Ju ftojme te ndiqni Edicionin Informativ me zhvillimet kryesore deri ne kete ore te dites, ku nder te tjera vecojme:
Kryeministri Edi Rama u përball me kritika dhe pyetje të forta në mediat italiane e gjermane për korrupsionin, protestat, projektet turistike dhe koncertin e Kanye West. Ndërkohë, “Der Spiegel” analizoi shpenzimin prej 4 milionë eurosh për koncertin, në një kohë kur qeveria përballet me protesta kundër saj.
Përplasjet politike u zhvendosën edhe në rrugët e Tiranës, ku pjesëmarrja e ish-deputetit të Vetëvendosjes, Egzon Azemi, në protestë solli reagimin e Taulant Ballës. Kreu i grupit parlamentar të PS-së e akuzoi atë për lidhje me persona të arrestuar për drogë.
Në Strasburg, deputetë socialistë u përballën me qytetarë shqiptarë gjatë një momenti jashtë ambienteve zyrtare, ndërsa në Parlamentin Europian dështoi konsensusi për rezolutën Shqipëri-BE, pas përplasjes PS-PD për amendamentet dhe luftën kundër korrupsionit.
Në Tiranë vijoi edhe procesi gjyqësor ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, ku mbrojtja kundërshtoi provat e SPAK dhe kërkoi ekspertizë të re financiare.
Ndërkohë, Policia deklaroi se mbi 10 mijë llogari online dyshohet se janë përdorur për sulme të koordinuara me review negative ndaj bizneseve turistike, ndërsa Apeli i Posaçëm la në fuqi arrestin në burg për Eralbi Breçanin, i dyshuar për trafik droge.
Një krim i rëndë tronditi Shkodrën, ku 62-vjeçari Shtjefën Ziçi dyshohet se vrau bashkëshorten me armë gjahu.
Raporti i OECD ngriti alarmin për emigrimin dhe plakjen e Shqipërisë, duke paralajmëruar tkurrjen e fuqisë punëtore dhe rritjen e mungesës së stafit në ekonomi.
Në planin ndërkombëtar, Europa përgatitet për një tjetër valë ekstreme të nxehti me temperatura mbi 40 gradë në Ballkan. Ndërkohë, tensionet SHBA-Iran vijojnë, me Donald Trump që deklaroi se Teherani kërkon marrëveshje pas sulmeve amerikane.
Në Lindjen e Mesme, zhvillimet ushtarake dhe diplomatike mbeten në qendër të vëmendjes, ndërsa Venezuela kërkoi lirimin e fondeve dhe arit të ngrirë jashtë vendit për të përballuar pasojat e tërmeteve.
Lini një Përgjigje