Forum 9 Dhjetor 2023, 11:55

Ben Blushi: Mjegulla, një pastel që fsheh rreziqet e afërta!

Shkruar nga Ben Blushi

Ben Blushi: Mjegulla, një pastel që fsheh rreziqet e afërta!

Ajo është një paqe e bukur por e gënjeshtërt. Ti ecën në mjegull dhe nuk sheh dot se disa metra më larg vjen një makinë, se pas një kthese ke një armik, se pak më larg është një gropë apo se pas një reje fshihet një furtunë. 

Mjegulla duhet të jetë një nga piktorët më të mëdhenj të natyrës. Ajo shuan konturet, fshin ngjyrat, ndryshon përmasat dhe mbulon defektet. E bukura dhe e shëmtuara janë njëlloj poshtë mjegullës. Ato nuk duken. E keqja dhe e mira mbulohen. E zeza dhe e bardha bashkohen.

Mjegulla është një pastel që i fsheh rreziqet e afërta. Ajo është një paqe e bukur por e gënjeshtërt. Ti ecën në mjegull dhe nuk sheh dot se disa metra më larg vjen një makinë, se pas një kthese ke një armik, se pak më larg është një gropë apo se pas një reje fshihet një furtunë. 

Mjegulla është e qetë, e trashë, e ngadaltë, e plotë dhe nuk ka asnjë forcë që mund ta ndalojë të futet në shtëpi, në sy, në trup, në mendje dhe në shpirt. Ajo  afrohet derisa të mbulon të gjithin. Qëllimi i saj kryesor është të të bindë se nuk duhet të ecësh. Se duhet të ndalosh.

Ka shumë njerëz që e shijojnë mjegullën. Ajo është një lloj amnezie. Një harresë. Një fshirje e kohës dhe e kujtimeve. Futesh në mjegull dhe jeta jote ndalon. Nuk ikën dot dhe nuk lëviz dot. Këtë ndjesi pata dhe unë dje kur u futa në mjegull dhe nxora aparatin tim fotografik për ta fiksuar.

Ndalova dhe pashë veten që kisha humbur. Kur mjegulla u largua vazhdova rrugën time duke menduar se të jetosh do të thotë të dalësh nga mjegulla e mendjes tënde.

ben blushi