TAGS-AT E JAVËS

Forum 6 Qershor 2025, 07:57

Albpetrol: Strehë e mafies, qokave dhe klaneve familjare

Shkruar nga Arben Llangozi

Albpetrol: Strehë e mafies, qokave dhe klaneve familjare

Nëse Shqipëria synon të ecë drejt Bashkimit Europian dhe drejt një shteti ligjor, atëherë modeli "Albpetrol" duhet të marrë fund. Dhe fundi duhet të fillojë tani.

Në një kohë kur qytetarët shqiptarë përballen me varfëri, mungesë të shërbimeve publike cilësore dhe papunësi masive, një pjesë e administratës publike po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një rrjet nepotik të kontrolluar nga klane, interesa personale dhe lidhje të errëta.

Rasti i fundit që ka dalë në dritë është ai i Albpetrol sh.a., kompania shtetërore që menaxhon pasuritë nëntokësore të vendit, por që sot duket më shumë si pronë private.

Një rast flagrant është ai i Selfo Kapllanit, ish kryetar bashkie në Kuçovë dhe një emër i përfolur për lidhje me botën e krimit dhe bizneset e errëta, mban aktualisht postin e zv.drejtorit të Albpetrolit.

Por skandali nuk ndalet këtu, në shkelje të hapur të ligjit për konfliktin e interesit dhe të çdo standardi etik, ai ka të punësuar bashkëshorten e tij si vartëse direkte në të njëjtën strukturë, por edhe ajo në rolin e shefes.

Kjo përbën jo vetëm një rast flagrant të favorizimit familjar, por është edhe një shkelje ligjore, e cila duhet të kishte sjellë jo vetëm shkarkimin e menjëhershëm të zyrtarit në fjalë, por edhe hetim penal për abuzim me detyrën dhe shpërdorim të fondeve publike.

Çfarë mesazhi jepet qytetarëve të ndershëm që për vite me radhë nuk arrijnë të sigurojnë një vend pune me meritë? Çfarë shprese ka për rininë, kur të gjitha pozicionet në administratë ndahen në tryeza miqësore apo familjare?

Institucionet përgjegjëse si SPAK, ILDKPKI, Ministria e Energjisë dhe vetë Kryeministri i vendit nuk mund të heshtin më. Heshtja është bashkëfajësi. Ky rast duhet hetuar me prioritet dhe duhet të shërbejë si pikënisje për një pastrim të plotë të administratës shtetërore nga nepotizmi dhe lidhjet e errëta me krimin.

Nëse Shqipëria synon të ecë drejt Bashkimit Europian dhe drejt një shteti ligjor, atëherë modeli "Albpetrol" duhet të marrë fund. Dhe fundi duhet të fillojë tani.

Lini një Përgjigje

Forum