Forum28 Prill 2023, 19:27

Ata që dëshpërojnë opozitën dy javë para zgjedhjeve

Shkruar nga Mero Baze

Ata që dëshpërojnë opozitën dy javë para

Zonja Kryemadhi mund të ketë hallet e veta me SHBA, mund të ketë dyshimet e veta se ata i anë zbuluar llogaritë në bankat e huaja dhe transaksionet me rusë, mund të ketë dhe dyshime të tjera që ne nuk i dimë, por hallet e saj nuk mund të jenë halle të opozitës dy javë para zgjedhjeve...

Po përsëritet sërish skenat e vitit 2021, tani jo më nga kryetari i ish- LSI, por nga ish- kryetarja e LSI. Njësoj si më 2021, kur dhjetë ditë para zgjedhjeve, Ilir Meta shpërtheu kundër ambasadores së SHBA Yuri Kim, dhe fjalë pas fjalë duke marrë zemër dhe kundër SHBA, duke pranuar se është gati dhe ta vrasin në Malin me Gropa.

Një sërë detajesh që lidhen me legjendat se Sigurimi i Shtetit i zhdukte kundërshtarët në Malin me Gropa ju përziejnë me SHBA dhe nën një përçartje të plotë ai në fat hodhi në erë gjithë besimin e opozitës në fitoren në zgjedhje, edhe pse ishin shumë afër dhe shumë të bashkuar.

Dje në mbrëmje Monika Kryemadhi e përsëriti këtë skemë. Me një fjalor të rëndë, madje të rëndë dhe për burra të këqij, ajo ju turr ambasadores së SHBA duke përdor fjali të tipit “të shkojë në të sëmës”, apo “le të marë lekët e Edi Ramës” e duke vazhduar me përbetime kërcënuese se kush i prek fëmijët, ajo e vret, e djeg, e shqyen etj.

Kjo puna e instinktit mëmësor për të mbrojtur fëmijët është instikt biologjik, që e kanë dhe kafshët, jo vetëm njerëzit, kështu që nuk i duhet marrë për keq. Por ato të tjerat që janë huqe njerëzish, natyrisht që përbëjnë problem. Mbi të gjitha përbëjnë një problem politik për opozitën, që nuk di se kush ja mbush mendjen, se sa më agresiv të tregohen me SHBA, aq më shumë i do populli shqiptar.

Zonja Kryemadhi mnd të ketë hallet e veta me SHBA, mund të ketë dyshimet e veta se ata i anë zbuluar llogaritë në bankat e huaja dhe transaksionet me rusë, mund të ketë dhe dyshime të tjera që ne nuk i dimë, por hallet e saj nuk mund të jenë halle të opozitës dy javë para zgjedhjeve.

Me atë gjuhë dhe atë qëndrim, dhe sikur opozita të kërkojë falje çdo ditë deri më 14 maj, sërish e ka të humbur betejën, pasi e ka krijuar perceptimin se kjo opozitë është nisur të mundë SHBA dhe jo Edi Ramën.

Kështu ndodhi dhe më 2021, ende pa u shpallur Berisha “non grata”. Perceptimin e parë që opozita kishte betejë me SHBA e dha fjalori i Ilir Metës. Tani kushtrimin kundër SHBA e dha Monika Kryemadhi.

Larg qoftë mos ndodhtë ndonjë vrasje që të kompletohet sërisht skenari i 2021 dhe ne të shikojmë se si po zhbëhet opozita para syve tanë, vetëm nga qejfi që ka çifti Meta- Kryemadhi që të shpërthejë ndaj SHBA gjithnjë dy javët e fundit të zgjedhjeve.

Dhe pastaj ankohet Ilir Meta se Edi Rama ka blerë sondazhet që e nxjerrin opozitën të shkatërruar. Edi Rama po qe se ka blerë njeri, ka blerë Ilirin dhe Monikën, se më shumë se këta si bën punë njeri. Dhe punë pa lekë madje.

opozita monika kryemadhi pd