Forum 8 Dhjetor 2023, 22:09

Vetëm Inteligjenca Artificiale na mungonte!

Shkruar nga Lutfi Dervishi

Vetëm Inteligjenca Artificiale na mungonte!

Meqë prej 33 vitesh nuk qullosëm gjë me inteligjencën natyrale, koha ka thirrur në skenë mençurinë artificiale.

8 dhjetor: Kongresi socialist ofron revolucionin. Në 33-vjetorin e revolucionit të studentëve që çoi në përmbysjen e regjimit komunist, në Kongresin e Partisë së përmbysur në dhjetorin e largët të 90-tës, kryeministri aktual shpalli revolucionin digjital.

Në një zbulim novator, lideri i të majtëve deklaroi se truri i ChatGPT, e famshmja Mira Murati, do ta shtyjë e vetme kombin e lashtë drejt tokës së ëndërruar, Bashkimit Europian.

Lëvizni, njerëz! Erdhi dekika që epoka e inteligjencës artificiale të marrë frenat dhe të na udhëheqë nëpër labirintin e burokracisë dhe demokracisë!

Meqë prej 33 vitesh nuk qullosëm gjë me inteligjencën natyrale, koha ka thirrur në skenë mençurinë artificiale.

Sipas kryeministrit, ideja e Muratit është jo vetëm që të hartojë, por edhe do të futë në kuadrin legjislativ shqiptar 4000 akte ligjore.

Kush ka nevojë për parlament, për konsultim me grupe interesi apo komisione parlamentare, kur algoritmet mund të nxjerrin ligje më shpejt sesa i duhet një deputeti të shqiptojë fjalën e bekuar "demokraci"?

Pse të shqetësohemi me rrëmujën e qeverisjes së drejtuar nga njeriu, ky mëkatar i pandreqshëm, kur ne mund t'i lëmë algoritmet të vendosin se çfarë është më e mira për ne?

E ardhmja ka ardhur dhe është vendosur në binarë të sigurt digjitale.

Në një fjalim historik, në Kongresin e Arritjeve, shefi madhor i kësaj dekade siguroi publikun se AI (Inteligjenca Artificiale) jo vetëm që do të hartojë ligje, por edhe do të sigurojë zbatimin e përpiktë të tyre.

Nuk ka më ligje të standardeve europiane dhe zbatim me standarde ballkanike.

 Harrojeni ritmin e breshkës në zbatimin e ligjeve: Algoritmet do të zbatojnë pa u lodhur rregulloret me efikasitetin e një mijë burokratëve robotikë.

Hap krahun, burokraci, koha për teknokraci!

Një nga çështjet më urgjente me të cilat përballet vendi është grumbullimi i dhjetëra mijëra çështjeve gjyqësore.

Mos kini më frikë! AI është këtu për të na shërbyer. Mjaft është rropatur duke punuar shqiptari i gjorë në shekuj.

Me goditjen e shpejtë të një çekiçi virtual, këto dosje të mykura që kanë ngelur në korridoret e drejtësisë prej vitesh do të marrin më në fund zgjidhje.

E kujt i shkonte në mendje që drejtësia mund të ishte kaq algoritmike?

Si xhanëm shpenzuam kaq shumë para dhe kohë për reformën në drejtësi?!

Meqë Kryeministri e ka shumë merak republikën e prokurorëve dhe gjyqtarëve, inteligjenca artificiale tashmë do të futet në hetime dhe gjykime. Kur ky eksperiment ka patur sukses në Kinë, pse të mos ketë sukses edhe në Shqipëri?!

Tashmë është e qartë se nuk ka nevojë për një komision hetimor parlamentar.

Pse të shqetësoheni me sherr, flakadane, kapsolla dhe pyetje hetuesish kur ChatGPT mund të hetojë e zhbirilojë gjithçka?

Nga skandalet e korrupsionit te intrigat e kulisat e politikës do të jenë në sitën e pamëshirshme të detektivëve të AI.

Dhe kujt i duhet më parlamenti? Le të gëzojnë dyfishimin e rrogave deputetet, por nuk kemi më nevojë për to pasi ligjet do të bëhen me klikime jo me zotime.

Harrojini debatet e lodhshme, fjalimet plot pasion dhe daljet e herëpashershme dramatike – Inteligjenca Artificiale e di se çfarë është më e mira për ne.

Është si të kesh një robot dashamirës e të gjithëdijshëm që kujdeset që dita jote të jetë sa më e këndshme

Tani nuk duhet më as qeveria!

Na duhet vetëm Kryeministri që t'i jap komanda Inteligjencës Artificiale dhe pse jo edhe ta trajnoje nëse ajo gabon!

Ah, po! Duhet edhe një numërator digjital për të numëruar sukseset!

inteligjenca artificiale