
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar ashpër qeverinë gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, duke e akuzuar për politika të gabuara në çmimet e karburantit dhe në mbështetjen sociale.
Ai e cilësoi qëndrimin e qeverisë si të pandjeshëm ndaj qytetarëve, duke deklaruar se: "Qeveria mban qëndrim cinik ndaj rritjes së çmimit më të lartë në botë për naftën”.
Berisha theksoi se niveli i lartë i çmimit të naftës në vend nuk lidhet vetëm me zhvillimet ndërkombëtare, por kryesisht me politikat fiskale.
“Nafta shënoi çmim rekord botëror, jo se u rrit shumë për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, por për shkak të taksës fiskale të vendosur nga kjo qeveri, ku qytetarët paguajnë 1.1 euro për çdo litër naftë", u shpreh kryedemokrati.
Në deklaratën e tij, Berisha ngriti edhe çështjen e diferencave në çmimin e karburantit për kategori të ndryshme përdoruesish.
“Miliarderët që marrin për jahtet super luksoze e marrin naftën me 60 lekë litri, ndërsa fermeri detyrohet ta paguajë më 220 lekë litrin", tha ai.
Sipas kreut të PD-së, kjo situatë rrezikon drejtpërdrejt sektorin bujqësor: “Qindra fermerë do të falimentojnë dhe toka do të mbesë djerrë".
Berisha kritikoi gjithashtu mbështetjen për pensionistët, duke e cilësuar atë të pamjaftueshme.
“Ky qëndrim është i pa shpirt, njëlloj si ai për pensionistët. U jep shumicës 2 kile domate shtesë mujore. Kjo është tallje e re për pensionistët”, deklaroi ai.
Lini një Përgjigje