TAGS-AT E JAVËS

Politike2025-08-04 15:08:00

Kodi i ri Penal, Rama ironizon kritikët: Mos u ekspozoni në diell, lirinë ua rrezikojnë ata që bëjnë sherr

Shkruar nga Pamfleti

Kodi i ri Penal, Rama ironizon kritikët: Mos u ekspozoni në diell,

Hëpërhë problem më serioz që ka liria në Shqipëri nuk është as regjimi, as drafti i kodit të ri jo e jo, po masa domethënëse e atyre që e përdorin lirinë vetëm për të bërë sherr e shamata për mungesën e saj

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të reagojë përmes rrjeteve sociale lidhur me draftin e ri të Kodit të ri Penal, i cili prej javësh ka shkaktuar një seri reagimesh dhe kundërshtish, përfshi edhe nga Bashkimi Europian, përmes Delegacionit të atashuar në Tiranë.

Por duket se Rama nuk është i shqetësuar aspak lidhur me atë se çfarë propozohet në draft, për të cilin thotë se është hartuar nga ekspertë të nderuar të fushës që e kanë publikuar për të mbledhur opinione.

“Të alarmuarit nga drafti i Kodit të ri Penal dhe gojëmbyllja me ligj e forcave liridashëse politike dhe mediatike, mbase duhet të kujdesen që të mos ekspozohen shumë në diell, ndërkohë që drafti i ekspertëve të nderuar të fushës është prezantuar publikisht pikërisht për të mbledhur në mënyrën më demokratike dhe transparente të mundshme të gjitha opinionet rreth tij.

Hëpërhë problem më serioz që ka liria në Shqipëri nuk është as regjimi, as drafti i kodit të ri jo e jo, po masa domethënëse e atyre që e përdorin lirinë vetëm për të bërë sherr e shamata për mungesën e saj”, shkruan Rama.

Reagimi i Kryeministrit vjen në një kohë kur nga BE është thënë se drafti nuk është sipas standardeve europiane, ndërsa OSBE ka kërkuar një diskutim gjithëpërfshirës si dhe ka shprehur gadishmërinë për të dhënë ekspertizën e saj.

(në përditësim)

 

  

Lini një Përgjigje