Këngëtari me origjinë shqiptare, Ermal Meta, reagoi në rrjetet sociale pas përfundimit të Festivalit të Sanremo Music Festival, ku u rendit në vendin e tetë me këngën e tij “Stella Stellina”.
Në një postim të gjatë dhe falënderues, Meta e cilësoi pjesëmarrjen si një nga momentet më të rëndësishme të jetës së tij dhe falenderoi drejtorin artistik Carlo Conti, i cili besoi në projektin e tij muzikor.
“Ky festival ka qenë më i rëndësishmi i jetës sime, për shumë arsye”, shkruan artisti, duke falënderuar më pas të gjithë ata që e kanë mbështetur dhe rrethuar me dashuri gjatë javës së Sanremos.
Ai iu drejtua edhe publikut që ndjek muzikën e tij prej vitesh:
“Të gjithë ju që dëgjoni dhe e doni muzikën time… ju detyrohem gjithçka.”
Një pjesë e veçantë e postimit iu kushtua familjes. Meta falënderoi partneren e tij, Chiara, të cilën e përshkroi si “grua dhe nënë të jashtëzakonshme”, si dhe vajzat e tij, Klodin dhe Lumen, duke theksuar praninë e tyre të vazhdueshme gjatë këtij rrugëtimi.
Kënga me të cilën Meta konkurroi këtë vit i është dedikuar fëmijëve palestinezë në Rripin e Gazës, duke u bërë një thirrje për ndjeshmëri dhe solidaritet. Artistit nuk i mungoi edhe një dedikim për “fëmijët pa zë”, duke e lidhur performancën e tij me mesazhin human të këngës.
Ermal Meta emigroi në Itali në moshën 13-vjeçare së bashku me nënën dhe motrën e tij, dhe prej më shumë se 3 dekadash jeton dhe punon atje, duke ndërtuar një karrierë të konsoliduar në muzikën italiane dhe ndërkombëtare.
Në fund të postimit, këngëtari përshkruan emocionet e përjetuara gjatë çdo nate të festivalit:
“Ju ishit të gjithë me mua, çdo mbrëmje, në çdo emër, në çdo notë.”
Lini një Përgjigje