Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës nuk mund të zhvillohen pa u shtensionuar situata në atë zonë, por shtoi se Kosova është duke i kryer përgatitjet për zgjedhje të parakohshme në këto katër komuna.
“Nuk besoj që dikush pret që pa u bërë deeskalimi i plotë të ketë zgjedhje në veri, por natyrisht që ne e vazhdojmë punën edhe më tutje. Ne jemi duke u përgatitur që të ketë zgjedhje të parakohshme”, tha Kurti.
Ai gjithashtu tha se pret që masat ndëshkuese të ndërmarra nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës të tërhiqen sa më shpejt.
Për deklarimin e zv.kryeministrit Bislimi, Kurti ka thënë se s’bëhet fjalë për kushtëzime por për rendin logjik të gjerave, e që sipas Kurtit është zbatimi i dakordimit në mes të Bislimit dhe Lajcakut.
“Masat që janë marrë ndaj nesh, që janë quajtur edhe të përkohshme edhe të kthyeshme, natyrisht presim që të hiqen sa më parë dhe është e logjikshme që kjo duhet të ndodh paraprakisht. S’bëhet fjalë për kushtëzime por bëhet fjalë për rendin logjik të gjerave, që duhet të ketë si hap të parë zbatimin e dakordimit në mes të Bislimit dhe Lajcakut për 3 qershorin, i realizuar në Bratislavë, që natyrisht e krijon atë normalitetin minimal për zgjedhjet e parakohshme”, ka thënë Kurti.
Lini një Përgjigje