TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet2026-06-23 18:00:00

UPDATE/ Edicioni informativ, ora 18:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni informativ, ora 18:00

Ju ftojmë të ndiqni Edicionin Informativ me zhvillimet kryesore deri në këtë orë të ditës, ku ndër të tjera veçojmë:

Deputetja Marjana Koçeku, e njohur si “Neomalësorja”, i ka drejtuar një letër të hapur kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar të dëgjojë protestuesit dhe të japë dorëheqjen. Sipas saj, qytetarët nuk frymëzohen më nga klasa e vjetër politike dhe vendi po përballet me një krizë të thellë legjitimiteti. Rama u përfshi gjithashtu në polemika pas deklaratave të tij në një intervistë për mediat ndërkombëtare, ndërsa kreu i opozitës Sali Berisha e akuzoi për fyerje ndaj shqiptarëve. Kritika ndaj kryeministrit erdhën edhe nga ish-ministrja Elisa Spiropali dhe një deputete franceze.

Në Tiranë, Unioni i Sindikatave protestoi para Ministrisë së Ekonomisë, duke kërkuar rritje pagash, më shumë punësim dhe përmirësim të kushteve të punës. Disa protestues kërkuan edhe largimin e Ramës dhe Berishës nga politika.

Në planin ekonomik, biznesmeni Behgjet Pacolli denoncoi bllokimin e aksesit në Aeroportin e Vlorës, duke pretenduar se grupe private po pengojnë zbatimin e vendimeve gjyqësore në një projekt ku, sipas tij, janë investuar mbi 310 milionë euro.

Në kronikë, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut vendosi në favor të ish-prokurorit Ferdinand Elezi, duke e konsideruar të pajustifikuar shkarkimin e tij nga vetingu dhe duke urdhëruar shtetin shqiptar ta dëmshpërblejë. Ndërkohë, në Dubai u arrestua Jetmir “Mir” Pepa, një nga personat më të kërkuar për trafik ndërkombëtar kokaine. ADN-ja konfirmoi se trupi i gjetur në Cërrujë i përket Eglant Koçit, ndërsa policia dyshon se ai është vrarë nga shoku i tij, Armand Shakaj. Në Krujë, Ylli Zalla i shpëtoi sërish arrestimit gjatë një operacioni të RENEA-s.

Në arenën ndërkombëtare, Europa po përballet me një valë të fortë të nxehti, me temperatura deri në 42 gradë Celsius në Francë, Spanjë dhe Itali. Në Turqi, autoritetet arrestuan mbi 200 persona të dyshuar për lidhje me grupe ekstremiste përpara samitit të NATO-s në Ankara. Ndërsa presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani ka pranuar inspektime bërthamore afatgjata dhe se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur për qarkullimin ndërkombëtar të naftës.

Lini një Përgjigje