Mbëritja e Durim Bamit në Tiranë, shihet si fitore në korridoret e SPAK, ku prokurorët e posaçëm kanë shpresa se 47-vjeçari mund të bashkëpunojë me autoritetet e hetimit.
Durim Bami, i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pritet të ekstradohet gjatë ditës së sotme nga Dubai drejt Shqipërisë.
Sipas burimeve zyrtare, ekstradimi realizohet në kuadër të procedurave të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe pas përfundimit të procedurave ligjore në Emiratet e Bashkuara Arabe. Bami do të mbërrijë në Tiranë nën masa të rrepta sigurie, ku më pas do të vihet në dispozicion të autoriteteve shqiptare.
Durim Bami ishte shpallur në kërkim nga SPAK pasi akuzohet edhe për “Kultivim të lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.
GJKKO i ka caktuar 47-vjeçarit masën sigurisë “Arrest në burg” më datë 15.05.2024, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.
"Vijon operacioni ndërkombëtar i koduar “The Wanted”, për lokalizimin, kapjen dhe finalizimin e procedurave të ekstradimit të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Pritet finalizimi i procedurave të ekstradimit gjatë ditës së sotme, nga Dubai, në Shqipëri, të një shtetasi të shumëkërkuar.
Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, ditën e sotme, pritet të ekstradohet nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, shtetasi D. B., 47 vjeç, banues në Nikël, Krujë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 15.05.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”. Pas mbërritjes së këtij shtetasi, do të ketë një njoftim të plotë për median", njoftoi policia.
Ndalimi i Durim Bamit në Dubai është kryer në datën 21 Tetor 2024. Kjo ishte hera e dytë që Durim Bami, u arrestua nga policia e Dubait, pasi ai kishte shkelur rregullat e paraqitjes në një nga rajonet e policisë së Dubait.
Për herë të parë ai u ndalua në muajin qershor 2024, pas një urdhër-arresti të lëshuar nga SPAK në muajin Maj 2024. Shumë shpejt ai u lirua nga gjykata duke përfituar një leje qëndrimi dhe garancie për tu paraqitur në komisariat sa herë ishte e nevojshme për tu verifikuar.
Por Durim Bami nuk i është përgjigjur tre thirjeve në E-Mail të policisë së Dubait për ta verifikuar, Durim Bami, çka solli arrestimin e tij për herë të dytë. Bami ka pretenduar se nuk kishte parë E-mailet ndaj nuk ishte paraqitur fizikisht në polici, ditën dhe orën e planifikuar.
Por këto pretendime nuk e ndihmuan për tu liruar nga burgu.
I riu nga Fushë Kruja njihet si personazhi që ka trazuar më së shumti ujrat e politikës shqiptare. I dënuar më herët për vjedhje me armë, Bami zuri titujtë kryesorë të mediave në vitin 2015, për një atentat të pretenduar nga deputeti, asokohe socialist, Tom Doshi. Dosja përfundoi në prokurori, ku u zbulua dhe inskenimi.
Tom Doshi, Mark Frroku dhe Durim Bami u akuzuan për kallëzim të rremë, pasi Doshi akuzoi presidentin e sotëm Ilir Meta, se i kishte porositur një atentat me një pagesë prej 500 mijë euro.
Më 5 nëntor, Bami i shpëtoi një atentati teksa po udhëtonte me makinë me të afërmin e tij, Ervin Kodra. Ndërsa gjithashtu, emri i tij u përmend gjatë një dokumentari për bankierin e ndjerë, Artan Santo. Durim Bami ishte një nga të dyshuarit kryesorë për vrasjen, por Prokuroria nuk gjeti kurrë prova që ta prangoste.
Lini një Përgjigje