, në orën 14:00, do të zhvillohet ceremonia e varrimit në fshatin Blacë, ku Mekolli do të përcillet për në banesën e fundit.

Enea Mekolli humbi jetën gjatë një operacioni policor në Korçë për arrestimin e një personi të shumëkërkuar.

Gjatë ndërhyrjes, i dyshuari hapi zjarr ndaj forcave të policisë, duke lënë të vrarë efektivin dhe duke plagosur një tjetër punonjës policie.

Humbja e tij ka prekur familjen, kolegët dhe komunitetin, ndërsa kujtimi i efektivit do të mbetet i lidhur me shërbimin dhe detyrën që ai kreu deri në momentet e fundit të jetës.

Vrau efektivin e policisë/ Violand Bracellari përfitoi fonde nga AZHBR për stallat e bagëtisë

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga e kaluara dhe aktiviteti i Violand Braçellarit, autor i vrasjes së efektivit të policisë Enea Mekolli dhe plagosjen e kolegut të tij, Edison Adri.

Sipas burimeve pranë familjarëve të Braçellarit, ai ka përfituar fonde nga AZHBR për ngritjen e stallave të bagëtive, pavarësisht se rezultonte person në kërkim prej 9 vitesh dhe konsiderohej me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Ende nuk është konfirmuar nëse subvencionet janë marrë në emrin e tij apo në emër të nënës së tij. Burimet pohojnë se fondet lidhen me aktivitetin në bujqësi dhe blegtori.

Pikërisht stallat ku dyshohet se Braçellari kishte investuar u kthyen në vendngjarje gjatë operacionit policor, ku ai qëlloi me kallashnikov drejt efektivëve. Nga të shtënat humbi jetën polici 36-vjeçar Enea Mekolli, ndërsa u plagos Edison Adri.

Rasti ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si një person në kërkim prej vitesh ka mundur të përfitojë fonde publike, ndërkohë që më herët për kapjen e tij ishin angazhuar edhe forcat RENEA.

Rrëshqitje masive dherash në zonën e Currilave/ Dëmtohen disa banesa; rrezikohet një pallat

Banorët e një pallati në zonën e Currilave, në Durrës, janë përballur me momente paniku në orët e para të mëngjesit të sotëm, pas një rrëshqitjeje dheu që ka ndodhur pranë banesave të tyre.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse dhe shërbimet e policisë për të vlerësuar situatën dhe për të monitoruar zonën.

Një banor i lagjes nr. 1 deklaron se gjendja paraqet rrezik serioz për banorët, automjetet dhe ndërtesat përreth, për shkak të vazhdimit të rrëshqitjes së dheut dhe rënies së gurëve.

Të shqetësuar për sigurinë e tyre, banorët u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë sa më shpejt për inspektimin e terrenit, vlerësimin e nivelit të rrezikut dhe marrjen e masave të nevojshme për sigurimin e zonës.

Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00

 

edicioni i lajmeve pamfleti

2 Komente

  1. T
    Tony

    Vetem pushteti nuk ka te drejte morale e qytetare te beje mitingje. Per cfare do gerthasin, 'hajde o popull tua mbeshtjellim' edhe rrugeve diten per diell? Metali eshte shume fisnik e i dobishem por kur te prek kycet e duarve te ndjell krupen. Si duket kane friken e metalit ne kycet e duarve e oborrit me tela me gjemba.

    1. G
      Greta

      Sido që të shkoj, ç’fardo që të bësh, asgjë nuk do jetë si më parë. Populli tash të ka pagëzuar si “PALLOSHI HAJDUT” ….

      Lini një Përgjigje