Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me grabitjen e ndodhur një ditë te OTP Bank pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, ku një person i maskuar me skafandër arriti të marrë një shumë të konsiderueshme parash.
Sipas informacioneve paraprake, ekzistojnë dyshime se pistoleta që autori mbante në dorë mund të ketë qenë lodër, pasi sistemi statik i detektimit të metaleve në bankë nuk ka sinjalizuar praninë e një arme zjarri.
Hetuesit po verifikojnë gjithashtu pistën e një bashkëpunëtori të mundshëm brenda filialit bankar. Dyshohet se autori mund të ketë marrë informacion të detajuar për momentin e hyrjes në bankë, si dhe për vendndodhjen e saktë të gruas që kishte me vete shumën e parave për ta depozituar.
Mësohet se shuma e grabitur është rreth 5 milionë lekë të rinj (50 milionë lekë të vjetër).
Ndërkohë, policia ka arrestuar rojën e sigurisë së filialit bankar, i cili akuzohet për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme në momentin e grabitjes.
Autori i dyshuar mbetet ende në arrati. Pas grabitjes, ai u largua nga vendngjarja me një skuter elektrik, duke humbur gjurmët në rrugicat e qytetit. Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e tij, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Lini një Përgjigje